Krimet e luftës mbetët një ndër temat më të ndjeshme që prek çdo familje shqiptare.
Mos ndëshkimi ende i tyre lë të hapur mundësinë që e njejta mund të ndodhë nëse ngrihet një padi që kreyministri i vendit ka paralajmëruar.
Qeveria e Kosovës në muajin maj paralajmëroi se do të ngrejë padi në GJND ndaj Serbisë për gjenocid gjatë periudhës së luftës së vitit 1998/99.
Këtë vendim e ka kumtuar kryeministri Kurti duke qenë i bindur që kjo padi do të realizohet gjatë mandatit të tij.
Deputeti nga radhët e LVV-së, Alban Bajrami në një prononcim për “Bota sot”, thotë që padia kundër Serbisë duhet të bëhet me përgatitje të duhur, në mënyrë të ngadalësuar dhe të kujdesshme, pasi Gjykata Ndërkombëtare e Krimeve në Romë ka 4 kategori.
“Padinë kundër Serbisë Qeveria Kurti është deklaruar që do ta përgatisë. Unë nuk jam i informuar më tutje në lidhje me ekipin apo përbërjen e tij. Por,unë nuk jam i mendimit se ne duhet të ngutemi me padinë, duke marrë parasysh që statuti i Romës në Gjykatën ndërkombëtare të krimeve ka 4 kategori. Të krimeve bashkë me gjenocidin. Ne duhet të jemi të kujdesshëm në formulimin e padisë”, u shpreh ai.
Bajrami më tej thotë që dëshmitë do të mblidhen nga të gjithë qytetarët që kanë prova për gjenocidin e kryer nga Serbia.
“Në lidhje me dëshmitë përveç se shteti ynë që ka mbledhë dëshmi, janë edhe qytetarët tanë ata që do tëofrojnë dëshmitë kryesore përmes përjetimeve të tyre”, thotë deputeti.
Më tutje, deputeti shprehet se kjo padi është me rëndësi dhe secili duhet të kontribuoj në këtë aspekt duke përfshirë edhe mediat.
“Dua ta theksoj që padia për gjenocid nuk është padi civile për kontest pronësor. Është me rëndësi që edhe media, por dhe gjithë spektri politik ta përkrah e ndihmoj këtë proces”, tha deputeti Bajrami për “Bota sot”.