Ministrat e Jashtëm të grupit të shtatë vendeve më të industrializuara në botë i bënë thirrje Rusisë që të de-përshkallëzojë krizën në kufirin me Ukrainën, duke thënë se Moska mund të presë pasoja të mëdha dhe një goditje të rëndë për ekonominë nëse shkon në ofensivë.
Shtetet të cilat bëjnë pjesë në G7 janë: SHBA-ja, Kanadaja, Franca, Gjermania, Japonia, Britania dhe Italia.
SHBA madje e ka paralajmëruar Rusinë për sanksione të thella ekonomike.
Por, a mund të ketë kjo situatë pasoja edhe për Kosovën?
Armend Halimi nga Instituti për Studime të Sigurisë (ISS), në një prononcim për “Bota sot”, ka deklaruar se me përfundimin e Luftës së Ftohtë edhe rendi botëror ka ndryshuar, por që rendin e ri global e dominon Amerika.
“Me përfundimin e luftës së ftohtë, dihet mirë se ka ndryshuar edhe rendi botëror, në këtë drejtim edhe është ndërtuar sistem i ri i sigurisë globale por edhe evropiane. Në rrafshin global rendin e ri global e dominon Amerika, për dallim të sistemit bipolar që përbënte paralelisht blloku sovjetik apo komunist”, shprehet ai.
Sipas tij, Rusia mbete fuqi vetanake sepse ajo i ka larguar vendet socialiste duke u përqëndruar kah perëndimi dhe për këtë NATO është prej atyre organizatave garantuese e sigurisë për vendet anëtare
“Rënia e sistemit sovjetik, bëri që shteti rus thuajse të mbetet në fuqi vetanake duke iu larguar vendet socialiste, ku këto të fundit kanë marr orientim perëndimor me integrimin në organizata dhe aleanca me orientim demokratik. NATO është një prej këtyre organizatave si ombrellë dhe garantuese e sigurisë për vendet anëtare, e cila është lidhja më e fort euroatlantike, duke qenë njëherit prijëse e saj shteti më i fuqishëm në botë, Amerika. Andaj, karshi këtij organizimi, Rusia e ka parasysh sfidën, që e bën dukshëm më të madhe sesa në raportet apo përballjen e më hershme”, deklaron ai.
Në fund, Halimi thotë se gjasat për një konflikt të Rusisë bllokut euroatlantik janë të vogla.
Ai shton që nëse vendet e mëdha rreshtohen kah Rusia duke kundërshtuar Amerikën, atëherë siguria do të ndikohej në çdo vend, madje edhe në Kosovë.
“Në këto rrethana, gjasat për një konflikt real mes Rusisë bllokut euroatlantik sa do që acarimi është në shkallën më të lartë të mundshme që nga përfundimi i luftës së ftohtë, janë akoma më të vogla, përveç nëse nuk rreshtohen krah Rusisë vendet tjera si kundërshtare të Amerikës dhe perëndimit, çka do të rriste potencialin ofenziv të Rusisë. Në këto zhvillime sigurisht që siguria do të ndikohej në çdo vend pothuajse të botës, e sidomos vendeve anëtare të aleancave, në këtë rast edhe Kosovës”, përfundon Halimi për “Bota sot”.