Qytetarët e Kosovës vazhdojnë të jenë të vetmit në Evropë që janë të izoluar dhe nuk e gëzojnë liberalizimin e vizave.
Kjo duket se ka mbetur një ëndërr e parealizuar për popullin e Kosovës.
Ani pse premtimet për këtë çështje janë bërë prej vitesh e madje edhe nga politikanë të Kosovës është uruar liberalizimi, në fakt ai ende nuk ka ndodhur. E se kur do të ndodhë, as kjo nuk dihet.
Përpos që Kosova ende nuk është pjesë e Bashkimit Evropian, janë pesë vende të BE-së që nuk e kanë njohur Kosovën si shtet dhe janë kundër liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës.
Si premtim për marrjen e vizave ishte dhe votimi i demarkacionit me Malin e Zi, por sapo ai u bë, premtimi u harrua.
E qytetarët vazhdojnë pritjet e gjata para ambasadave për të marrë një vizë.
Në anën tjetër, derisa ka shtete që përkrahin liberalizimin e vizave dhe deklarojnë se Kosova e meriton atë dhe ka përmbushur kriteret e kërkuara, për të tjera këto kushte nuk kanë përmbushur ende.
Por, çfarë po bëhet lidhur me këtë çështje dhe kur mund të pritet që Kosova të ketë liberalizim të vizave, derisa jemi afër vitit 2022 dhe ende nuk ka ndodhur?
Krasniqi: BE padrejtësisht nuk liberalizon vizat për Kosovën
Deputetja e LDK-së, Rrezarta Krasniqi
Lidhur me këtë, për gazetën “Bota sot” ka folur deputetja e LDK-së, Rrezarta Krasniqi, e cila është kryetare e Komisionit për Integrime Evropiane.
Ajo ka deklaruar se qytetarët e Kosovës po mbahen të izoluar padrejtësisht, derisa Kosova i ka plotësuar të gjitha kriteret për liberalizimin e vizave.
“Qytetarët e vendit padrejtësisht po mbahen të izoluar në mungesë të liberalizimit të vizave. Kosova i ka plotësuar të gjitha kushtet dhe kriteret e parapara për liberalizimin e vizave”, është shprehur ajo.
Se çfarë po bëhet në këtë drejtim, Krasniqi ka thënë se nga Qeveria Kurti nuk kanë parë ndonjë strategji të lobimit për të sjellë njohje apo anëtarësim në organizata ndërkombëtare.
“Ne jemi në përfundim të këtij viti dhe ende nuk kemi parë ndonjë strategji të lobimit nga ana e qeverisë Kurti, qoftë për të siguruar njohje të reja apo anëtarësimin e vendit në organizata ndërkombëtare. Kjo Qeveri është pa plan dhe ide për ta faktorizuar vendin ndërkombëtarisht”, ka vlerësuar deputetja.
Por, kur mund të marrë fund padrejtësia e BE-së ndaj Kosovës dhe të kemi liberalizim të vizave?
Ajo thekson se BE-ja duhet sa më shpejt t’i jap fund padrejtësisë së izolimit të qytetarëve të Kosovës dhe sa më shpejt që bëhet kjo, është më mirë.
“BE-ja sa ma herët që të vendos për liberalizmin e vizave për Kosovën, është më mirë për qytetarët e vendit më pro-evropian dhe më liberal. BE-ja duhet t’i jap fund padrejtësisë së izolimit të qytetarëve tanë”, ka deklaruar Rrezarta Krasniqi për gazetën “Bota sot”.
Batusha: BE-ja ka mbyllur qytetarët e Kosovës në një kafaz
Deputeti i VV-së, Agon Batusha
Në anën tjetër, deputeti i VV-së, Agon Batusha, i cili është anëtar i Komisionit për Integrime Evropiane, duke folur për gazetën “Bota sot” për këtë çështje, ka thënë se qytetarët e Kosovës janë mbyllur në kafaz nga BE-ja, derisa të gjitha kriteret e caktuara janë plotësuar.
“E vërteta është që Kosova, gjegjësisht qytetarët tanë, janë mbetur të vetmit shtetas që janë të mbyllur në një kafaz nga BE-ja. Përderisa liberalizimin e vizave nga ana e BE-së e kanë shumë shtete edhe jashtë kontinentit gjeografik evropian, nuk ka kuptim që një shtet që është në zemër të Evropës të mbetet i izoluar. Të gjitha kriteret që na janë caktuar nga organet e BE-së, ne i kemi plotësuar, madje edhe përtej tyre sepse shtetet përreth nesh kanë pas më pak kritere se ne. Por, problemet që kanë dalë me shtetet që kanë marrë liberalizim të vizave, janë përmirësuar duke na vënë gjithnjë e më shumë kritere vendeve që kanë marrë liberalizimin më vonë, e sidomos neve që kemi mbetur të fundit”, është shprehur ai.
Sipas Batushës, kjo çështje tashmë është shndërruar më shumë në politike se sa teknike pasi ka vende që po na kushtëzojnë, ndërsa që çështjen e 5 vendeve që nuk e kanë njohur Kosovën ai e sheh më shumë problem të BE-së se sa tonin.
“Kjo tanimë është shndërruar më shumë në çështje politike se sa teknike (kriteret) sepse janë disa vende të cilat po kushtëzojnë edhe më tutje votën pro liberalizimit, si: Franca, Holanda dhe disa shtete pak më skeptike. Shtoja kësaj që kemi marrë dritën e gjelbër për liberalizim nga Komisioni Evropian i cili është organi mbikëqyrës për plotësimin e kritereve, e po ashtu është votuar edhe në Parlamentin Evropian që të liberalizohen vizat për qytetarët e Kosovës. Ndërsa çështja e pesë vendeve që nuk e njohin Kosovën, është çështje më e ndërlikuar dhe është çështje më shumë e BE-së se sa që duhet të jetë shqetësim i yni. Por, në këtë 5-ëshe ka lëvizje pozitive, madje edhe mbështetëse sa i përket liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës. Gjithsesi edhe për këto 5 vende ka metoda të ndryshme brenda institucioneve të BE-së të cilat mundësojnë lëvizjet pozitive për liberalizim, por prapë kjo është çështje e brendshme e BE-së”, ka theksuar deputeti.
Se çfarë po bëhet nga Kosova për t’i bindur edhe vendet kundër që ta përkrahin Kosovën për liberalizimin e vizave, ai thotë se po adresohen kërkesat shtesë të vendeve skeptike, në veçanti të Holandës dhe Francës, derisa përmend punën e MPB-së në shkatërrimin e mbi 30 grupeve kriminale muajve të fundit.
“Kosova ka kryer të gjitha detyrat e saja sa i përket përmbushjes së kritereve. Kërkesat shtesë të disa vendeve skeptike, ne jemi duke i adresuar dhe çdo ditë shohim avancim drejt përmbushjes së kërkesave. Kryesisht shqetësimet e tyre, e në veçanti të Francës dhe Holandës, janë lufta ndaj krimit të organizuar dhe korrupsionit, gjë që përmes organeve shtetërore po përpiqemi në afat rekord që t`i adresojmë. Këtu mund ta theksojmë punën e Ministrisë së Punëve të Brendshme në shkatërrimin e mbi 30 grupeve kriminale vetëm gjatë këtyre 6 muajve të fundit dhe avancimin e kornizës ligjore për Vetting në drejtësi gjë që do mundësoj avancimin e sistemit të drejtësisë. Për gjitha këto të arritura në baza të rregullta informohen ambasadat e vendeve anëtare të BE-së dhe ka lëvizje pozitive nga këto shtete, që dal nga dal po bëhen shtete mbështetëse për liberalizim të vizave”, ka potencuar Batusha.
Shpresat për liberalizimin të vizave në vitin 2022
Ai shpreson se çështja e liberalizimit të vizave të hyjë në agjendën e Këshillit në vitin 2022 dhe do të votohet pozitivisht, por shton se duhet vazhduar me punët e mira dhe duhet pasur parasysh sfidat që vijnë pas liberalizimit dhe për të cilat duhet të përgatitemi.
“Ne po shpresojmë që çështja e liberalizimit të vizave për Kosovën të hyjë në agjendën e Këshillit në vitin që po pason, me besimin e plot që në rast se hynë në agjendë të vendimmarrjes, atëherë do të votohet pozitivisht për ne. Gjithsesi ne nuk bën të vetëkënaqemi, por duhet të vazhdojmë me punët e mira që po i bëjmë si mazhorancë dhe si qeveri, e po ashtu duhet të kemi parasysh që sfidat më të mëdha janë pas liberalizimit të vizave e për të cilat institucionet tona dhe qytetarët mbi gjitha, duhet të përgatiten”, ka deklaruar deputeti i VV-së, Agon Batusha, për gazetën “Bota sot”.
Ndryshe, Raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola von Cramon, është ajo që vazhdimisht ka bërë thirrje ndaj BE-së për liberalizim të vizave për qytetarët e Kosovës dhe po ashtu ka kritikuar Francën për qëndrimin kundër në këtë çështje.