Marrëveshjet e nënshkruar nga pala e Kosovës vite më parë po dalin të jenë problem tani.
Çështja e asociacionit të komunave me shumicë serbe, është një çështje mjaftë delikate për Kosovën.
Kjo marrëveshje e nënshkruar vite më parë, si duket e sjellë kryeministrin e Kosovës, Albin Kurtin në situatë të vështirë.
Analisti politik, Skënder Mulliqi, në një prononcim për “Bota sot”, ka deklaruar se marrëveshjet e nënshkruara nga ish pushtetarët e kanë sjellë Qeverinë aktuale në situatë të vështirë.
“Gabimet që janë bërë në të kaluarën me nënshkrimin e disa marrëveshjeve, siç është edhe asociacioni i komunave me shumicë serbe, këtë qeveri dhe Kurtin e kanë pru në një situatë të vështirë. Nuk ka mundësi kur jemi te kjo temë mos të theksojmë se firmosja e saj në Bruksel në vitin 2013 dhe në vitin 2015, me kompetenca ekzekutive, e ratifikuar në Kuvend është duke na sjellë para aktit të kryer”, ka vlerësuar ai.
Po ashtu, ai e vlerësoi edhe takimin e Kurtit me Borell-in, që sipas tij gjatë debatit të tyre janë shpërfaqur dallimet e mëdha politike të Kosovës dhe të BE-së lidhur me asociacionin.
“Edhe takimi i fundit shfaqi atë se BE-ja pikërisht këtë variant të asociacionit me kompetenca ekzekutive po mendonin ta realizonin. Këtë e tha Borelli në takim me Kurtin në Bruksel, edhe pse Kryeministri ynë e kundërshton fortë një ide të tillë. Kjo përplasje ndërmjet Kurtit dhe Borrellit para mediave ka shpërfaqur dallimet e mëdha politike të Kosovës dhe të BE-së lidhur me këtë temë. Dihet mirëfilli se autonomia territoriale sjellë edhe një republikë serbe të re, por tani në Kosovë. Formimi i një asociacioni të tillë zor është të refuzohet nga Kosova, nëse për këtë gjë dakordohet edhe Amerika që nuk duam të besojmë. Do të ishte padrejtësi e madhe ndaj një shteti të vogël siç është Kosova dhe ndaj shqiptarëve në përgjithësi”, ka thënë ai.
Më tej, Mulliqi ka përmendur edhe kërcënimet që i vijnë Kosovës nga ana e Rusisë dhe Serbisë.
“Problemi është se Serbia dhe Rusia janë duke na kërcënuar me luftë, që pikërisht asociacionin ta bëjnë faktik, dhe nuk do të ndalen vetëm me kaq. Ne, mund të mashtrohemi ose të mashtrojmë veten se Serbia dhe Rusia do të ndalen në hegjemonitë e tyre karshi tokave shqiptare. Unë temën e asociacionit e shoh më shumë si problem politik, se sa si problem juridik siç po e shohin disa”, ka vlerësuar ai.
Mulliqi ka treguar se cili është problemi që ka të bëjë me asociacionin.
“Nuk është problemi te Kurti apo te dikush tjetër në këtë rast, problemi është se ne duhet të bëhemi unik, që mos të pranojmë diçka që është jashtë kushtetuese. Ky asociacion na erdh si produkt i planit të pa menduar mirë të decentralizmit të pushtetit lokal, e më vonë është ardhur edhe si produkt i Gjashtë Pikave të Ban Kimunit. Ky zinxhirë i keq politik të shprehem ashtu vazhdoi me nënshkrimet e Thaçit dhe Mustafës”, është shprehur ai.
Gjithashtu, Mulliqi ka treguar se çfarë do të bëhej në qoftë se SHBA-ja do të kërkonte që ky variant i asociacionit të implementohej nga Qeveria Kurti.
“Vërtetë Kosova ka ardhur para një sfide më të madhe, për mu të pas luftës, lidhur me temën e Asociacionit. Nëse edhe Amerika kërkon që ky variant i asociacionit të implementohet, Kurti dhe Kosova do të vihen në sprovë shumë të madhe politike. Një tretman të tillë të cilën e ka minoriteti serb në Kosovë, nuk e ka asnjë minoritet tjetër në botë. Bashkësia ndërkombëtare nuk ishte dashur të marrin parasysh thëniet e udhëheqësisë së Serbisë, “se shqiptarëve po ju takojnë të gjitha, e neve asgjë”. Kjo është logjikë fashite e lansuar nga Tadiqi, dhe e cila po vazhdon edhe sot, kur dihet se Serbia i ka zgjeruar territoret e veta, me tokat e huaja dhe të shqiptarëve”, ka deklaruar Mulliqi për “Bota sot”.