Komisioni i Punëve të Jashtme i Parlamentit Evropian ka miratuar raportin për krimin e organizuar në Ballkanin Perëndimor dhe nevojën që BE-ja të përshpejtojë procesin e integrimit. Në raport deputetët e Parlamentit Evropian kanë kërkuar liberalizim të vizave për Kosovën nga Këshilli i BE-së, pasi sipas tyre izolimi shton aktivitetet kriminale.
Nuk është hera e parë që deputetët e Bashkimit Evropian kërkojnë liberalizimin e vizave për Republikën e Kosovës, e pavarësisht kësaj ne vazhdojmë të mbetemi vendi më i izoluar në Ballkanin Perëndimor.
Çështja e mos-liberalizimit të vizave mbase mund të konsiderohet si temë e konsumuar, por fakti se është folur aq shumë e është bërë aq pak në këtë drejtim na shtynë të ngrisim edhe më tepër zërin, që Evropa të marr vendimin e madh.
Kosova i ka përmbushur të gjitha kriteret për liberalizimin e vizave. Çdo kusht i paraqitur nga Bashkimi Evropian është përmbushur, derisa lufta kundër krimit dhe korrupsionit po vazhdon të jetë e ashpër gjatë qeverisjes aktuale.
Edhe eurodeputetët theksojnë se lufta kundër krimit të organizuar dhe integrimi në BE janë procese reciproke përforcuese, duke i kërkuar BE-së të përshpejtojë procesin e integrimit.
“Në këtë kontekst, pasi izolimi inkurajon aktivitetet kriminale, eurodeputetët gjithashtu i bëjnë thirrje Këshillit që të miratojë liberalizimin e vizave për Kosovën pa vonesa të mëtejshme”, thuhet në raport.
Pikërisht në ditën kur deputetët e PE-së i thanë po liberalizimit të vizave për Kosovën, policia jonë ndërmori një aksion të suksesshëm sa i përket luftës kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.
Në bashkëpunim dhe koordinim me Prokurorinë Themelore në Gjilan dhe me autoritet komunale të Dardanës u godit rrjeti i kazinove ilegale në zonën e fshatit Karaqevë.
Një aksion të ngjashëm, Policia e Kosovës e kishte ndërmarr edhe në muajin tetor të këtij viti.
Aksioni kundër kontrabandës u zhvillua më 13 tetor në rajonin e Prishtinës, Pejës, Mitrovicës së Jugut dhe Mitrovicës së Veriut.
“Aksioni i Policisë dhe Doganës së Kosovës kundër kontrabandimit të mallrave është pjesë e luftës së autoriteteve të Kosovës kundër kontrabandës dhe evazionit fiskal”, do të thoshte ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla.
Ky aksion ishte mirëpritur edhe nga Aleanca veri-atlantike (NATO), pasi sipas tyre bëhej fjalë për "veprim për vendosjen e ligjit".
E javën e kaluar, “frytet” e këtij aksioni rezultuan me futjen në listën e zezë të bosëve të krimit në veri.
Autoritetet amerikane me 8 dhjetor kanë futur në listën e sanksioneve një grup të organizuar kriminal, që përbëhet prej serbëve nga Kosova: Millan Radoiçiq, Zvonko dhe Zharko Vesellinoviq, Srgjan Vulloviq, Zhelko dhe Andrija Bojiq dhe Radulle Steviq.
Në komunikatën e Departamentit amerikan të Thesarit, Zvonko Vesellinoviq identifikohet si udhëheqës i Grupit të Krimit të Organizuar dhe gjithashtu si një nga figurat më famëkeqe të korrupsionit në Kosovë.
Grupi i tij është i angazhuar në skema të mëdha të ryshfetit me zyrtarë të sigurisë, kosovarë dhe serbë, të cilët lehtësojnë trafikimin e paligjshëm të mallrave, parave, narkotikëve dhe armëve midis Kosovës dhe Serbisë, thuhet në komunikatë.
Vlen të theksohet se, nga qeveria aktuale është bërë e ditur se Policia e Kosovës ka shkatërruar 41 grupe kriminale.
Këto mund të jenë arsye dhe fakte të mjaftueshme për Bashkimin Evropian që përfundimisht t`i nxjerr nga izolimi qytetarët e Kosovës.
Lirisht mund të themi se dy aksionet e fundit janë më të rrallat të kryera nga institucionet e Kosovës që nga shpallja e pavarësisë.
Kjo ngjallë shpresën e qytetarëve se liberalizimi i vizave mund të bëhet realitet shumë më shpejt se sa që e kemi pritur!