Kohët e fundit është përmendur shumë “Rasti Kumanova” në Kuvendin e Kosovës. Deputetët pozitë-opozitë kanë kritikuar njëri-tjetrin sa i përket rastit. U desh një deklaratë e deputetes së PDK-së, Blerta Deliu Kodra, duke i quajtur terrorist pjesëmarrësit e rastit të njohur si ai i Kumanovës, që debati të merrte flakë, dhe ende nuk ka të ndalur.
Mirëpo, më pas, deputetja e PDK-së, ka thënë se nuk i ka cilësuar të burgosurit e rastit të Kumanovës në Maqedoninë e Veriut, ‘terrorist’.
Ndërsa, debati me cilësime të ngjashme, pro dhe kundër po vazhdon, institucionet e Kosovës kanë shprehur interezim zyrtarisht që të ndihmojnë që procesi të përmbyllet me zgjidhje të besueshme gjyqësore.
Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, gjatë vizitës së presidentit të Maqedonisë së veriut, i ofroi atij ndihmën e Kosovës për një hetim ndërkombëtar, të rastit. Këtë po e kërkojnë edhe të burgosurit shqiptarë atje, pasi kanë pretendimet e tyre për shkelje flagrante, dhunë ndaj tyre gjatë procesit të hetimeve.
Ngjarjet në Kumanovë çuan në rrëzimin e Gruevskit, një kryeministër proserb e prorus, pavarësisht që ai u mundua ta përdorte atë moment si fitore të tij, për ta përmbyllur çështjen shqiptare ne Maqedoni. Ky kurth u përdor kryesisht për të shtypur vullnetin e shqiptarëve, dhe për të krijuar një hegjemoni sllave.
Ndryshe, gjatë vendimit për këtë rast, shtatë pjesëtarëve të Grupit të Kumanovës iu shqiptua burg i përjetshëm, të tjerëve gjithsej 746 vjet burg, ndërkohë që vetëm katër prej tyre u liruan nga aktakuza.
Prej tyre 16 janë shtetas të Republikës së Kosovës, një është shtetas i Republikës së Shqipërisë, një është shtetas gjerman dhe të tjerët janë shqiptarë nga Maqedonia.
A mundet Kosova të ndihmojë, dhe të angazhohet që të ketë një hetim ndërkombëtar për rastin dhe për të pasur një proces të ri gjyqësor?
Shqiprim Pula: Rasti i Kumanovës mbetet ende i papërfunduar
Shqiprim Pula
Njohësit e çështjeve juridike dhe politike në vend e kanë komentuar këtë rast dhe kanë treguar nëse një gjë e tillë mund të ndodhë. Kështu, Shqiprim Pula, njohësi i së drejtës dhe çështjeve ndërkombëtare, thotë se hapësira e bashkëpunimit rajonal dhe ndërkombëtar në ҁështjet penale është e zgjeruar dhe ka krijuar mundësi të shumta, përmes kuadrit ligjor në fuqi.
“Në rastet penale, si gjatë fazave të hetimit apo gjatë proceseve gjyqësore, veçanërisht kur kërkohet bashkëpunim ndërkombëtar, bëhet e mundur përmes kërkesave të ekstradimit; kërkesave të transferimit të procedurës apo kërkesave të transferimit të të dënuarve; apo edhe zbatimit të aktgjykimeve të plotfuqishme për një proces gjyqësor dhe jo vetëm, kjo, mundësohet përmes një kornizë ligjore si brenda-kombëtar dhe atij ndërkombëtar”, vlerëson ai.
Ai thotë po ashtu se sa i përket këtij rasti, ai mbetet si me shumë të panjohura për opinionin.
“Ndërkaq, për sa i takon rastit i njohur si ‘Rasti Kumanova’ mbetet ende i papërfunduar, në vlerësim dhe shqyrtim pranë Gjykatës Supreme të Republikës së Maqedonisë së Veriut, por, për shumëkë konsiderohet rast me shumë të panjohura për opinionin publik”, thekson ai.
Njohësi i ҫështjeve ndërkombëtare thotë se, Kosova ka të drejtë të interesohet për shtetasit e saj dhe t’i ofroj mbështetjen e kërkuar.
“Megjithatë, Kosova, përkatësisht institucionet e saj kanë plotësisht të drejtë të interesohen për ata qytetarë, të cilët janë shtetas të Republikës së Kosovës, dhe të ofroj çfarëdolloj mbështetje të kërkuar institucionale. Një bashkëpunim korrekt transnacional pasqyron praktikë të mirë dhe forcon suksesin tek faktorët institucional juridik, po ashtu, përcjell porosi mbi gatishmërinë e bashkëveprimit si fqinjë të mire”, vlerëson ai për “Bota sot”.
Mulliqi: Pushteti i Gruevskit tashmë i ikur nga Maqedonia Veriore, akuzon shqiptarët e vrarë dhe të burgosur për terrorizëm
Skender Mulliqi
Ndërkaq analisti politik, Skender Mulliqi thotë se ngjarja e 9 majit të vitit të 2015 në Kumanovë, ku pat një përplasje të armatosur, por kryesisht nga sulmet me artileri dhe armë të rënda nga shteti maqedonas, patën mbetur shumë të vrarë dhe të plagosur, shumica shqiptarë. Kjo ngjarje kishte ngjallur reagime të ndryshme deri te ato ndërkombëtare.
“Në këtë aksion policoro-ushtarak u vranë 10 luftëtarë të lirisë, 8 policë maqedonas dhe pati edhe shumë të plagosur më shumë dëme materiale të pronave dhe shtëpive shqiptare, në përballje më pushtetin shovinist të Nikolla Gruevskit. Ngjarjes i parapriu gjendja e keqe politike në Maqedoni, ku opozita publikonte përgjimet të ashtu-quajtura "bomba qeveritare", ku njerëzit e kabinetit qeveritar kishin diskutuar për korrupsion dhe biseda nacionaliste anti-shqiptare sidomos ai i Ministres së Brendshme, Gordana Jankulovska, e cila kishte thënë se "Shqiptarët e Maqedonisë mund ti zhdukim brenda një ore" dhe "me shqiptarët duhet t’i lajmë duart", vlerëson Mulliqi.
Sipas tij, kjo deklaratë luftënxitëse e Jankullovskës, dhe veprimet antishqiptare të pareshtura, të përcjellura edhe me incidente të ndryshme deri në vrasjen e shqiptareve nga regjimi kriminal i Nikolla Gruevskit, kanë qenë indikatorët e reagimit të pjesëtarëve të UÇK-së, për tu dalë në ndihmë vëllezërve të tyre në këtë Republikë, të cilëve vazhdimisht ju mohuan të drejtat legjitime që u takojnë.
“Një pushtet fashist siҫ ishte pushteti i Gruevskit tashmë i ikur nga Maqedonia Veriore, akuzoi shqiptarët e vrarë dhe të burgosur për terrorizëm. Aksione të tilla antishqiptare kishte pasur shumë herë të pushtetit të Gruevskit gjoja në ndjekje të pjesëtarëve të UÇK-së, e në fakt ishte presion i hapur për t’i larguar shqiptarët nga vatrat e tyre shekullore, sidomos të zonave kufitare. Reagimet e pushteteve të atëhershme të Kosovës dhe të Shqipërisë ishin të zbehta për ngjarjen në Kumanovë, kur pjesëtarët e UÇK-së, e disa prej tyre të zënë rob u maltretuan dhe u ekzekutuan jashtë ligjeve për robërit e luftës”, thekson ai.
Ai thotë më tutje se, përpos Grupit të Kumanovës që janë dënuar shumica me burgim të përjetshëm, ka edhe shumë të burgosur të tjerë shqiptarë, luftëtarë të lirisë, të cilët janë dënuar me shumë vite heqje lirie.
“Sikur pak sa ka filluar interesimi e që do të duhej të ishte shumë më i madh për të burgosurit e Kumanovës, dhe për të burgosurit e tjerë në Maqedoninë e Veriut, një shtet ky që shumë ngjanë në një banana republikë. Për shkak të mosbesueshmërisë të organet relevante të këtij shteti, mua më duket se Kosova, duhet të bëjë trysni edhe te faktori ndërkombëtar për një proces të ri gjyqësor për Grupin e Kumanovës. Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani në paraqitjen e përbashkët para mediave me presidentin e Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarov është pyetur për rastin gjyqësor “Lagjja e trimave” apo Rasti i Kumanovës”, thotë Mulliqi për ‘Bota sot’.
Mulliqi ka përmendur edhe deklaratat e Presidentes Vjosa Osmani për këtë rast.
“E pyetur se a e njeh si presidente aktakuzën në këtë rast, Osmani tha se duhet të pritet që rasti të përfundojë në Gjykatën Supreme në Shkup, kjo me qëllim që më pas të dihet se çfarë hapash të ndërmerren. Presidentja Osmani ka kujtuar premtimin e Zaevit, që të bëhet një hetim ndërkombëtar lidhur me “Rastin Kumanova”, duke shprehur edhe gatishmërinë e Kosovës. Kurse në anën tjetër, Ministria e Drejtësisë së Maqedonisë së Veriut ka refuzuar kërkesën e Ministrisë së Drejtësisë në Kosovë dërguar përmes ambasadës në Shkup, për t’i vizituar të burgosurit në rastin “Lagjja e Trimave”, vlerëson Mulliqi.