45 civilë shqiptarë u masakruan në Reçak më 15 janar të vitit 1999 nga forcat e kasapit të Ballkanit, Slobodan Miloshoviç.
Edhe pse kanë kaluar dy dekada këto krime mbesin në memorien e të gjithë shqiptarëve. Por, kohëve të fundit, këta 45 civilë shqiptarë u “masakruan” edhe njëherë nga Serbia.
Kjo masakër çnjerëzore, që ka në ndodhur në Komunën e Shtimes po mohohet nga zyrtarët serbë.
E tillë ishte edhe deklarata e ministrit të Brendshëm të Serbisë, Aleksandar Vullin.
Por, një gjuhë e tillë sikur kjo e zyrtarëve serb duhet të dënohet. Nga Qeveria e Kosovës po kërkohet që të bëjë lëvizje në këtë aspakët. Njohësi e çështjeve juridike po kërkojnë që të propozojnë një ligj në Kuvendin e Kosovës, ku do të dënoheshin ata persona, të cilët i mbrojnë dhe mohojnë krimet makabre të kryera në Kosovë gjatë kohës së luftës.
Krasniqi: Të propozohet në Kuvend ky ligj
Njohësi i çështjeve juridike, Islam Krasniqi, në një prononcim për “Bota sot” është shprehur se Qeveria e Kosovës duhet të propozojë një ligj, i cili do t'i ndëshkojë të gjithë ata që individ të cilët, i mohojnë krimet dhe gjenocidin e Milosheviqit.
Islam Krasniqi
“Mungesa e ideve të shëndosha të Kuvendit dhe qeverisë sonë kanë mbetur shumë projektligje pa u miratuar, disa as që kanë filluar të punohen ende e që popullit tonë po i kushtojnë. Qeveria duhet t`i propozojë Kuvendi i Republikës së Kosovës miratimin e një ligji i cili do t'i ndëshkojë të gjithë ata që individ të cilët i mohojnë krimet dhe gjenocidin e Milosheviqit në Kosovë, e që më këtë ligj do të mbroheshin edhe vlerat e luftës”, ka thënë ai për “Bota sot”.
Po ashtu, ai ka shtuar se ekziston ligji që dënon edhe në mungesë të gjithë kryesit e krimeve të luftës.
“Institucionet e drejtësisë e kanë ligjin, i cili mund t'i dënojë edhe në mungesë të gjithë kryesit e krimeve të luftës, e që këtu nuk duhet t'i kursej as zyrtarët serb, të cilët i mohojnë apo edhe tallen me krimet e luftës, e që ky ligj do t`i edukonte të gjithë ata që e mohojnë të vërtetën!”, ka theksuar Krasniqi për “Bota sot”.
Mohuesit e krimeve të luftës/ Duhanaj: Të dënohen dhe të shpallen “non grata”
Ndërkaq, analisti politik, Leon Duhanaj, për “Bota sot” është shprehur se zyrtarët serbë në vend se të kërkojnë falje për krimet e bëra ata po e bëjnë të kundërtën.
“Serbia dhe përfaqësuesit e saj politik gjithandej, në vend që të pendohen dhe të kërkojnë falje për krimet makabre që kanë bërë, kanë ngritur krye dhe po e bëjnë të kundërtën.
Leon Duhanaj
Ata tashmë po shpërfaqin hapur ambiciet e tyre kërcënuese për “konflikt e gjak”, ka vlerësuar ai.
Gjithashtu, ai ka treguar se çfarë duhet të bëjë shteti ynë ndaj atyre që i mohojnë krimet në Kosovë.
“Kosova duhet të marrë masa ndaj çdo deklarate, e cila mohon krimet e tyre në Kosovë, duke i dënuar dhe shpallur nongrata në hapësirën e Kosovës”, ka thënë ai.
Më tej, ka theksuar se këto deklarata të zyrtarëve serbë nuk duhet të tejkalohen në heshtje.
“Nuk guxon në asnjë mënyrë të tejkalohen në heshtje deklaratat e tilla skandaloze, por të denoncohen zëshëm dhe nga të gjithë”, nënvizon Duhanaj.
Kelmendi: As krimet monstruoze në Raçak nuk i njohin
Muhamet Kelmendi
Profesori dhe njohësi i çështjeve juridike, Muhamet Kelmendi, ka thënë se udhëheqja e tashme e shtetit serb vjen nga koha e kriminelit Millosheviç dhe se ata po e vazhdojnë të njëjtën politikë.
“Nuk priten qëndrime pozitive dhe realobjektive nga një Qeveri serbe që është në vazhdim të qëndrimeve për Kosovën serbe.
E tërë udhëheqja e tashme e shtetit serb vjen nga koha e kriminelit Milosheviç. Të gjithë i kanë shërbyer asaj politike. Disa në udhëheqje të lartë, si Vuçiq e Daçiq, që ishin ministra në qeverinë e Millosheviçit.
Si të tillë ata qëndrojnë dhe po e vazhdojnë të njëjtën politikë”, thotë ai.
Po ashtu, ai thekson se vartësit e pushtetit të Millosheviçit nuk i njohin krimet e bëra në Kosovë, përfshirë këtu edhe Masakrën e Raçakut.
“Nuk e pranojnë dhunën dhe krimet, spastrimet e përdhunimet, dëmet e vrasjet gjenocidiale të bëra. As krimet monstruoze në Raçak nuk i njohin. Tërë dhunën gjenocidiale e injorojnë. Kështu veprojnë çdo herë kriminelët. Këtu është edhe dështimi i faktorit ndërkombëtar kundruall shtetit kriminal serb”, thotë Kelmendi për “Bota sot”.