Kryeministri Albin Kurti, ka kërkuar nga Ramush Haradinaj që t’i kthejë 200 hektarët që Ramush Haradinaj i kishte privatizuar, dhe në këmbim të saj, Haradinajt do t’i kthehen 70 mije eurot.
"Këta janë lot krokodili, prandaj këta pronarë të mëdhenj të tokave nuk janë as të sinqertë e as seriozë. Konkretisht meqë mu dha propozimi që ministrat e mi t’i çoj te KEK-u e të mërdhihemi, e kam një propozim tjetër, deputeti Haradinaj, le t’i kthen në shtet ata 200 hektarë, e na ia kthejmë 70 mijë euro”, ka thënë Kurti.
E Ramush Haradinaj e ka pranuar se e ka blerë tokën, për të cilën ka thënë se ka qenë e babait të tij,
“Kurti sa herë po dëshiron me u fsheh prej pa zotësisë së tij, po thotë Ramush i ke ble 200 hektarë tokë. Po është e vërtet me ligje të Kosovës, kohë të OKB-së, e kam shfrytëzuar një të drejtë ligjore, e kam rible tokën e babës dhe është në katundin tim, është në Gllogjan”, deklaroi Haradinaj.
E lidhur me përplasjen e Kurtit dhe Haradinajt, për gazetën “Bota sot” ka folur analisti politik dhe njohësi i zhvillimeve politike, Gani Qarri.
“Në fakt për më tepër se dy dekada me radhë, ashtu siç konfirmoi së fundi edhe Lista e Zezë e Departamentit të Shtetit Amerikan, bosët e kontrabandës dhe të krimit të organizuar, në kooketim të ngushtë me udhëheqësit më të lart të vendit, kanë vjedhë e plaçkitur, zhvatur e përvetësuar si dhe kanë mbajtur lidhje të rregullta dhe ndarë fitimin, me kriminelët dhe bandat e krimit të organizuar, që nga komandantët policor e udhëheqësit më të lartë partiak e politik, deri te ish presidenti dhe ish kryeministri i shtetit Kosovës”, thotë Qarri.
Sipas tij, politikanët në Kosovë e kanë blerë tokën shtetërore për përfitime milionëshe.
“Madje përveç shitjes së tokave të vendit përgjatë brezit tonë kufitar, shteteve fqinje si FYROM-it 2500 hektar dhe shtetit xhuxh të Malit të Zi, 8300 hektar tjerë, politikanët e Kosovës kanë përvetësuar dhe blerë lirë, apo edhe marrë gati tërësisht falë tokat më të vlershme gjithandej, edhe në pjesët e brendshme të vendit, në fshatra e qytete dhe buzë rrugëve kryesore e më të qarkulluara, për përfitime milionëshe, akte për të cilat, çuditërisht ata nuk janë akuzuar kurrë nga prokuroria as nuk janë thirr asnjëherë në përgjegjësi nga gjykatat dhe organet tjera përkatëse të rendit dhe të ligjit në Kosovë”, shprehet Qarri për “Bota sot”.
Qarri e quan skandaloze atë se Ramush Haradinaj e ka blerë 3.70 euro arin e tokës.
“Ndaj jo rastësisht kryeministri Kurti, sot ka kërkuar në mënyrë publike nga ish kryeministri i PAN-it, z.Ramush Haradinaj që në këmbim të 70 mije eurove, të cilat thotë se i ka paguar, nga 3.70 Euro arin e tokës, t`ia kthej shtetit, që është edhe pronari legjitim, i 200 hektarëve të tokës së privatizuar gati falas. Në anën tjetër, sado që z. Haradinaj, bënë sikur arsyetohet se 200 hektarët e tokës së përvetësuar në fshatin e tij të lindjes, i ka ri-blerë me ligje të Kosovës, në kohën kur ndoshta edhe mund të ketë qenë ish kryeministër, ligjërisht ai as atëherë, nuk ka guxuar ta favorizojë as jep benefite vetvetes dhe t`ia ul çmimin në masë të tillë marramendëse të njëjtës tok, që mund ta ketë shitur, apo edhe shes me disa mijëra euro arin e saj”, shprehet Gani Qarri.
Sipas tij, Haradinaj duhet t’ia kthejë tokën shtetit të Kosovës, duke shtuar se edhe Sami Lushtaku dhe Hashim Thaçi janë në mesin e atyre që janë të përfshirë në pazarin me toka.
“Kështu që në vend të retorikës dhe kërkesës replikative drejtuar Haradinajt që t`ia kthej 200 hektarët e privatizuar, shtetit të Kosovës si pronar legjitim dhe ti marrë 70 mijë euro, sa thotë se Haradinaj, që i ka paguar asokohe për te, kryeministri Kurti besoj ka për detyrë dhe obligim, ti inkurajojë organet e drejtësisë, që ti trajtojnë sa më parë, mënyrat dhe çmimet e përvetësimeve të tilla dhe të gjitha përvetsimeve kundërligjore. Të shqyrtohet ligjërisht dhe profesionalisht, në detaje, çfarëdo shkelje e rregullit tarifor e ligjor, si dhe ti sanksionojë shitësit dubioz dhe blerësit e dyshimtë edhe nëse emrat e tyre janë: Ramush Haradinaj, Sami Lushtaku apo edhe Hashim Thaçi me shokë, që kanë lënë nam dhe shembullin më të keq të mundshëm të pazareve me tokat e Kosovës, duke ua falë e shitur kundërligjshëm dhe kokë më vete mijëra hektar, sikur të ishin pasuri e baballarëve të tyre, edhe shteteve fqinje, pa asnjë kundër shpërblim”, thekson Qarri për “Bota sot”.
Më tej, Qarri i bën thirrje Prokurorisë që urgjentisht të nisë hetimet për privatizimin e tokave shtetërore që ka ndodhur në Kosovë.
“Prandaj Qeveria dhe as vet kryeministri Kurti, nuk duhet t’i shfrytëzoj këto raste për retorike parlamentare dhe qërim hesapesh me kundërshtarët politik në Kuvend, por për aktet e faljes së mijëra hektarëve tokë të Kosovës shteteve fqinje dhe përvetësimet personale të qindra apo mijëra hektarëve tjerë, anë e mbanë Kosovës nga politikanët e lartë dhe ish udhëheqësit e inkriminuar shtetëror, ti ftojë organet përkatëse, prokurorinë dhe gjyqësinë, që në afatin sa më të shkurtër, ti trajtojë në mënyrë ligjore mënyrat e përvetësimit dhe shqyrtojë rregullsinë e privatizimit të tyre”, deklaron Qarri.
Për fund, Qarri shprehet se Albin Kurti nuk duhet të merret me replika, por tani është koha që të veprojë.
“Edhe vet kryeministri duhet ta di, se nuk është më koha, që edhe tani, ai të merret me replika, sikur të ishte në opozitë, por zotësin e tij për rivendosjen e rendit dhe të ligjit, ashtu siç ka premtu, ta dëshmojë me veprime të shtetit ligjor dhe nëse personat e dyshuar, nga figurat më të larta politike e deri te ato më të korruptuara biznesore, nuk kthehen apo nuk arsyetohen ligjërisht përvetësimet e atyre tokave, duhet të fillojnë menjëherë hetimet, të bëhet konfiskimi i të gjitha pronave të privatizuara kundërligjshëm dhe përvetësuesit e dyshimtë të dënohen në mënyrat më të ashpra, për tu bërë shembull edhe për pretenduesit tjerë të mundshëm, në mënyrë që të mos veprojnë më kush, njëjtë as ngjashëm, tash e as në të ardhmen dhe Kosova të konfirmohet si shtet i të drejtës, ku nuk mund të qëndrojë më askush, mbi rendin dhe ligjin”, përfundon për “Bota sot”, analisti politik Gani Qarri.