Deputeti i VV-së tregon kur pritet liberalizimi i vizave për Kosovën

Politika

Deputeti i VV-së tregon kur pritet liberalizimi i vizave për Kosovën

Nga: G.B Më: 14 dhjetor 2021 Në ora: 16:55
Agon Batusha

Izolimi i qytetarëve të Kosovës nga ana e BE-së për shkak të mos liberalizimit të vizave po vazhdon.

E këtë deputeti i VV-së, Agon Batusha e vlerëson si mbyllje në kafaz të qytetarëve.

Duke folur për liberalizimin e vizave për Kosovën, për gazetën “Bota sot” ai tha se të gjitha kriteret e caktuara janë plotësuar.

“E vërteta është që Kosova, gjegjësisht qytetarët tanë, janë mbetur të vetmit shtetas që janë të mbyllur në një kafaz nga BE-ja. Përderisa liberalizimin e vizave nga ana e BE-së e kanë shumë shtete edhe jashtë kontinentit gjeografik evropian, nuk ka kuptim që një shtet që është në zemër të Evropës të mbetet i izoluar. Të gjitha kriteret që na janë caktuar nga organet e BE-së, ne i kemi plotësuar, madje edhe përtej tyre sepse shtetet përreth nesh kanë pas më pak kritere se ne. Por, problemet që kanë dalë me shtetet që kanë marrë liberalizim të vizave, janë përmirësuar duke na vënë gjithnjë e më shumë kritere vendeve që kanë marrë liberalizimin më vonë, e sidomos neve që kemi mbetur të fundit”, është shprehur ai.

Batusha, i cili është anëtar i Komisionit për Integrime Evropiane, vlerëson se kjo çështje tashmë është shndërruar më shumë në politike se sa teknike pasi ka vende që po na kushtëzojnë, ndërsa që çështjen e 5 vendeve që nuk e kanë njohur Kosovën ai e sheh më shumë problem të BE-së se sa tonin.

“Kjo tanimë është shndërruar më shumë në çështje politike se sa teknike (kriteret) sepse janë disa vende të cilat po kushtëzojnë edhe më tutje votën pro liberalizimit, si: Franca, Holanda dhe disa shtete pak më skeptike. Shtoja kësaj që kemi marrë dritën e gjelbër për liberalizim nga Komisioni Evropian i cili është organi mbikëqyrës për plotësimin e kritereve, e po ashtu është votuar edhe në Parlamentin Evropian që të liberalizohen vizat për qytetarët e Kosovës. Ndërsa çështja e pesë vendeve që nuk e njohin Kosovën, është çështje më e ndërlikuar dhe është çështje më shumë e BE-së se sa që duhet të jetë shqetësim i yni. Por, në këtë 5-ëshe ka lëvizje pozitive, madje edhe mbështetëse sa i përket liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës. Gjithsesi edhe për këto 5 vende ka metoda të ndryshme brenda institucioneve të BE-së që mund të mundësojnë lëvizjet pozitive për liberalizim, por prapë kjo është çështje e brendshme e BE-së”, ka theksuar deputeti.

Se çfarë po bëhet nga Kosova për t’i bindur edhe vendet kundër që ta përkrahin Kosovën për liberalizimin e vizave, ai thotë se po adresohen kërkesat shtesë të vendeve skeptike, në veçanti të Holandës dhe Francës, derisa përmend punën e MPB në shkatërrimin e mbi 30 grupeve kriminale muajve të fundit.

“Kosova ka kryer të gjitha detyrat e saja sa i përket përmbushjes së kritereve. Kërkesat shtesë të disa vendeve skeptike, ne jemi duke i adresuar dhe çdo ditë shohim avancim drejt përmbushjes së kërkesave. Kryesisht shqetësimet e tyre, e në veçanti të Francës dhe Holandës, janë lufta ndaj krimit të organizuar dhe korrupsionit, gjë që përmes organeve shtetërore po përpiqemi në afat rekord që t`i adresojmë. Këtu mund ta theksojmë punën e Ministrisë së Punëve të Brendshme në shkatërrimin e mbi 30 grupeve kriminale vetëm gjatë këtyre 6 muajve të fundit dhe avancimin e kornizës ligjore për Vetting në drejtësi gjë që do mundësoj avancimin e sistemit të drejtësisë. Për gjitha këto të arritura në baza të rregullta informohen ambasadat e vendeve anëtare të BE-së dhe ka lëvizje pozitive nga këto shtete, që dal nga dal po bëhen shtete mbështetëse për liberalizim të vizave”, ka potencuar Batusha.

Shpresat për liberalizimin të vizave në vitin 2022

Ai shpreson se çështja e liberalizimit të vizave të hyjë në agjendën e Këshillin në vitin 2022 dhe do të votohet pozitivisht por shton se duhet vazhduar me punët e mira dhe duhet pasur parasysh sfidat që vijnë pas liberalizimit dhe për të cilat duhet të përgatitemi.

“Ne po shpresojmë që çështja e liberalizimit të vizave për Kosovën të hyjë në agjendën e Këshillit në vitin që po pason, me besimin e plot që në rast se hynë në agjendë të vendimmarrjes, atëherë do të votohet pozitivisht për ne. Gjithsesi ne nuk bën të vetëkënaqemi, por duhet të vazhdojmë me punët e mira që po i bëjmë si mazhorancë dhe si qeveri, e po ashtu duhet të kemi parasysh që sfidat më të mëdha janë pas liberalizimit të vizave e për të cilat institucionet tona dhe qytetarët mbi gjitha, duhet të përgatiten”, ka deklaruar deputeti i VV-së, Agon Batusha, për gazetën “Bota sot”.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat