Regjimi i Millosheviçit, që kur me tanke, ushtri dhe polici ia suprimoi autonominë Kosovës, nuk ka pushuar për asnjë çast, në çdo institucion ku i vendosi masat e dhunshme, (dhe ato ishin vendosur kudo, sepse ishte një regjim ende soacialist, i dominuar nga prona ‘shoqërore’, fabrikat etj.), të nxjerrë vendime dëmtuese, diskriminuese, shtypëse për shqiptarët.
Një vendim i paligjshëm është nxjerrë edhe nga udhëheqësit e masave të dhunshme të Universitetit të Prishtinës, me të cilin i janë falur rreth katër hektarë tokë Kishës Ortodokse Serbe, e cila nën politikat asimiluese, diskriminuese dhe poshtëruese për shqiptarët, e filloi ndërtimin e një kishe në oborrin e UP-së, objekt që mbet i papërfunduar.
Çështja e kësaj kishe për herë të dytë është dërguar në gjykatë nga drejtues të Universitetit publik të Prishtinës, që tashmë quhet “Hasan Prishtina”. Herën e parë çështjen e rrëzoi gjykata në vitin 2015, sepse autoritetet e UP-së, nuk kishin shkuar ta mbronin rastin.
Edhe në procesin e dytë sipas burimeve nga UP, mbrojtësi i çështjes, nuk është në nivelin e duhur, veçmas për shkak të ndjeshmërisë së rastit.
Lidhur me atë se a duhet Kosova që ta nxjerrë një ligj të veçantë që t'i shpallë të paligjshme, jo vetëm ligjet diskriminuese, por edhe vendimet dhe aktet tjera diskriminuese nga institucione jo legjitime, për “Bota sot”, ka folur juristi Muhamet Kelmendi.

“Kuvendi kërkohet me vendim t’i shpallë nul tërë normat juridike e ekonomike të kohës para çlirimit. Populli i Kosovës ka qenë i pushtuar nga okupatori serbomadh dhe ai jugosllav. Kundër këtij pushtimi ka luftuar pa u ndalur nga viti 1878, 1912 e deri në qershor të vitit 1999, kur u larguan me dhunë nga Kosova. Nuk ka periudhë kohore që nuk është ndeshur populli shqiptar me këtë okupator gjakatar. Gjatë okupimit të viseve shqiptare okupatori serbo-jugosllav ka nxjerrë ligje të ndryshme dhe ka bërë kolonizimin e Kosovës me kolonët serbë dhe malazezë”, thotë ai.
Tutje u shpreh se në këtë mënyrë gjatë historisë u dëbuan qindra-mijëra shqiptarë jashtë vendit, eu ndërtuan kisha, u bë konfiskimi i pasurive të shqiptarëve dhe iu dhanë manastireve serbe, andaj edhe është e drejtë që Kosova t’i shpall nul të gjitha ligjet diskriminuese, edhe të asaj kohe madje.
“Me këto mënyra u krijuan qendrat e ndryshme të banimit në Kosovë. U kolonizuan tokat dhe rajonet më pjellore. U dëbuan me qindra e me mijëra shqiptarë jashtë vendit, në Turqi etj. Edhe në kohën e fundit u nxorën ligje, vendime dhe u morën masa kolonizuese. U ndërtuan shumë kisha dhe iu konfiskua pasuria shtetërore dhe ajo publike. Ato iu dhanë manastireve dhe kolonëve serbë në Kosovë. Është plotësisht me vend (propozimi i Morinës) që shteti i Kosovës t’i shpalli nul tëra vendimet dhe ligjet para vitit 1999, qershorit të këtij viti”, shtoi Kelmendi.
“Çështja nuk zgjidhet me vazhdimin e politikës së okupatorit, që UNMIK-u e vazhdoi dhe edhe tani e bënë të njëjtën politikë në Kosovë. Republika i ka organet e shtetit. Është Kuvendi i Kosovës i dalur nga votat dhe ai kërkohet t’i shpalli nul tëra ato masa okupuese dhe të ndërtojë një shtet të së drejtës. Nuk duhet vazhduar me ligje të Serbisë dhe të ish- Jugosllavisë. Kosova është shtet dhe kërkohet ta ndërtojë atë juridiko-politikisht. Masat janë obligative”, ka përfunduar Muhamet Kelmendi.