Nuk është hera e parë që në Kuvendin e Kosovës ka përplasje në mes të deputetit të AAK-së, Ramush Haradinaj dhe kryeministrit Albin Kurti.
Haradinaj është ai që vazhdimisht kritikon Qeverinë, derisa në një nga seancat këtë javë, ai e kritikoi atë për energjinë elektrike, derisa e këshilloi Kurtin që t’i dërgojë ministrat në tenda te KEK-u dhe ndoshta kur të kenë ftohtë, do të gjejnë zgjidhje.
Pas kësaj reagoi Kurti, i cili tha se në vend të kësaj, propozon që Haradinaj t’ia kthejë shtetit 200 hektarët e blerë dhe shteti do t’ia kthejë 70 mijë eurot për atë tokë.
"Këta janë lot krokodili, prandaj këta pronarë të mëdhenj të tokave nuk janë as të sinqertë e as seriozë. Konkretisht meqë mu dha propozimi që ministrat e mi t’i çoj te KEK-u e të mërdhihemi, e kam një propozim tjetër, deputeti Haradinaj, le t’i kthen në shtet ata 200 hektarë, e na ia kthejmë 70 mijë euro”, u shpreh Kurti.
Ndërsa, Haradinaj iu kundërpërgjigj duke thënë se toka e blerë ka qenë e babës së tij dhe në katundin e tij në Gllogjan.
Nuk është hera e parë që në Kuvendin e Kosovës ka përplasje në mes të deputetit të AAK-së, Ramush Haradinaj dhe kryeministrit Albin Kurti.
Haradinaj është ai që vazhdimisht kritikon Qeverinë, derisa në një nga seancat këtë javë, ai e kritikoi atë për energjinë elektrike, derisa e këshilloi Kurtin që t’i dërgojë ministrat në tenda te KEK-u dhe ndoshta kur të kenë ftohtë, do të gjejnë zgjidhje.
Pas kësaj reagoi Kurti, i cili tha se në vend të kësaj, propozon që Haradinaj t’ia kthejë shtetit 200 hektarët e blerë dhe shteti do t’ia kthejë 70 mijë eurot për atë tokë.
"Këta janë lot krokodili, prandaj këta pronarë të mëdhenj të tokave nuk janë as të sinqertë e as seriozë. Konkretisht meqë mu dha propozimi që ministrat e mi t’i çoj te KEK-u e të mërdhihemi, e kam një propozim tjetër, deputeti Haradinaj, le t’i kthen në shtet ata 200 hektarë, e na ia kthejmë 70 mijë euro”, u shpreh Kurti.
Ndërsa, Haradinaj iu kundërpërgjigj duke thënë se toka e blerë ka qenë e babës së tij dhe në katundin e tij në Gllogjan.
“Kurti sa herë po dëshiron me u fsheh prej pa zotësisë së tij, po thotë Ramush i ke ble 200 hektarë tokë. Po është e vërtetë me ligje të Kosovës, kohë të OKB-së, e kam shfrytëzuar një të drejtë ligjore, e kam rible tokën e babës dhe është në katundin tim, është në Gllogjan”, deklaroi Haradinaj.
Por, si komentohet kjo përplasje, propozimi i Kurtit dhe reagimi i Haradinajt?
A do të duhej që ky i fundit t’ia kthejë shtetit tokën e blerë shumë lirë në privatizim?
Bytyçi: Kurti le të veprojë, të mos i përdor në Kuvend akuzat
Lidhur me këtë, profesori Enver Bytyçi, ka thënë për gazetën “Bota sot” se janë përmendur emra të shumtë për blerje të tokave me çmim shumë të lirë, të cilat i kanë shitur pastaj me çmim tejet të lartë dhe për këtë kanë keqpërdorur pozitat zyrtare, derisa këto që janë shkruar në media nuk janë përgënjeshtruar nga ata.
“Ka muaj që në Kosovë bëhet retorikë për fenomenin e blerjes me 5, 10 a 15 euro të një ari tokë (100 m2). Janë përmendur emra të shumtë, si Sami Lushtaku dhe Ramush Haradinaj, apo Gani Thaçi e të tjerë njerëz me kontribute në Luftën e Kosovës. Më pas thuhet se po këta persona e kanë shitur me 5000 apo 7000 euro këtë sipërfaqe toke. Më e keqja është se këta duket se kanë shfrytëzuar pozitat në pushtet për të blerë lirë e shitur 1000 herë më shtrenjtë, sepse kanë ditur intenerarin e ndërtimit të autostradave dhe e kanë pasur të sigurtë fitimin njëmijë fish, e kanë realizuar me shpronësimin e këtyre tokave të blera e me paratë e shtetit. Së paku të gjitha këto i kam lexuar në medie, sepse unë vetë nuk jam në Kosovë, që të di saktësisht të vërtetën. Megjithatë, nuk kam vërejt se dikush ka bërë ndonjë përgënjeshtrim për akuzat që janë ngritur. Thjesht përgjigjet kanë qenë retorike”, është shprehur ai.
Sipas profesorit, deklarata e Xhavit Halitit se Haradinajt i duhet falur tokë aq sa ka blerë, e justifikon atë që kanë bërë miqtë e tij dhe se abuzimi me luftën është njolla më e rëndë e veprimeve të tilla.
““Fatkeqësisht në retorika të tilla ka pasur edhe deklarata të tilla si “Ramushit duhet me ia dhanë edhe aq tokë sa ka ble”! Kjo deklaratë e Xhavit Halitit në fakt nuk kishte për objekt ish-kryeministrin Haradinaj. Qëllimi i tij ishte që të justifikonte abuzimet e tij e të miqve të partisë së tij me pronat e Kosovës pas luftës. Për më tepër në emër të luftës! Ndoshta abuzimi me luftën është njolla më e rëndë e veprimeve të tilla. Nëse dikush lufton kundër grabitjes së atdheut nga pushtuesi, është poshtërsi që të bëjë njësoj pasi ta çlirojë atdheun e tij. Kjo i bie sikur të luftosh për plaçkë e jo për atdhe e për komb. Por, me këto që them nuk kam asnjë arsye të akuzoj p.sh Ramush Haradinajn, për të cilin ju pyesni. Sepse sa kohë që nuk provohen akuzat në gjykatë, për aq kohë të gjithë këta janë të pafajshëm”, ka vlerësuar Bytyçi.
Ai ka shtuar se nuk do që Kurti nga posti i kryeministrit t’i përdorë këto akuza, por që nëse ata politikanë kanë bërë shkelje ligjore, të dalin para drejtësisë.
“Nuk do të doja që Albin Kurti në postin e kryeministrit të merret me retorikë e t’i përdorë këto akuza për kapital politik. Ai ka marrë mandate që të qeverisë, jo të bëjë politikë. Nëse Ramush Haradinaj, Sami Lushtaku, Gani Thaçi, Azem Syla, Xhavit Haliti apo autori i PRONTO-s, Grabovci, kanë bërë shkelje ligjore, kanë abuzuar me pasuritë e Kosovës dhe me pushtetin që ua ka dhënë zgjedhësi, të gjithë këta duhet të dërgohen para drejtësisë. Është drejtësia ajo që provon ose jo fajësinë e tyre”, ka deklaruar profesori për “Bota sot”.
Ai ka thënë se nëse nuk ka besim te drejtësia, duhet të bëjë reformë gjyqësore dhe atyre politikanëve tu provohet fajësia vetëm përmes drejtësisë.
“Mund të mos kesh besim te prokuroria dhe te gjykata. Atëherë bën reformën gjyqësore dhe vendosi gjërat në vendin e vet. Unë e kuptoj se deri tani prokurorët dhe gjyqtarët kanë qenë nomenklaturë e Hashim Thaçit dhe ata i detyrohen atij për privilegjet që kanë. Nuk them për të gjithë, por edhe sikur gjysma të jetë e kësaj kategorie, që më shumë e vlerëson vendin e punës si dhuratë të Hashimit e jo si meritë të vetën, nuk janë pak që ta deformojnë drejtësinë. Por, përveç drejtësisë nuk ka ndonjë mundësi tjetër për të provuar fajësinë e qytetarëve dhe politikanëve të Kosovës. Por kryeministri, ministrat nuk bëjnë dhe nuk duhet të bëjnë retorikë politike. Nuk duhet të marrin shembullin e keq të Shqipërisë, ku bëhet vetëm retorikë politike e asgjë tjetër. Me politikën le të merren ata që kanë funksione thjesht partiake. Qeveria është e të gjithë qytetarëve, madje edhe e Ramush Haradinajt dhe nuk ka pse të luftohet politikisht as në parlament. Edhe nëse opozita e tepron, kryeministri ka detyrë të japë shpjegime të realitetit që ekziston pa retorikë dhe kundërakuza politike”, ka potencuar ai.
Më tej, Bytyçi ka theksuar se as Haradinaj nuk ka pse të bëjë arsyetime të tilla që e ka blerë tokën e babës së tij pasi toka e babës trashëgohet dhe askush nuk i beson se e ka blerë.
“Ramush Haradinaj e gjithë të tjerët të akuzuar për tjetërsim e grabitje pronash duhet të shkojnë para drejtësisë. Edhe vetë Rambo nuk ka pse bën arsyetime se ka blerë ose jo tokën e babës. Sepse askush nuk beson se dikush blen tokën e babës. Nëse blen, atëherë objekti, prona i takon dikujt tjetër dhe jo prindërve të tu. Ndoshta ia blen edhe vëllait, por askush nuk e blen tokën e babës. Toka e babës trashëgohet”, ka shtuar profesori.
Krejt në fund, ai ka thënë se duhet të largohen të gjithë nga deklarimet politike dhe retorike, dhe për të gjitha akuzat duhet t’i drejtohen gjykatës.
“Megjithatë duhet të largohemi nga deklarimet publike e politike. Është gjykata ajo që provon të vërtetën. Mbas gjykatës duhet të heshtin të gjithë të tjerët. Unë besoj se Kosova ka nevojë për veprime konkrete dhe jo për krijimin e një atmosfere ndotëse me sharje, akuza, kundër-akuza dhe grindje. Shteti i së drejtës nuk duron retorikë, bazohet në drejtësinë, pavarësisht për kë, për politikanë të lartë apo të ulët, për eksponentë të politikës e jetës publike apo çfarëdo qoftë”, ka deklaruar Enver Bytyçi për gazetën “Bota sot”.
Qarri: Skandaloze që të falin territor në brezin kufitar e brenda Kosovës të blejnë tokë nga 2-3 euro arin
Ndërsa, analisti politik, Gani Qarri, ka thënë për gazetën “Bota sot” se është skandaloze që politikanë si Haradinaj, Thaçi e Lushtaku falin territor në brezin kufitar e brenda Kosovës blejnë tokë nga 2-3 euro arin.
“Fakti se Haradinaj, Thaçi e Lushtaku dhe politikanë të tjerë të inkriminuar, në brezin kufitar ua falin mijëra hektar tokë të Kosovës shteteve fqinje, kurse në pjesët më të vlershme, në brendësi të territorit, blejnë vetëm për 2-3 euro arin, këto janë vërtetë akte skandaloze, me të cilat urgjentisht duhet të merret prokuroria dhe sistemi i drejtësisë në vend. Mjerisht siç po shihet tanimë edhe publikisht, gjatë sundimit të partive të kriminalizuara, Kosova ishte kthyer në epiqendër të korrupsionit dhe krimit të organizuar, si dhe në oazë të tregtisë së palejuar, ku duhet veçuar sidomos pazaret me toka të Kosovës, nga politikanët dhe pushtetarët e degjeneruar”, është shprehur ai.
Sipas Qarrit, figurat kryesore të shtetit për më tepër se dy dekada kanë bashkëpunuar me bosët e kontrabandës e krimit në veri, derisa ata u futën në listë të zezë nga SHBA-të.
“Vet figurat kryesore të shtetit, siç e konfirmoi së fundi edhe lista e zezë e Departamentit të Shtetit Amerikan, për më tepër se dy dekada me radhë, kanë bashkëpunuar dhe shit e blerë edhe me bosët e kontrabandës dhe të krimit të organizuar në Veri, si Zvonko Veselinoviq dhe Milan Radoiçiq, madje udhëheqësit më të lart të shtetit, kanë vjedhë e plaçkitur dhe zhvatur e përvetësuar edhe vet, çdo gjë dhe pasuri, të cilën ata e kanë konsideruar të vlershme, përfshi tokat dhe vendet më të preferuara për përfitime milionëshe”, ka theksuar ai.
Analisti vlerëson se pushtetarët kishin kapur shtetin në të gjitha poret dhe se nuk kishte kush të reagonte ndaj tyre, andaj sipas tij, tani kur Kurti është kryeministër nuk duhet të merret me replika në Kuvend, por t’i shtyjë organet e drejtësisë që të trajtojnë aktet e hajnisë dhe zhvatjes e përvetësimit kundërligjor.
“Të gjitha këto veprime ndodhnin për faktin se pushtetarët e inkriminuar kishin kapur të gjitha poret e shtetit në duart e veta dhe për ata nuk kishte më shtet të së drejtës dhe vlenin ligjet e Kosovës, kështu që varfërimi i qytetarëve, përkeqësimi i gjendjes ekonomike, si dhe shumica e veprave korruptive e kriminale në vend, kryheshin, pikërisht nga politikanët e rangut më të lartë dhe figurat më të fuqishme të shtetit, si Thaçi, Haradinaj, Lushtaku e shumë të tjerë, të cilët kryeprokurorin, prokurorinë dhe gjyqësinë i kishin në duar të veta dhe s`kishte kush të reagonte kundër tyre. Prandaj kryeministri i Kosovës Albin Kurti, sado që ka të drejtë, ai tanimë nuk është në opozitë dhe nuk duhet të merret edhe më tej, me replika në Kuvend, por duhet t’i shtyjë organet e prokurorisë dhe të gjyqësisë, për trajtimin ligjor të akteve të hajnisë dhe zhvatjes e përvetësimit kundërligjor, ani pse, në parim, me të drejtë i tha deputetit të AAK-së, Ramush Haradinaj që t’i kthejë në shtet 200 hektarë tokë të blera nga 3.5 euro dhe qeveria do t’ia jep 70 mijë euro për atë tokë, sa deklaron se i ka paguar, Haradinaj”, ka potencuar Qarri për “Bota sot”.
Ai shton se priten veprime nga kryeministri lidhur me këto që kanë ndodhur.
“Nga Qeveria aktuale dhe vet kryeministri Kurti, kërkohen veprime, ai nuk duhet t’i shfrytëzojë debatet në Kuvend për retorikë parlamentare me kundërshtarët politik, por për aktet e faljes së mijëra hektarëve tokë të Kosovës shteteve hegjemoniste fqinje dhe përvetësimet personale të qindra apo mijëra hektarëve të tjerë, anë e mbanë Kosovës nga politikanët e lartë dhe ish udhëheqësit e inkriminuar shtetëror, ti ftojë urgjentisht organet e drejtësisë, që në afatin sa më të shkurtër, t’i trajtojë në mënyrë ligjore format e përvetësimit dhe ligjshmërinë e privatizimit, si dhe arsyet e faljes së dhjetëra mijëra hektarëve tokë, shteteve hegjemoniste fqinje, pa asnjë kundër shpërblim”, ka shtuar tutje analisti.
Qarri po ashtu thekson se nëse personat e dyshuar nuk i kthejnë apo arsyetojnë përvetësimet e bëra, duhet tu konfiskohen të gjitha pronat e privatizuara kundërligjshëm, ndërsa autorët të dënohen.
“Dhe nëse personat e dyshuar, nga figurat më të larta politike, nuk i kthejnë apo arsyetojnë ligjërisht përvetësimet e bëra, duhet të konfiskohen menjëherë të gjitha pronat e privatizuara kundërligjshëm, kurse autorët e dyshimtë të dënohen në mënyrat më të ashpra, pa marrë parasysh emrat e tyre, të cilët kanë lënë shembullin më të keq të pazareve me tokat e Kosovës, dhe përveç përvetësimeve personale, ua falën kokë më vete, sikur të ishin pasuri e baballarëve të tyre, dhjetëra mijëra hektar tokë të Kosovës edhe shteteve fqinje”, ka deklaruar Gani Qarri për gazetën “Bota sot”.