Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, do të vizitoj Tiranën më 20 dhe 21 dhjetor, ku do të marr pjesë në takimin e iniciativës rajonale “Ballkani i Hapur”.
Kjo vizitë nuk është duke u mirëpritur nga kundërshtarët e “Ballkanit të Hapur” në Kosovë e në Shqipëri.
Paralajmërimi i Berishës
Ish-kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha ka njoftuar nga se më 20 dhjetor do të zhvillohet protesta kombëtare me anë të të cilave do të kundërshtohet vizita e Vuçiqit në Shqipëri.
“Unë kam një lajm këtu për shqiptarët dhe për ju këtu. 20 Dhjetori është protesta kombëtare e shqiptarëve. Revolucioni është në protestë. 20 Dhjetor… Protesta ka dy qëllime kryesore, së pari kundër Ballkanit të hapur, së dyti protesta e vjedhjes kombëtare. Kombi në datën 20 është në protestë. Nuk mund më. Merr fund skenari armiqësor antishqiptar i Ballkanit të Hapur. Në foltore unë kisha paralajmëruar se do të ketë protestë kombëtare”, u shpreh Berisha.
Këtë paralajmërim të Berishës e ka komentuar profesori i Marrëdhënieve Ndërkombëtare, Enver Bytyçi.
Bytyçi: Është krijuar atmosfera që të kundërshtohej fuqishëm Ballkani i Hapur
Ai është shprehur i bindur se kësaj radhe ishte e mundur dhe është krijuar atmosfera që të kundërshtohej fuqishëm Ballkani I Hapur dhe autorët e tyre, Vuçiq, Rama dhe Zaev.
“Në një komenti timin në gazetën “Bota sot” kam hedh idenë e një proteste me datën 20 dhjetor për të kundërshtuar vizitën e presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq, në Tiranë dhe iniciativën serbe të përkrahur nga Edi Rama të Open Balkan. Isha I bindur se kësaj radhe ishte e mundur dhe është krijuar atmosfera që të kundërshtohej fuqishëm Ballkani I Hapur dhe autorët e tyre, Vuçiq, Rama dhe Zaev.
Fatmirësisht sonte në mbrëmje në një TV të Tiranës Sali Berisha deklaroi se me datën 20 dhjetor 2021 në Tiranë do të organizohet protestë kombëtare kundër kësaj iniciative dhe kundër takimit Rama-Vuçiq-Zaev. Presidenti I Serbisë vjen të hënën e ardhshme në kryeqytetin shqiptar për të disatën herë. Dhe sa herë ka ardhur ka marrë gjithçka ka dashur dhe nuk ka dhënë asgjë për Shqipërinë ose për stabilitetin, paqen e sigurinë në rajon”, ka thënë Bytyçi të enjten në një prononcim për gazetën “Bota sot”.
Ai ka theksuar se shqiptarët duhet të marrin në duar fatin e tyre, i cili deri më tash pjesërisht ishte në duar të Serbisë.
“Ka ardhur koha që ne shqiptarët të zgjohemi dhe të marrim në dorë fatin tonë. Për shumë vite fati I shqiptarëve ka qenë dhe pjesërisht është në duart e bashkëpunëtorëve të Serbisë. Ne jemi lodhur me këtë situatë. Kjo situatë ka çuar në një situatë tmerri në Shqipëri. Nëse shohim raportet e ndërkombëtarëve europianë dhe amerikanë, Shqipëria edhe sot ishte e fundit në Europë sa i përket nivelit të varfërisë. Është shndërruar në një narko-shtet. Është në vendin e katërt nga fundi sa I përket korrupsionit. Është vendi, në të cilin prej tetë vitesh shqiptarët nuk kanë marrë asnjë qindarkë shtesë rroge. Është vendi me emigracionin më të lartë në vendet e BE-së”, nënvizoi ai.
“Aleksandër Vuçiq është sponsori kryesor i mbajtjes në pushtet të Edi Ramës”
Bytyçi u shpreh se Aleksandër Vuçiq është sponsori kryesor i mbajtjes në pushtet të Edi Ramës.
“Të gjitha këto kanë ardhur edhe për shkak të bashkëpunimit absurd në dëm të interesave të vendit të kryeministrit të Shqipërisë dhe presidentit të Serbisë. Presidenti serb ka mbërthyer për zverku kryeministrin tonë dhe e tërheq zvarrë deri te ideja e ndarjes së Kosovës. Aleksandër Vuçiq është sponsori kryesor i mbajtjes në pushtet të Edi Ramës. Të dy ndihmojnë njëri-tjetrin në të gjitha përpjekjet për pushtet. Presidenti serb për herë të parë në historinë e marrëdhënieve midis dy shteteve dhe shteteve sovrane deklaroi një javë para zgjedhjeve të 25 prillit 2021 se mbështeste Edi Ramën për fitoren e tyre, duke sulmuar opozitën e sidomos Sali Berishën”, nënvizoi profesori.
Ai ka treguar edhe arsyet se përse Vuçiqit i konvenon që ta mbështes Edi Ramën në Ballkan.
“Pse e bëri këtë akt të paprecedentë Aleksandër Vuçiq? Sepse me Edi Ramën garanton supremacinë e Serbisë në Ballkan. Garanton ta mbajë Kosovën peng të 30 mijë serbëve pakicë në veri të saj. Ta mbajë peng Bosnjë-Hercegovinën përmes Milorad Dodik. Si dhe ta mbajë nën zingjirë Malin e Zi. Shkurt, të imponojë krijimin e Jugosllavisë së Re. Me opozitën shqiptare dhe me Sali Berishën i prishen këto ëndrra. I prishet para së gjithash ëndrra e rikthimit të Kosovës në Jugosllavinë e Aleksandër Vuçiq”, shton ai.
Serbia nuk ndalet nga serenatat e Ivica Daçiq për Edi Rama
Sipas Bytyçit, vendimi i zotit Berisha dhe lidershipit të ri të Partisë Demokratike të Shqipërisë për protestë të fuqishme më datën 20 dhjetor është historik.
“Është historik, sepse nga ky moment fillon një reagim i organizuar kundër projekteve të Serbisë në Shqipëri, në Kosovë dhe në rajon. Kundër krijimit të Serbisë së Madhe. Kundër politikave destabilizuese të Beogradit! Serbia nuk ndalet me buzëqeshjet, përqafimet dhe puthjet midis presidenti serb dhe kryeministrit shqiptar. Serbia nuk ndalet nga serenatat e Ivica Daciq për Edi Rama. Serbia është tërhequr në betejat e saj kundër shqiptarëve gjithmonë kur përballë saj kemi qëndruar me të njëjtat mjete”, potencoi ai.
Në fund profesor Bytyçi u shpreh se të hënën shqiptarët do ta tregojnë patriotizmin e tyre dhe vendosmërinë për t’u përballur me më të keqen e dekadës së fundit që u ka ndodhur, Open Balkan.
“Protesta e së hënës do të jetë e fuqishme. Shqiptarët do ta tregojnë patriotizmin e tyre dhe vendosmërinë për t’u përballur me më të keqen e dekadës së fundit që u ka ndodhur, Open Balkan! Jam I bindur se mobilizimi për pjesëmarrje në protestë do të jetë gjigant. Ajo ditë do t’i japë Ramës dhe Vuçiq mësimin më të mirë të jetës së tyre!”, përfundoi ai.