“Kurti në pozitë të vështirë shkaku i Thaçit dhe Mustafës”/Tomë Gashi tregon kush do ta detyrojë Serbinë ta njohë Kosovën

Politika

“Kurti në pozitë të vështirë shkaku i Thaçit dhe Mustafës”/Tomë Gashi tregon kush do ta detyrojë Serbinë ta njohë Kosovën

Nga: G.B Më: 16 dhjetor 2021 Në ora: 10:05
Albin Kurti dhe Tomë Gashi

Dialogu me Serbinë nuk dihet se kur do të vazhdojë, derisa ende nuk ka caktim të takimit në mes të kryeministrit Kurti dhe presidentit Vuçiq.

Serbia po insiston që Kosova ta formojë Asociacionin e Komunave me shumicë serbe, për të cilin Kosova është kundër, dhe atë e ka shpallur antikushtetuese Gjykata Kushtetuese.

Presion për këtë ndaj Kosovës ka bërë së fundmi edhe Bashkimi Evropian, ku Borrell u përplas për këtë çështje me Kurtin në Bruksel.

E ky i fundit ka thënë se duhet një marrëveshje ligjërisht të obligueshme, e cila definon statusin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë duke pasur njohje reciproke.

Avokati Tomë Gashi ka folur për këtë për gazetën “Bota sot”, si dhe mundësinë e formimit të Asociacionit.

Ai vlerëson se kryeministri Kurti nuk do ta lejojë formimin e tij pasi do të ishte fillimi i fundit të shtetit.

“Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, është qartas duke deklaruar se në asnjë mënyrë nuk do të lejojë që të formohet Asociacioni për shkak se kjo do të ishte fillimi i fundit të shtetit të Kosovës. Me këtë në mënyrë direkt, kryeministri i Kosovës po e thotë se nëse Serbia vazhdon me shantazh ndaj Kosovës për të themeluar Zajednicën, kjo në asnjë variant nuk do të lejohet. Për këtë arsye, kryeministri Kurti se ka për ngut që të arrihen marrëveshje me kushte të Serbisë dhe kjo asnjëherë nuk do të ndodhë”, është shprehur ai.

Sipas Gashit, marrëveshja finale me Serbinë mund të ndodhë gjatë mandatit të presidentit Biden, derisa shton se Kurti është në pozitë të vështirë për shkak të atyre që kanë nënshkruar Thaçi dhe Mustafa.

“Sa i përket marrëveshjes përfundimtare me Serbinë, kjo ka gjasa shumë reale që të ndodhë gjatë mandatit të presidentit Joe Biden. Albin Kurti është në pozicion të vështirë sepse paraardhësit e tij në cilësitë që i kishin e që janë Hashim Thaçi dhe Isa Mustafa, të cilët kanë nënshkruar marrëveshje për Zajednicën, për ta pozicionuar Serbinë si hisedarë të Kosovës. E që fatkeqësisht këto dokumente janë marrëveshje ndërkombëtare që tani është vështirë të anulohen, por jo e pamundur”, ka theksuar avokati.

Ai ka potencuar se pritjet janë që Serbia me presion ndërkombëtar ta pranojë Kosovën si shtet të pavarur.

“Pritjet finale janë që Serbia të detyrohet me presion ndërkombëtar që ta pranojë Kosovën si shtet të pavarur, qoftë duke ja mbyllur rrugën për integrime evropiane apo thjesht me presion të SHBA-ve, të cilat janë edhe faktori kryesor i formimit të shtetit të Kosovës dhe të cilat sigurojnë stabilitet në Ballkan, qoftë me diplomaci dhe me prezencën ushtarake”, ka deklaruar avokati Tomë Gashi për gazetën “Bota sot”.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat