Shefi i diplomacisë evropiane, Josep Borrell, më 7 dhjetor, ka thënë se Asociacioni i Komunave me shumicë serbe duhet të themelohet, duke kërkuar po ashtu zbatimin e marrëveshjeve të nënshkruara në Bruksel.
Çështja është se një kërkesë e tillë nënkupton realizimin e marrëveshjes për asociacion në formën që është nënshkruar me kompetenca ekzekutive, antikushtetuese në 23 pika, sipas vendimit të Kushtetueses.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se Asociacioni i shkon për shtati vetëm Beogradit, por jo edhe qytetarëve serbë në Kosovë. Ai ka shtuar që Gjykata Kushtetuese e Kosovës e ka vlerësuar marrëveshjen për Asociacionin si marrëveshje jokushtetuese.
Megjithatë, Borrell insistoi se kjo ishte njëra prej marrëveshjeve të arritura në Bruksel mes Kosovës dhe Serbisë dhe si e tillë duhet të respektohet.
Lidhur me këtë, analisti Islam Krasniqi, në një prononcim për “Bota sot”, ka deklaruar se BE-ja ka deklaruar se Kushtetuta e Republikës së Kosovës mund të ndryshohet vetëm për t’i përmbushur kërkesat e politikës serbe.
Ai shton se frika është se bashkësia ndërkombëtare mund të na kushtëzoj me themelimin e asociacionit, duke i bllokuar proceset integruese.
“Bashkimi Europian pret nga institucionet tona krijimin e asociacionit pasi që është një zotim që ia kemi bërë dhuratë vetit duke e nënshkruar në Bruksel pa e ditur se çka përmban kjo marrëveshje. BE-ja ka deklaruar se Kushtetuta e Republikës së Kosovës nuk është Kuran as Bibel, ajo mund të ndryshohet vetëm e vetëm për t'i përmbushur kërkesat e politikës serbe në dëm tonë, pavarësisht asaj që shihet në Republikën e Bosnjës ku është bërë një shtet jo funksional. Kam frik se bashkësia ndërkombëtare do të na kushtëzojnë lidhur me themelimin e asociacionit duke na bllokuar në proceset integruese”, thotë ai.
Tutje ka theksuar se marrëveshjet ndërkombëtare tejkalojnë ligjet e shtetit, andaj edhe kjo mund të jetë një marrëveshje e tillë.
Sipas Krasniqit, e mirë do të ishte krijimi i asociacionit si OJQ, sepse minoritetit serb i kemi dhënë shumë të drejta.
“Kryeministri ka thënë se kushtetuesja e ka dhënë mendimin e saj duke e rrëzuar këtë marrëveshje, por mos të harrojmë se marrëveshjet ndërkombëtare tejkalojnë ligjet e një shteti, e që kjo marrëveshje mund të konsiderohet e tillë, sepse është arritur në Bruksel mes Republikës së Kosovës, asaj të Serbisë dhe BE-së, e që e mirë do të ishte krijimi i asociacionit, por vetëm si OJQ, sepse shumë ju kemi dhënë të drejta minoritetit serb duke e diskriminuar për mirë, duke ju dhënë të drejta që nuk gëzon asnjë minoritet në botë”, ka përfunduar Krasniqi.