Pavarësisht garancisë së dhënë nga Policia e Kosovës, Gjykata Speciale e ka refuzuar garancinë për lirimin me kusht të Thaçit.
Ish presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, po vazhdon të qëndrojë i burgosur në Hagë, ku nga Gjykata Speciale akuzohet ndër tjerash edhe për vrasjen e kundërshtarëve politikë, anëtarë të LDK-së.
Sipas Speciales, përveç rrezikut dhe pasigurisë së dëshmitarëve, ekziston edhe ndikimi i SHIK-ut mbi Policinë e Kosovës.
Thaçit i është vazhduar masa e paraburgimit në Gjykatën Speciale në Hagë. Këtë e ka konfirmuar avokati Gregory Keohe në konferencën për ecurinë e çështjes së Hashim Thaçit dhe të tjerëve.
“Unë e kuptoj që i nderuari gjykatës ka marrë vendim për mbajtjen në paraburgim sot paradite, dhe kjo do ta apelohet“, ka thënë Gregory Keohe.
E lidhur me vendimin e fundit të Speciales për Hashim Thaçin, për gazetën “Bota sot” ka folur analisti dhe njohësi i çështjeve politike, Faton Mehmeti.
“Me akuzat e rënda që ka Hashimi, do të ishte non sens të lirohet. Mos të harrojmë se akuzat ndaj tij përfshijnë vrasje të mbi 100 personave, paramendo çfarë aktakuza të rënda ka. Në këtë kuptim, Gjykata ka marr dënim konform aktakuzës”, thotë Mehmeti.
Sipas tij, synimi i Hashim Thaçit është që të lirohet me kusht, në mënyrë që të ndikojë tek dëshmitarët.
“Hashimi do të tentojë me të gjitha mënyrat të lirohet, në mënyrë që të ketë ndikim edhe tek dëshmitarët, mbase jo direkt , por vet fakti se ai do të lirohet është mesazh për dëshmitarët. Në këtë kuptim, duke e ditur këtë gjë, gjykata s’po e liron, pavarësisht se po përdorën të gjitha lidhjet e tija me vendet tjera që edhe po ofrojnë garancion”, shprehet Mehmeti.
Ai thotë se Gjykata Speciale po i mbron dëshmitarët me vendimin për mos lirimin e Thaçit.
“Me këtë veprim Gjykata po vihet në mbrojtje të dëshmitarëve, në mënyrë që ata mos të frikësohen. Kështu që, refuzimi për lirimin e tij, gjë që besoj së kështu edhe do ë jetë edhe në vazhdim, është dëshmi e fortë se Gjykata Speciale është e vendosur për mos të qenë tolerante, por të vihet në mbrojte të viktimave, të cilat pritet të dëshmojnë disa nga dëshmitarët, që kanë qenë direkt ose jo në këtë aktakuzë ndaj Thaçit”, thekson Mehmeti.
Për fund, Mehmeti deklaron se fatin e Thaçit, do ta kenë edhe Kadri Veseli, Rexhep Selimi, Jakup Krasniqi dhe të tjerët.
“Besoj, se edhe Kadri Veselit, Rexhep Selimit, Jakup Krasniqit, dhe të tjerëve do iu refuzohet kërkesa për lirim, duke qenë e vendosur për të mbrojtur integritetin e dëshmitarëve nga çdo mundësi ndikim në mënyrë qoftë edhe indirekte”, përfundon për “Bota sot”, analisti politik Faton Mehmeti.