Shtetet e Bashkuar të Amerikës kanë futur në listë të zezë 13 serb nga veriu i Kosovës.
Në këtë vendim të Departamentit të Thesarit të SHBA-së janë sanksionuar nënkryetari i Listës Serbe, Milan Radoiçiqin, biznesmenët nga veriu i Kosovës, Zvonko dhe Zharko Vesellinoviqin, si dhe Srgjan Vulloviqin, Zhelko, Andrija Bojiqin, Radulle Steviqin, etij.
Në vendimin e publikuar të mërkurën thuhet se këta persona merren me skema të mëdha të ryshfetit me zyrtarë të sigurisë, të cilët lehtësojnë trafikimin e paligjshëm të mallrave, parave, narkotikëve dhe armëve midis Kosovës dhe Serbisë.
Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Shqipe Mehmeti-Selimi, në një prononcim për “Bota sot” , i ka komentuar sanksionet e vendosura nga Departamenti i Thesarit të SHBA-së ndaj serbëve në veri të Kosovës.
Ajo ka thënë se Qeveria është e qartë në luftimin e krimit dhe korrupsionit
“Sanksionimi i grupeve kriminale në veri të vendit nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës është për t'u përshëndetur, Qeveria e Kosovës është e përcaktuar qartë në luftimin e krimit dhe korrupsionit”, ka thënë ajo për “Bota sot”.
Gjithashtu, deputetja e VV-së e ka përmendur edhe aksionet e zhvilluar në veri të Kosovës nga Policia e Kosovës.
“Javë me parë ka pasur aksione të tilla andej, kështu që i takon organeve përgjegjëse të drejtësisë, prokuroreve, në përputhje me hetimet e tyre të veprojnë, qoftë me arrestime apo edhe të ndërmarrin masa tjera të nevojshme”, ka deklaruar Mehmeti-Selimi.