Kryeministri Albin Kurti gjatë vizitës në Bruksel, në takim me media pati përplasje me Josip Borellin, Përfaqësuesin e Lartë të BE-së, për shkak të asociacionit.
Kryeministri Kurti ishte në Bruksel këtë javë ku mori pjesë në takimin e katërt të Këshillit të Stabilizimit dhe Asocimit (MSA).
Përfaqësuesi i BE-së, kërkoi që kjo marrëveshje të zbatohet nga ana e Kosovës, ashtu siç është nënshkruar në Bruksel, edhe pse vetë ajo e parashihte që të shqyrtohej nga Gjykata Kushtetuese.
Në anën tjetër, kryeministri Kurti iu përgjigj duke i thënë se kjo marrëveshje e nënshkruar në Bruksel nuk e ka kaluar testin e Gjykatës Kushtetuese.
Kryeministri Albin Kurti gjatë vizitës në Bruksel, në takim me media pati përplasje me Josip Borellin, Përfaqësuesin e Lartë të BE-së, për shkak të asociacionit.
Kryeministri Kurti ishte në Bruksel këtë javë ku mori pjesë në takimin e katërt të Këshillit të Stabilizimit dhe Asocimit (MSA).
Përfaqësuesi i BE-së, kërkoi që kjo marrëveshje të zbatohet nga ana e Kosovës, ashtu siç është nënshkruar në Bruksel, edhe pse vetë ajo e parashihte që të shqyrtohej nga Gjykata Kushtetuese.
Në anën tjetër, kryeministri Kurti iu përgjigj duke i thënë se kjo marrëveshje e nënshkruar në Bruksel nuk e ka kaluar testin e Gjykatës Kushtetuese.
“Janë 33 marrëveshje mes Kosovës dhe Serbisë. Dy të tretat e tyre nuk janë zbatuar nga Serbia, por gjithmonë, Serbia kërkon zbatimin e vetëm një prej saj, e cila nuk e ka kaluar testin e Gjykatës Kushtetuese. E mbaj mend më 23 dhjetor 2015 kur vendimi i Gjykatës Kushtetuese është bërë publik, asnjë serb i Kosovës nuk kishte protestuar, vetëm Beogradi”, deklaroi Kurti.
Debati vazhdoi edhe më tej. Borrell u shpreh se nuk pajtohet me këtë qëndrim të Kurtit.
“Kurti në situatë të vështirë”
Lidhur me këtë çështje, analisti politik, Skënder Mulliqi, në një prononcim për “Bota sot”, ka deklaruar se marrëveshjet e nënshkruara nga ish pushtetarët e kanë sjellë Qeverinë aktuale në situatë të vështirë.
“Gabimet që janë bërë në të kaluarën me nënshkrimin e disa marrëveshjeve, siç është edhe asociacioni i komunave me shumicë serbe, këtë qeveri dhe Kurtin e kanë pru në një situatë të vështirë. Nuk ka mundësi kur jemi te kjo temë mos të theksojmë se firmosja e saj në Bruksel në vitin 2013 dhe në vitin 2015, me kompetenca ekzekutive, e ratifikuar në Kuvend është duke na sjellë para aktit të kryer”, ka vlerësuar ai.
Po ashtu, ai e vlerësoi edhe takimin e Kurtit me Borell-in, që sipas tij gjatë debatit të tyre janë shpërfaqur dallimet e mëdha politike të Kosovës dhe të BE-së lidhur me asociacionin.
“Edhe takimi i fundit shfaqi atë se BE-ja pikërisht këtë variant të asociacionit me kompetenca ekzekutive po mendonin ta realizonin. Këtë e tha Borelli në takim me Kurtin në Bruksel, edhe pse Kryeministri ynë e kundërshton fortë një ide të tillë. Kjo përplasje ndërmjet Kurtit dhe Borrellit para mediave ka shpërfaqur dallimet e mëdha politike të Kosovës dhe të BE-së lidhur me këtë temë. Dihet mirëfilli se autonomia territoriale sjellë edhe një republikë serbe të re, por tani në Kosovë. Formimi i një asociacioni të tillë zor është të refuzohet nga Kosova, nëse për këtë gjë dakordohet edhe Amerika që nuk duam të besojmë. Do të ishte padrejtësi e madhe ndaj një shteti të vogël siç është Kosova dhe ndaj shqiptarëve në përgjithësi”, ka thënë ai.
Më tej, Mulliqi ka përmendur edhe kërcënimet që i vijnë Kosovës nga ana e Rusisë dhe Serbisë.
“Problemi është se Serbia dhe Rusia janë duke na kërcënuar me luftë, që pikërisht asociacionin ta bëjnë faktik, dhe nuk do të ndalen vetëm me kaq. Ne, mund të mashtrohemi ose të mashtrojmë veten se Serbia dhe Rusia do të ndalen në hegjemonitë e tyre karshi tokave shqiptare. Unë temën e asociacionit e shoh më shumë si problem politik, se sa si problem juridik siç po e shohin disa”, ka vlerësuar ai.
Mulliqi ka treguar se cili është problemi që ka të bëjë me asociacionin.
“Nuk është problemi te Kurti apo te dikush tjetër në këtë rast, problemi është se ne duhet të bëhemi unik, që mos të pranojmë diçka që është jashtë kushtetuese. Ky asociacion na erdh si produkt i planit të pa menduar mirë të decentralizmit të pushtetit lokal, e më vonë është ardhur edhe si produkt i Gjashtë Pikave të Ban Kimunit. Ky zinxhirë i keq politik të shprehem ashtu vazhdoi me nënshkrimet e Thaçit dhe Mustafës”, është shprehur ai.
Gjithashtu, Mulliqi ka treguar se çfarë do të bëhej në qoftë se SHBA-ja do të kërkonte që ky variant i asociacionit të implementohej nga Qeveria Kurti.
“Vërtetë Kosova ka ardhur para një sfide më të madhe, për mu të pas luftës, lidhur me temën e Asociacionit. Nëse edhe Amerika kërkon që ky variant i asociacionit të implementohet, Kurti dhe Kosova do të vihen në sprovë shumë të madhe politike. Një tretman të tillë të cilën e ka minoriteti serb në Kosovë, nuk e ka asnjë minoritet tjetër në botë. Bashkësia ndërkombëtare nuk ishte dashur të marrin parasysh thëniet e udhëheqësisë së Serbisë, “se shqiptarëve po ju takojnë të gjitha, e neve asgjë”. Kjo është logjikë fashite e lansuar nga Tadiqi, dhe e cila po vazhdon edhe sot, kur dihet se Serbia i ka zgjeruar territoret e veta, me tokat e huaja dhe të shqiptarëve”, ka deklaruar Mulliqi për “Bota sot”.
Maxharraj: Borrell nuk është arbitër në dialog
Profesori Binak Maxharraj, në një bashkëbisedim për “Bota sot” , thotë se Borrelli nuk ka të drejtë që të përzihet në çështjen e dialogut.
“Joe Borrell nuk është arbitër në dialog, është vetëm ndërmjetësues i BE-së, ai nuk ka të drejtë të përzihet në ”punët e brendshme të dialogut”, nuk guxon të bëjë presion e as të imponojë diçka, ka thënë ai.
Gjithashtu, profesori ka përmendur edhe kërkesën e Borrell-it që ia bëri Kurtit në Bruksël.
“Josip Borrelli në Bruksel u takua me kryeministrin e Kosovës Albin Kurtin për nisjen e dialogut në nivel të lartë duke ia bërë me dije Kurtit se është radha të bisedohet rreth formimit të asociacionit të komunave me shumicë serbe”, ka theksuar ai.
Më tej, profesori shprehet se Borrell e kërcënoi kryeministrin Kurti për themelimin e asociacionit.
“Asociacioni këto ditë edhe filloi përplasja e ashpër midis ndërmjetësuesit të BE-së Josip Borrellit dhe kryeministrit Albin Kurti, gati se duke e kërcënuar se Kosova e ka obligim ndërkombëtar të themelojë asociacionin, pasi që është nënshkruar dhe fuqizuar nga Parlamenti i Kosovës, por jo edhe nga Parlamenti i Serbisë që e bënë që kjo marrëveshje për asociacionin të mos këtë vlerë ndërkombëtare”, ka theksuar ai.
Gjithashtu, profesori ka shtuar se sjella e Borrell-it ishte e vrazhdë dhe arbitrare në takimin e fundit me kryeministrin e Kosovës.
“Kryeministri i Kosovës Albin Kurti duke e parë se është një njeri stabil, që nuk është i shantazhuar, sikur Thaçi e Mustafa, është kategorikisht kundër themelimit të asociacionit një etnik me kompetenca ekzekutive. Por, është shumë e çuditshme sjellja e vrazhdë dhe arbitrare e Josip Borrellit në takimin e fundit me Kurtin. Borrelli po del jashtë kompetencave të veta si ndërmjetësues i BE-së, duke e marr rolin e arbitrit dhe shkopin në dorë, bile edhe me kërcënime që asociacion të themelohet ashtu siç e dëshiron Serbia në dëm të Kosovës. Dihet qartë se ky njeri është një serbofil, ashtu siç është edhe Lajçaku, janë kryesisht në shërbim të Serbisë, ashtu siç ishte edhe Mogherini më parë, i mbrojnë interesat e Serbisë, ani pse në dialog duhet të jenë të paanshëm”, ka deklaruar ai.
Në fund, profesori ka thënë se përfaqësuesit e BE-së nuk kanë të drejtë që ta detyrojnë dhe të ushtrojnë presion ndaj Kosovës për themelimin e Asociacionit.
“As Borrelli e as Lajçaku nuk kanë të drejtë të merren me “punët e djallit” në dialog, nuk kanë të drejtë të përzihen “në punët e brendshme” të dialogut. Ata janë veç se ndërmjetësues, kurrsesi urdhërues, nuk kanë të drejtë të detyrojnë e aq më pak të ushtrojnë presion ndaj Kosovës për themelimin e asociacionit një etnik me kompetenca ekzekutive, i cili doli antikushtetues, dhe çdo marrëveshje qoftë ajo edhe ndërkombëtare nuk e ka fuqinë e ekzekutimit, nëse është në kundërshtim me Kushtetutën e vendit. Apo si theksojnë mendjet e ndritura të Amerikës si Daniel Server, David Fhilip se Kosova nuk duhet të nënshkruajë asnjë marrëveshje nëse ajo është në kundërshtim me intersat e saj, edhe nëse Amerika e kërkon”, ka përfunduar Maxharraj për “Bota sot”.