Gjatë ditës së sotme zëdhënësi i Prokurorisë Themelore të Pejës, Shkodran Nikçi, ka njoftuar se në seancën e sotme dëgjimore për vrasjen e tre personave dhe lëndimin e një tjetri në fshatin Gllogjan të Deçanit, prokurorja e rastit ka kërkuar caktimin e masës së paraburgimit për tre personat e ndaluar.
“Prokurorja e çështjes brenda afatit ligjor ka parashtruar kërkesën e caktimit të masës së paraburgimit dhe këtë kërkesë e ka elaboruar sot në seancën e procedurës paraprake dhe shpresojmë që gjyqtari të marrë vendim lidhur me këtë kërkesë”, ka thënë ai para mediave.
Ndërsa Gjykata Themelore në Pejë ka caktuar masën e paraburgimit ndaj të pandehurve H.M, K.M dhe M.M për veprat penale “vrasje e rëndë” dhe “armëmbajtje pa leje”, të cilët u ndaluan lidhur me vrasjen e trefishtë që ndodhi në Gllogjan të Deçanit.
Të pandehuve iu është caktuar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej 30 ditësh pasi që gjykata vlerësoi se ekziston dyshimi se të njëjtit i kanë kryer veprat penale për të cilat dyshohen.
Në lidhje kohëzgjatjen e paraburgimit në një prononcim për “Bota sot”, ka folur juristi Blerim Burjnai i cili u shpreh se varet shumë prej rastit dhe kompleksitetit për të shqiptuar masën.
“Për këtë vendos Gjykata, paraburgimi poashtu është masë që caktohet po sikur kohëzgjatja e paraburgimit, varet shumë prej rastit dhe kompleksitetit”, u shpreh ai.
Ndërsa më tej juristi thotë që paraburgimi mund të zgjasë deri në 2 vjet dhe se paraburgimi llogaritet burg pas shqiptimit të dënimit.
“Deri në 2 vjetë e e disa raste dhe më shumë, paraburigimi llogartet burg pas shqiptimit të dënimit. Pra varet shumë nga rasti dhe mënyra e kompleksitetit që ndodh në disa raste”, përfundoi Burjani për “Bota sot”.