Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka kërkuar unitet dhe jo tërheqje përballë ballafaqimit me Serbinë.
Ai deklaroi se “Informatat për situatën e sigurisë në Ballkan, kurrë nuk kanë qenë më shqetësuese në këto njëzet e sa vjet. Kosova sot është përballë sfidave të mëdha që kanë të bëjnë me të ardhmen e saj. Natyrisht sfida më e madhe është marrëveshja finale me Serbinë, e cila ka të ngjarë të hyjë në fazën e vet përfundimtare”.
Ai ka shtuar se qeveria e Kosovës dhe Kryeministri i saj Albin Kurti, e kanë marrë përgjegjësinë por edhe besimin e elektoratit, për t’i adresuar të gjitha çështjet që kanë të bëjnë me përmbylljen e shtetësisë së Kosovës.
Madje ai theksoi se kjo Qeveri dhe ky Kryeministër e kanë kërkuar dhe e kanë marrë mbështetjen e popullit, 50 plus për qind, për t’i zgjidhur temat e mëdha dhe sot nuk e kanë komoditetin që as ta mendojnë tërheqjen eventuale nga kjo betejë. Në të kundërtën kjo do të konsiderohej dezertim në raport me interesin shtetëror e kombëtar të Kosovës.
Ai gjithashtu potencoi se Kosova ka nevojë për unitet politik, dhe se ai së bashku me partinë e tij, janë të gatshëm që të jenë aleat të qeverisë dhe të kryeministrit Kurti.
“Kosova sot, më shumë se kurrë ka nevojë për unitet politik, në mënyrë që njëzëri ta mbrojë interesin e vet. Unë dhe Partia ime si dhe Grupi Parlamentar i AAK-së, jemi të gatshëm që në çdo kohë e në çdo situatë të jemi aleatë të kësaj qeverie e të këtij kryeministri, që në betejën politike me Serbinë, ta mbrojmë Kushtetutën, integritetin dhe sovranitetin e vendit. Kjo duke mos rrezikuar për asnjë moment të drejtat e pakicës serbe në Kosovë. Kosova sot nuk e ka komoditetin e debateve as për tërheqje, as për dorëheqje e as për zgjedhje të reja. Qeveria e shumicës duhet t’i marrë përgjegjësitë e zgjidhjes së çështjeve të hapura. Për beteja të brendshme politike kurrë nuk është vonë”, ka deklaruar ai.
Por, kreu i AAK-së që kërkon unitet për dialogun, nuk i ndal kritikat dhe akuzat dhe kryeministrit Kurti e madje për dialogun ishte tërhequr sa kishte qenë vetë kryeministër.
Haradinaj kishte deklaruar se “nuk është njeri i tavolinave dhe nuk ka aftësi të jashtëzakonshme negociuese”.
Derisa ai e kishte mundësinë që të dilte përballë Serbisë në Bruksel dhe të dialogonte por nuk e bëri e me këtë u mor presidenti i asaj kohe, Hashim Thaçi, pse Haradinaj tani shprehet i gatshëm të ndihmojë lidhur me këtë çështje?
“Deklarata e Haradinajt, një qëndrim pozitiv”
Lidhur me këtë, analisti politik Skënder Mulliqi, në një prononcim për “Bota sot”, ka deklaruar se deklarata e fundit e tij është me qëndrim pozitiv, duke e pasur parasysh që ai gjithmonë e ka kritikuar Qeverinë.
Skënder Mulliqi
Madje sipas Mulliqit, kur kemi të bëjmë me temën e dialogut, jo vetëm Haradinaj por edhe nga PDK dhe LDK duhet ta shpreh një qëndrim të tillë.
“Edhe pse lideri i AAK-së, Ramush Haradinaj ka adresuar shumë kritika ndaj Qeverisë të cilën e drejton Albin Kurti, megjithatë deklarata e fundit e tij, se duhet unifikim i spektrit politikë shqiptarë rreth fazës të fundit të dialogut, është qëndrim pozitiv , të cilën duhet përshëndetur. Të bërit opozitarizëm për temat e brendshme të shprehem ashtu është edhe detyrë e opozitë, por kur kemi të bëjmë fjalë për temën jetike, siç është tema e zorshme e dialogut me Serbinë, atëherë jo vetëm Haradinaj, por këtë gatishmëri të inkuadrimit në këtë proces politik, ishte dashur ta shprehin edhe PDK më LDK-në, të cilat nuk kanë shprehur ndonjë qëndrim të qarte pos kritikave jo parimore që kanë ardhur nga ana e tyre, edhe kur bëhet fjalë rreth dialogut më Serbinë”, tha ai.
Sipas tij, Asociacionin e lanë kështu Thaçi dhe Mustafa, duke mos u deklaruar se për cilin variant është fjala, madje ai shton se opozita nuk ka qenë as përkrahëse e aksioneve të fundit, andaj këto edhe e kanë dëmtuar Kosovën.
“Opozita e di mire së Asociacionin e lanë vet të dera, në fakt dy udhëheqësit e tyre, Hashim Thaçi dhe Isa Mustafa, i cili edhe pse tash nuk është në kryer të LDK-së, i ka pasur disa paraqitje jo të mira politike lidhur më Asociacionin, duke mos u deklaruar se për cilin variant e ka fjalën, për atë që e kanë firmosur së bashku me Thaçin, apo variantin që Asociacioni mos të jetë më shumë se një OJQ, që edhe duhet të jetë i formës së tillë. Opozita çuditërisht nuk i ka përkrahur dy aksionet e fundit për rend dhe ligj në veri të vendit, të organeve tona të shtetit, thua se nuk bëhet fjalë për fatin e shtetit tonë të përbashkët, por thua se Kosova është vetëm e Albin Kurtit! Ky qëndrim e ka dëmtuar Kosovën. Është momenti i fundit i shfaqjes të unitetit, kur bëhet fjalë për të mbrojtur territorin e Kosovës që është duke na e kërcënuar që shumë kohë Serbia me ndihmën e Rusisë me luftë”, shtoi Mulliqi.
Më tej, ai ka potencuar se Haradinaj ka qenë i sinqertë me këtë deklaratë, kur dihen angazhimet e reja të SHBA, Britanisë dhe Gjermanisë, të cilat janë tregues se perëndimi po bënë investime në lirinë dhe pavarësinë e Kosovës, dhe që nuk do e lejojnë Rusinë dhe Serbinë të kenë ndikim në Ballkan.
“Unë dua të besoj se deklarimi i Haradinajt është i sinqertë, kur dihet tashmë për angazhimet e reja të Amerikës, Britanisë së Madhe dhe Gjermanisë rreth temës së dialogut të cilat shtete janë duke i ngjeshur radhët me diplomatë të karrierës. Amerika ka emëruar 6 ambasadorë në rajon, kurse së fundi edhe Mbretëria e Bashkuar ka emëruar për emisar, një personalitet të lartë ushtarak të NATO-s për Kosovën. Këto janë tregues se bota perëndimore ka bërë investime në Ballkan dhe veçmas në lirinë dhe pavarësinë e Kosovës, dhe nuk do të lejojnë në asnjë mënyrë futjen e ndikimit të Rusisë dhe të Serbisë në Ballkan dhe më gjerë. Madje, këto dy shtetet e fundit janë duke kërcënuar me luftë Malin e Zi, Bosnjën dhe Kosovën”, ka theksuar ai.
Sipas Mulliqit, ndoshta opozita tani është duke e parë seriozitetin e miqve për mbrojtjen demokratike dhe vlerat e njerëzve në Kosovë, ka vendosur që të mos je inatçore.
“Ndoshta opozita ka sy me pa dhe vesh me dëgjuar se sa janë serioz miqtë tanë në mbrojtje të vlerave demokratike dhe vlerave njerëzore në Kosovë dhe në rajon, në mbrojtje çfarëdo agresioni të mundshëm ushtarak, që mund të vije nga ana e Serbisë dhe të Rusisë. Kur ata e mbrojnë kaq fuqishëm, dhe e kanë mbrojtur Kosovën edhe me luftë në vitin 1999, pse opozita të jetë kaq inatçore për t’i mos ndihmuar proceset me gjithë potencialet se në pyetje është fati i Kosovës. Këtë gatishmëri të liderit të AAK - së duhet shikuar si shenjë pozitive që ndoshta edhe opozitarët tjerë të shprehin një gatishmëri të tillë”, ka potencuar analisti.
Mulliqi është shprehur tutje se tani nuk përjashtohet mundësia edhe për luftë tjetër, duke e pasur parasysh angazhimet politike të tyre në planin e jashtë.
Ai shtoi se angazhimi për përfundimin fatlum për Kosovën në dialog me shtetin serb me diplomatët me përvojë të gjatë politike, Serbisë i ka hyrë frika në palcë.
“Nëse një luftë me Serbinë ka përfunduar dhe është fituar në vitin 1999, nuk përjashtohet mundësia e ndonjë lufte tjetër, kështu po shprehen shumë njohës të politikës botërore dhe drejtues të shteteve më të fuqishme sot në botë. Sikur mos të ishte kështu nuk do të shihnim gjithë këto angazhime të reja të politike të tyre në planin e jashtëm, dhe pikërisht rreth përfundimit fatlum për palën e Kosovës të dialogut me Serbinë. Këtë angazhim me diplomatë me përvojë të gjatë politike dhe ushtarake, Serbisë ja kanë futur frikën në palcë. Edhe presidenti i Serbisë, sikur Millosheviçi dikur njehë duket vetëm gjuhën e forcës”, ka përfunduar Mulliqi.
“Haradinaj nuk ka bërë asnjë hap drejt bashkimit”
Analisti Faton Mehmeti, ka deklaruar se bashkim duhet të ketë, por sipas tij, deri tani i vetmi që e ka bërë këtë ishte Rugova, sepse të tjerët flisnin por nuk e donin një gjë të tillë, madje as Haradinaj nuk ka bërë asnjë hap drejt saj.
Faton Mehmeti
“Në parim pajtohem se duhet të ketë bashkim dhe këtë gjë i vetmi që e ka bërë deri tani ka qenë presidenti Rugova. Pas tij, të gjithë të tjerët vepruan në kokë në vete, flisnim për bashkim por nuk e donin një gjë të tillë. Edhe Ramushi, që flet për bashkim, nuk ka bërë asnjë hap sa ishte kryeministër që të ndodhte unifikimi. Derisa hedh akuza ditë e natë, shan e bërtet kundër duke kaluar edhe caqet politike, nuk di për çfarë bashkimi mund të flitet”, tha Mehmeti.
Sipas Mehmetit, kjo është propaganda, sepse nuk është për ata që nuk kanë punuar për bashkim.
Madje ai thekson se Haradinaj nuk mund të jetë më i mençur se Kurti.
“Kjo është vetëm një propagandë e Ramushit, nuk e besoj se është sinqertë. Natyrisht se ka nevojë për unifikim, mirëpo nuk besoj se kjo gjë mund të ndodh nga ata që nuk kanë punuar për bashkim, përkundrazi janë përçarës të skenës politike. Ramushi mund të jetë më trim se Kurti, por nuk është më i mençur, për pushkë Ramushit jepja dorën, për tavolinë Albinit. Secili duhet të dijë se ku e ka vendin e tij. Akuzat e Ramushit se Kurti nuk është njeri i tavolinave, është njësoj si të thuash se Ramushi nuk është i pushkës”, shtoi ai.