Gjatë ditës së djeshme, Partia Demokratike e Kosovës nuk mori pjesë në Kuvend për të dëgjuar adresimin vjetor të presidentes Osmani.
Kjo gjë ishte konfirmuar paraprakisht nga shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri.
Tahiri tha se, duke i shërbyer agjendës politike të qeverisë dhe mazhorancës, presidentja Osmani ka dështuar të shërbejë si përfaqësuese e unitetit të popullit. Mandati i saj i deritanishëm është karakterizuar nga një numër shkeljesh dhe dështimesh.
“Për paaftësinë për të ushtruar funksionin kushtetues të unitetit të popullit dhe shumë dështime të tjera sistematike, sot Grupi Parlamentar i PDK-së, nuk do të qëndrojë në sallë për të dëgjuar adresimin e Presidentes Osmani”, shkroi ai.
E në lidhje me këtë bojkotim të PDK-së ndaj presidentes Vjosa Osmani në një prononcim për “Bota sot” foli analisti politik, Faton Mehmeti.
Ai tha se ky është një mllef personal i PDK-së ndaj presidentes Osmani, pasi kjo e fundit ia shpërfaqi kohë më parë fytyrën e vërtetë të kësaj partie.
![Image](/media/botasot.info/images/2021/December/18/auto_11639840293.jpg)
“Është i kuptueshëm mllefi i madh që ka PDK ndaj presidente, është Vjosa ajo që me Albinin e dërguan PDK në pension. Sa për Isën e disa tjerë në LDK, akoma do të ishte në pushtet PDK. Kështu që, nisur nga kjo, duhet theksuar se mllefi ndaj Vjosës është personal, pasi me veprimet e saj, Osmani ka bëre që të shpërfaqet fytyra e vërtetë e PDK-së”, deklaroi analisti.
Sipas tij, tani Partia Demokratike e Kosovës e a vendosur Vjosa Osmanin në një ‘tabelë qitje’. Mirëpo, pavarësisht kësaj ai beson se presidentja ka fituar në këtë ‘betejë’ përballë PDK-së.
“Kur iu doli maska dhe e panë të gjithë kush janë i dërguan në pension, këtë gjë s’po arrijnë ta kapërdijnë nga PDK që e kanë vë Vjosën në tabelë qitje për gjithë dështimet e tyre. Megjithatë, PDK me mos pjesëmarrjen ne Kuvend dëshmoi se kush është parti e inatit, arrogante, pa fije demokratike dhe mbi të gjitha e pa emancipuar politikisht. Vjosa, edhe një herë triumfoi mbi PDK-në”, përfundoi Faton Mehmeti për “Bota sot”.