Trendi i mungesës së deputetëve në seancat e Kuvendit të Kosovës duket se po përcillet nga legjislatura në legjislaturë.
Mungesa e një numri të madh deputetësh çon në ndërprerjen e seancave të Kuvendit dhe pamundëson vendimmarrjen. Kuvendi i Kosovës ka 120 deputetë, ndërsa shumicën e bëjnë 61 prej tyre. Por, prej vitesh me qindra seanca kanë dështuar sepse kanë munguar gjysma e tyre, duke shkaktuar mungesën e ‘kuorumit’.
Mungesa e madhe e deputetëve është e pranishme edhe në këtë legjislaturë, duke e bërë të pamundur funksionimin normal të Kuvendit dhe rrjedhimisht edhe miratimin e ligjeve.
Kjo ndodhë, pavarësisht se deputetët marrin paga të larta dhe janë të zgjedhurit e popullit, përfaqësues të tyre në Kuvend, gjë që duket se harrohet sapo bëhet betimi.
Së fundmi, kryetari i Kuvendit ka thirrur seanca të Kuvendit pa e pyetur Kryesinë, pasi aty nuk ka pasur kuorum.
E kuorum nuk ka as në seanca plenare, rrjedhimisht ka grumbullim të pikave për shqyrtim e rritje të numrit të projektligjeve për shqyrtim e miratim.
Ani pse jemi në muajin dhjetor, në Kuvend ende ka pika në rend të ditës nga muaji korrik, të cilat presin vendimin e deputetëve.
Mungesa të deputetëve ka edhe në mbledhjet e komisioneve parlamentare, edhe pse aty paguhet veçmas pjesëmarrja.
Por, si do të duhej të veprohej që deputetët të jenë më të përgjegjshëm dhe të marrin pjesë në seanca e të votojnë projektligjet që presin me muaj, derisa thirrjet e Kryetarit të Kuvendit duket se hasin në vesh të shurdhër?
Cakolli: Deputetët të papërgjegjshëm, të ketë sanksione në paga
Lidhur me këtë, hulumtuesi nga KDI, Eugen Cakolli, duke folur për gazetën “Bota sot”, ka thënë se e gjitha kjo vjen si pasojë e papërgjegjësisë së deputetëve, duke shfrytëzuar kështu dhe mungesën e sanksioneve ligjore ndaj tyre.
“Fatkeqësisht, përkundër se kemi shumicën parlamentare më kompakte në historinë politike të Kosovës me një subjekt të vetëm, i cili e ka gati gjysmën e Kuvendit, jemi duke u ballafaquar me mungesën e deputetëve në seanca dhe dështimit si të mbledhjeve plenare ashtu edhe të mbledhjeve të Kryesisë, ndonëse për motive të ndryshme. Unë konsideroj se situata e tillë me dështimin e seancave, e cila për pasojë prodhon rastin kur në një seancë duhet të trajtohen pikat e mbledhura për disa seanca radhazi, duke e vështirësuar kështu punën e Kuvendit, vjen si pasojë e papërgjegjësi individuale të deputetëve, të cilët përkundër një kuadri ligjor mjaft të favorshme për ta, për ta ushtruar veprimtarinë, janë duke munguar dhe janë duke e shfrytëzuar mungesën e sanksioneve ligjore ndaj tyre”, është shprehur ai.
Eugen Cakolli
Sipas Cakollit, rregullorja e Kuvendit dhe dispozitat e ligjit shohin sanksione minimale në ndalim të mëditjeve të seancave.
“Në këtë drejtim, së fundmi kemi pasur disa raste kur Kryetari i Kuvendit ka bërë thirrje që të jenë të pranishëm në seanca dhe ka paralajmëruar masa, megjithatë dispozitat e Ligjit për deputetët dhe Rregullorja e Kuvendit shohin gjoba dhe sanksione krejt minimale që mund të jenë ndalesa të mëditjeve që marrin pjesë në seanca e që nuk janë as 10 për qind e pagës që marrin”, ka thënë ai.
Ai vlerëson se do të duhej të aplikoheshin format që përdorin shtete të tjera, që janë sanksionet financiare në pagën bazë.
“Unë mendoj se do të duhej të aplikoheshin format e shteteve si Shqipëria, Gjeorgjia e vende të tjera të BE-së, të cilat parashohin sanksione financiare në pagën bazë. Pra, unë mendoj pasi që kemi të bëjmë me papërgjegjësi dhe mungesë të disiplinës së deputetëve për të ushtruar rolin për të cilin ata janë zgjedhur do të duhej të parashiheshin masa të tilla pasi është e pakuptimtë që deputetët të paguhen në shuma relativisht të larta dhe në anën tjetër të mungojnë në të gjitha mbledhjet e mbajtura gjatë një muaji kalendarik në Kuvend. Unë besoj që kjo është periudha më e mirë për ta thirrur në diskutim një gjë të tillë tashmë edhe kur jemi në procedurë të plotësim ndryshimit të Rregullores së Kuvendit dhe në kuadër të saj do të duhej të përfshihen modalitete sanksionuese ndaj deputetëve, të cilët janë të shquar apo që për shkaqe të arsyeshme për kryetarin e Kuvendit mungojnë në seanca apo në mbledhje të komisionit”, ka potencuar Eugen Cakolli për “Bota sot”.
Se sa mund të ndikojë kjo që ata të jenë më të përgjegjshëm në pjesëmarrjen në seanca dhe komisione, ai mendon se do të kishte përmirësim të situatës, pasi do të preken në paga, derisa shton se prania fizike nuk është detyrimisht votim i projektligjeve.
“Bazuar në përvojën e vendeve të tjera, por edhe në bazë të një mendësie në vendin tonë se vetëm kur preken në paga, mund të jenë më të përgjegjshëm dhe më të disiplinuar deputetët, besoj fuqishëm se edhe në rastin aktual do të kishim përmirësim të situatës të paktën në kuptim të situatës fizike për shkak se te çështja e votimit është një problem më kompleks, pjesëmarrja fizike në Kuvend jo medoemos nënkupton edhe pjesëmarrjen në votim meqenëse deputetët e kanë edhe me Kushtetutë të garantuar mandatin e lirë në kuptim të asaj që mund të mos marrin pjesë në votim apo të votojnë në një mënyrë të caktuar. Për këtë qëllim për shkak të bllokadave që kemi pasur në Kuvend nuk besoj që ka dakordim të mjaftueshëm që të rishikohet çështja e pranisë fizike, megjithatë vende të ndryshme e kanë parimin që nuk e shohin si të mjaftueshme praninë fizike për të marrë pagë, por e kanë të caktuar numrin e ligjeve që duhet votuar”, ka deklaruar Cakolli.
Krasniqi: Sanksione në paga ndaj deputetëve
Ndërsa, juristi Islam Krasniqi e vlerëson praktikë të gabuar që deputetët të mos respektojnë Rregulloren e Kuvendit dhe betimin e bërë, derisa shton se kjo legjislaturë duhet të dallohet nga të kaluarat.
Islam Krasniqi
“Është një praktikë e gabuar kjo e Kuvendit të Republikës së Kosovës, ku deputetët shkojnë vetëm për mëditje duke mos respektuar Rregulloren e Kuvendit dhe premtimin për të cilën janë betuar, pasi që ata janë votuar për të rregulluar dhe përmirësuar mirëqenien e qytetarëve, e jo të paguhen për punën të cilën nuk janë duke e kryer. Kjo legjislaturë duhet të dallojë nga të kaluarat, duke dhënë një shembull lidhur me punën dhe ratifikimin e projektligjeve në Kuvend, pasi që qeveria e ka shumicën dhe për një pjesë të madhe mund të bëjë edhe vetë kuorumin pa prezencën e opozitës por që po praktikohet një praktikë e mbrapshtë pa pikë përgjegjësie”, ka thënë ai.
Sipas tij, deputetët duhet të kenë sanksione në pagat që i marrin.
“Andaj duhet që të kushtëzohen deputetët për të marrë pjesë në seancën e Kuvendit të Republikës së Kosovës, e që ata të cilët nuk marrin pjesë në Kuvend duhet të ndëshkohen duke ju ndërprerë një pjesë e pagesë, sepse ata për këtë paguhen dhe që paguhen më paga të majme, gëzojnë mëditje, paguhen në komisione e shumë e shumë të hyra tjera, e që përgjegjësia tyre është zero”, ka vlerësuar Krasniqi për “Bota sot”.
Burjani: Nuk ka deputetë “part time”
Në anën tjetër, juristi Blerim Burjani mendon se nuk duhet të ketë deputetë me gjysmë orari dhe për mungesat në Kuvend të sanksionohen në pagë.
Blerim Burjani
“Kjo është e çuditshme, duhet të ndryshohet Rregullorja, pjesëmarrja është obligative, nuk ka deputetë part time, çdo mungesë do të duhej sanksionohet me zbritje të pagës ose duhet të ketë arsyetim për mungesa”, është shprehur ai.
Ai thekson se qytetarët nuk kanë votuar për deputetë të tillë dhe njerëz të tillë nuk duhet të kandidojnë fare për këtë pozitë.
“Qytetarët nuk kanë votuar për këta njerëz që rrinë në kafene, por për të kontribuar. Të jemi shumë të sinqertë, asnjë legjislaturë nuk ishte në nivel detyre dhe profesionalizmi, ligjet i bën Qeveria, këta vetëm shesin mend në punën e tjetërkujt, pra këto gjëra varen shumë nga demokratizimi i partive, nuk duhet të kandidojnë njerëz të tillë, jo profesional por edhe të dëmshëm dhe pa interesim për të arsyetuar pagën e tyre”, ka deklaruar Blerim Burjani për gazetën “Bota sot”.