Qytetarët e Kosovës vazhdojnë të mos kenë liberalizim të vizave.
Pavarësisht se Kosova thuhet të ketë përmbushur kriteret e vendosura, BE ende nuk liberalizon vizat.
E kjo vlerësohet si padrejtësi nga ana e Bashkimit Evropian, që mban ende të izoluar popullin e Kosovës.
Kështu mendon edhe deputetja e LDK-së, njëherësh kryetare e Komisionit për Integrime Evropiane, Rrezarta Krasniqi.
Duke folur për këtë temë për gazetën “Bota sot”, ajo ka thënë se Kosova i ka plotësuar të gjitha kriteret për liberalizimin e vizave.
“E kam thënë edhe më herët dhe po e ritheksoj prapë, qytetarët e vendit padrejtësisht po mbahen të izoluar në mungesë të liberalizimit të vizave. Kosova i ka plotësuar të gjitha kushtet dhe kriteret e parapara për liberalizimin e vizave”, është shprehur ajo.
Se çfarë po bëhet në këtë drejtim, Krasniqi ka thënë se nga Qeveria Kurti nuk kanë parë ndonjë strategji të lobimit për të sjellë njohje apo anëtarësim në organizata ndërkombëtare.
“Ne jemi në përfundim të këtij viti dhe ende nuk kemi parë ndonjë strategji të lobimit nga ana e qeverisë Kurtit, qoftë për të siguruar njohje të reja apo anëtarësimin e vendit në organizata ndërkombëtare. Kjo qeveri është pa plan dhe ide për të faktorizuar vendin ndërkombëtarisht”, ka vlerësuar deputetja.
Por, kur mund të marrë fund padrejtësia e BE-së ndaj Kosovës dhe të kemi liberalizim të vizave?
Ajo thekson se BE duhet sa më shpejt t’i jap fund padrejtësisë së izolimit të qytetarë të Kosovës dhe sa më shpejt që bëhet kjo, është më mirë.
“BE sa ma herët që të vendos për liberalizmin e vizave për Kosovën, është më mirë për qytetarët e vendit më pro-evropian dhe më liberal. BE duhet t’i jap fund padrejtësisë së izolimit të qytetarëve tanë”, ka deklaruar Rrezarta Krasniqi për gazetën “Bota sot”.