Krimet e luftës që Serbia i ka bërë në Kosovë mbeten një ndër temat më të ndjeshme për çdo qytetarë të vendit.
Shqiptarët janë më shumë se dy shekuj viktima të vrasjes në masë nga Serbia dhe të dëbimit masiv nga trojet e tyre, si popullatë autoktone nga parahistoria. Popujt e tillë mbrohen edhe me konventa të veçanta. Por, Serbia i ka zhdukur shqiptarët thuajse kudo nga Beogradi deri në Vrajë.
Nëse për këto krime ende ka hezitim për të ngritur padi, tashmë është e qartë se institucionet e Kosovës nuk do ta falin Serbinë për krimet e luftës së fundit, përfshirë padinë për gjenocid.
Lëvizja e Qeverisë
Qeveria e Kosovës në muajin maj paralajmëroi se do të ngrejë padi në GJND ndaj Serbisë për gjenocid gjatë periudhës së luftës së vitit 1998/99.
Këtë vendim e ka kumtuar kryeministri Kurti duke qenë i bindur që kjo padi do të realizohet gjatë mandatit të tij.
Këtë pikë kryeministri i Kosovës e ka përfshirë në programin e vet qeveritar duke thënë, se “çështja e padisë për gjenocid para Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë (GJND) do të jetë një nga përparësitë e punës së tij gjatë mandatit qeverisës”.
“Ne jemi të bindur që Serbia ka kryer gjenocid në Kosovë në luftën e fundit tek ne dhe kjo e meriton një padi dhe Qeveria e Republikës së Kosovës e ka përgatitjen e saj obligim ndaj historisë tonë, ndaj qytetarëve që kanë plagët e hapura dhe qe besa edhe ndaj ardhmërisë sonë, që kërkon një shtet demokratik”, ka thënë gjatë muajit maj kryeministri Kurti.
Paralajmërimi i Qeverisë së Kosovës për padi për gjenocid ndaj Serbisë nxiti edhe reagimin e presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq, i cili tha se “Kosova nuk mund ta bëjë një gjë të tillë, meqë nuk është anëtare e Organizatës së Kombeve të Bashkuara”.
Madje ai i rekomandon Qeverisë që “mos të provojë ta bëjë një gjë të tillë", duke e paraqitur me kërcënim ndaj Kosovës.
Kujtojmë që ekspertët shqiptarë, e cilësojnë gjenocid fushatën e forcave serbe gjatë luftës së viteve 1998-1999, ku u vranë mbi 12 mijë veta, mijëra të tjerë llogariteshin të zhdukur, ndërsa mbi 800 mijë shqiptarë u dëbuan nga shtëpitë e tyre.
Në lidhje me ecurinë e këtij procesi “Bota sot” ka kontaktuar me gjithë anëtarët e Komisionit për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, Persona të Pagjetur dhe Peticione.
I vetmi nga ky Komision që ka pranuar të kthej përgjigje për këtë temë ishte deputeti nga radhët e LVV-së, Alban Bajrami.
Bajrami: Padia kundër Serbisë kërkon detajizim të krimeve
Alban Bajrami
Deputeti nga radhët e LVV-së, Alban Bajrami në një prononcim për “Bota sot”, thotë që padia kundër Serbisë duhet të bëhet me përgatitje të duhur, në mënyrë të ngadalësuar dhe të kujdesshme, pasi Gjykata Ndërkombëtare e Krimeve në Romë ka 4 kategori.
“Padinë kundër Serbisë Qeveria Kurti është deklaruar që do ta përgatisë. Unë nuk jam i informuar më tutje në lidhje me ekipin apo përbërjen e tij. Por,unë nuk jam i mendimit se ne duhet të ngutemi me padinë, duke marrë parasysh që statuti i Romës në Gjykatën ndërkombëtare të krimeve ka 4 kategori. Të krimeve bashkë me gjenocidin. Ne duhet të jemi të kujdesshëm në formulimin e padisë”, u shpreh ai.
Bajrami më tej thotë që dëshmitë do të mblidhen nga të gjithë qytetarët që kanë prova për gjenocidin e kryer nga Serbia.
“Në lidhje me dëshmitë përveç se shteti ynë që ka mbledhë dëshmi, janë edhe qytetarët tanë ata që do tëofrojnë dëshmitë kryesore përmes përjetimeve të tyre”, thotë deputeti.
Më tutje, deputeti shprehet se kjo padi është me rëndësi dhe secili duhet të kontribuoj në këtë aspekt duke përfshirë edhe mediat.
“Dua ta theksoj që padia për gjenocid nuk është padi civile për kontest pronësor. Është me rëndësi që edhe media, por dhe gjithë spektri politik ta përkrah e ndihmoj këtë proces”, tha deputeti Bajrami për “Bota sot”.
Kelmendi: Të formohet një Komision i veçantë për paraqitjen e padisë ndaj Serbisë
Muhamet Kelmendi
Juristi Muhamet Kelmendi në një bashkëbisedim me “Bota sot”, thotë që padia për gjenocid ndaj shtetit të Serbisë është normale pasi kemi fakte për dëmin njerëzor dhe material që ia ka shkaktuar Kosovës.
“Është gjë normale paraqitja e padisë për gjenocid ndaj shtetit serb. Fakte ka mjaft. Të dhënat flasin për mbi 13 mijë shqiptarë të mbytur mizorisht. Janë mbi 20 mijë femra të përdhunuara. Kemi dëbime masovike jashtë vendit. Dëmet materiale shkojnë në dhjetëra miliardë euro”, potencon juristi.
Ai më tej thotë se deri ku ka shkuar ky proces nuk ka informacione, mirëpo priten të dhëna konkrete për të përcaktuar një Komision të veçantë për këtë padi.
“A janë tubuar këto të dhëna dhe deri ku ka shkuar çështja nuk e di. Unë nuk kam informacione se deri ku ka shkuar procesi. Është thënë se po përgatitet padia për gjenocid kundër shtetit serb. Informata tjera nuk ka. Priten të dhëna konkrete nga komisioni i përcaktuar nga qeveria. Nuk ka të dhëna më të gjera”, përfundoi Muhamet Kelmendi për “Bota sot”.