Sindikatat e sektorit publik në Kosovë kanë kërkuar nga qeveria Kurti rritjen e pagave në të kundërtën kërcënojnë me protesta dhe ndërprerje të punës.
Madje, Federata e Sindikatave të Shëndetësisë së Kosovës ka paralajmëruar se do të presin deri më datë 15 dhjetor lidhur me kërkesat e tyre për Ligjin e Pagave dhe më pas do të ndërmarrin veprime të organizuara sindikale.
Këto masa radikale përfshijnë ndërprerjen e punës në të gjitha institucionet publike të Kosovës.
Gazeta ka kontaktuar Qeverinë e Kosovës nëse kanë marr një vendim ose si do të veprojnë karshi kërkesave të sindikatave, mirëpo ata nuk kanë dhënë ndonjë përgjigje.
Megjithatë njohësit e çështjeve në vend kanë vlerësuar këto kërkesa të sindikatave në këtë situatë me pandeminë në Kosovë.
Ahmeti: Është bërë pak “pazar”, kush ka pasur përfaqësues në grup punues ka përfituar, e kush jo është dëmtuar
Kështu, eksperti i ekonomisë, Bardh Ahmeti në një prononcim për ‘Bota sot’, thotë se këto përplasje në mes të Qeverisë dhe sindikatave kanë disa arsye, e njëra nga to ka të bëjë me Ligjin e Pagave.
Bardh Ahmeti
“I gjithë ky debat mes sindikatave dhe Qeverisë, buron nga neglizhenca dhe ndërhyrjet e vazhdueshme që janë bërë në Ligjin e Pagave. Gjatë hartimit të tij, ka kategori që janë nënvlerësuar dhe ka të tilla që janë mbi-vlerësuar. Në faza të caktuara, është bërë pak “pazar”, kush ka pasur përfaqësues në grup punues ka përfituar, e kush jo është dëmtuar”, vlerëson ai.
Ahmeti thotë se hartuesit e këtij ligji, duhet t’i kenë parasysh ato kuadro profesionale të cilat dita ditës janë në mungesë, po largohen nga vendi ynë, si dhe po kërkohen nga vendet e BE-së, si dhe në të njëjtën kohë ata, të cilët pavarësisht kushteve më të mira se vendet e rajonit, nuk është se kanë treguar rezultate.
“Ky debat, vjen edhe si rezultat i mos funksionimit të Këshillit Nacional për Dialog Social. Në kushte normale këto do të zgjidheshin aty. Mbi të gjitha, për orientimin tim ekonomik, ky debat shkon në dëm dhe në kurriz të sektorit privat, kontribuuesit kryesor të buxhetit të shtetit. Përderisa, orientimi kryesor zhvillimor do të duhej të ishte forcimi i sektorit privat, si derivat i zhvillimit ekonomik dhe rritjes së mirëqenies socio-ekonomike në vend, të gjitha energjitë harxhohen për punësimet në sektorin publik”, vlerëson ai.
Po ashtu, Ahmeti thotë se rritja e pagave nuk është përcjellë njëjtë si në sektorin publik ashtu edhe në atë privat. Sipas tij, detyra e sindikatave është avokimi i të drejtave të anëtarëve të tyre, ndërsa roli i qeverisë, leximi i drejtë i kërkesave të tyre.
“Ndër vite, rritja e pagave në sektorin publik, nuk është përcjellur edhe në sektorin privat. Këtë e dëshmon edhe niveli i pagës mesatare në vend, mes asaj publike dhe private. Në detyrën e sindikatave është avokimi për të drejtat e anëtarëve të tyre, ndërkohë në të drejtën e Qeverisë është leximi i drejtë i kërkesave të tyre dhe treguesve kryesor makro-ekonomik në vend, duke përcjellur trendin e zhvillimit ekonomik në vend, inflacionin, stabilitetin financiar të vendit, si dhe bazuar në trendet e rajonit, të punohet në drejtimin e zhvillimit të gjithmbarshëm socio-ekonomik të vendit, duke mos përjashtuar as sektorin privat”, thotë ai.
Tutje, Ahmeti thotë për ‘Bota sot’ se, vetëm me rishikimin e ligjit të pagave do të arrihej një marrëveshje për të mënjanuar pakënaqësitë e të dyja palëve.
“Besoj, që arsyeshmëria e sindikalistëve dhe Qeverisë do të arrihej nëse do të bëhej një rishikim dhe miratim i Ligjit të Pagave, për ti mënjanuar të gjitha pakënaqësitë, mbi bazën e argumenteve, nuk besoj që asnjëra palë do t’i kontribuonte krizës sociale në vend. Askush nuk është i lumtur kur pacientët kthehen nga spitalet se punonjësit janë në grevë, e nxënësit mbeten rrugëve nga greva e mësimdhënësve”, thekson ai.
Mehmeti: Sindikalistët në fushata zgjedhore nënshkruanin marrëveshje me Kadri Veselin
Ndërkaq, njohësi i çështjeve politike, Faton Mehmeti thotë për ‘Bota sot’ se, problemi i përplasjes së sindikatave me qeverinë është se, ata janë njerëz të afërt me PDK-në.
Faton Mehmeti
“Krerët aktual të sindikatave janë njerëz të afërt të PDK-së, kjo gjë dëshmohet shumë qartë kur në fushata zgjedhore nënshkruanin marrëveshje me Kadri Veselin, kjo gjë kërkund në botë nuk ndodh me këto veprime ata i bënin favor PDK-së duke e paraqitur si të vetmen që iu mundëson rritjen e pagave, për këtë gjë është inatosur Kurti”, thekson Mehmeti.
Tutje, ai thotë se, pavarësisht kësaj, Kurti duhet të jetë shumë i vëmendshëm në reagimet e tij.
“Janë këto sindikta që mund të bllokojnë shtetin brenda 24 orëve, këtë gjë duhet ta dijë Albini shumë mirë. Në parim, edhe unë pajtohem se duhet të ketë ndryshime edhe në sindikata, një gjë të tillë nuk duhet ta thotë një kryeministër, pavarësisht dëshirës. Një kryeministër zgjidhet për të bashkëpunuar me të gjithë, edhe me ata që nuk i ka në qejf, s’mund t'i zgjedh të gjithë njerëzit që i pëlqejnë Albinit. Në parim, Albini ka të drejtë për ndryshim, por të ketë kujdes, sindikatat mund të rrëzojnë ҫdo qeveri”, vlerëson analisti Mehmeti.