Skenari i 20 dhjetorit/ Zbardhen objektivat e protestës kundër Vuçiqit në Tiranë, ndizet alarmi për Ramën

Politika

Skenari i 20 dhjetorit/ Zbardhen objektivat e protestës kundër Vuçiqit në Tiranë, ndizet alarmi për Ramën

Nga: P.R. Më: 19 dhjetor 2021 Në ora: 16:59
Edi Rama, Aleksandër Vuçiq

Më 20 dhjetor, në Tiranë mbërrin presidenti serb, Aleksandër Vuçiq në kuadër të takimit të radhës për Ballkanin e Hapur.

E pikërisht me këtë datë, ish-kryeministri Sali Berisha ka thirrur protestën e parë kombëtare.

Më datë 20 kombi është në protestë. Merr fund skenari antishqiptar i Ballkanit të Hapur. Dy qëllime kryesore, kundër Ballkanit të hapur, së dyti kundër vjedhjes kombëtare”, deklaroi Berisha.

E për protestën e paralajmëruar nga Sali Berisha, për gazetën “Bota sot” ka folur profesor, doktor Enver Bytyçi. Sipas tij, kjo protestë ka dy objektiva kryesore.

Image
Enver Bytyçi

“Berisha dhe demokratët kanë planifikuar dhe kanë bërë thirrje për një protestë mbarë kombëtare të hënën, me 20 dhjetor, mbas dite, ora 16, për të kundërshtuar “Open Balkanin”, përkatësisht takimin e treshes Rama-Vuciq-Zaev në Tiranë, si dhe vjedhjen e shqiptarëve nga ana e qeverisë Rama. Kjo do të thotë se protestë ka dy objektiva: Të adresojë mbrojtjen e interesit tonë kombëtar të rrezikuar nga lidhjet Rama-Vuçiq dhe të ndalojë vjedhjen dhe varfërimin e shqiptarëve nga kjo qeveri anti-kombëtare në Shqipëri!”, thotë Bytyçi për “Bota sot”.

Sipas tij, Shqipëria dhe Kosova janë vënë në shënjestër të përçarjes nga Serbia, të ndihmuar nga Edi Rama.

Prej tetë vitesh Shqipëria, Kosova dhe shqiptaria në rajonin e Ballkanit janë vënë në shënjestër të copëtimit, përçarjes dhe pengesave e diversionit serb në mënyrë të suksesshme nga ana e Serbisë. Kjo për shkak të mbështetjes së kryeministrit të Shqipërisë që i ka dhënë dhe i jep regjimit të Beogradit në projektet serbe dhe të bashkimit të “botës serbe”! Unë e di se shqiptarët, edhe pse të përçarë për shkak të politikave pro-serbe të Edi Ramës, janë pengesa kryesore e ndërtimit të strukturës së Serbisë së Madhe”, thekson Bytyçi.

Ai shton se protesta e thirrur nga Sali Berisha, duhej të mbahej qysh në vitin 2014, atëherë kur kishte nisur projekti anti shqiptar i Ramës dhe Vuçiqit.

Do të duhej me kohë që kjo që po ndodh e duhet të ndodhë më 20 dhjetor të kishte ndodhur. Do të duhej që ne shqiptarët të kishim reaguar që në vitin 2014, kur Rama dhe Vuçiq nisën udhëtimin e tyre në projektet anti-shqiptare në rajonin tonë, projekte që e çojnë Ballkanin në një konflikt dhe luftë të re. Por nuk ndodhi kjo jo vetëm për shkak të Edi Ramës. Nuk ndodhi edhe për shkak të pafuqisë, apo kompromiseve të Lulzim Bashës me kryeministrin e vendit, bashkëpunëtor të Serbisë. Edhe sot zoti Basha foli dhe tha se do të jetë në krah të Kosovës. Por nuk tha asnjë fjalë kundër Open Balkan”, shprehet Bytyçi.

I vetmi që ka artikuluar qartë dhe saktë idetë dhe kundërshtitë e tij politike ndaj iniciativës serbe të Ballkanit të Hapur, si projekt i sundimit serb mbi shqiptarët e rajonin, është Sali Berisha. Prandaj dhe demokratët janë angazhuar që të hënën të organizojnë protestën e parë pas referendumit të zhvilluar të shtunën për shkarkimin e Lulzim Bashës. Protestat do të jenë të vazhdueshme dhe projektet serbe nuk do të realizohen në Shqipëri, as në Kosovë, as në trevat e tjera ku banojnë shqiptarët. Protesta e të hënës jep shpresë për këtë të ardhme të shqiptarëve”, nënvizon Bytyçi.

Ai thotë se protesta e të hënës do të mbahet edhe në një kontekst tjetër të favorshëm.

Në fillimin e marrëdhënieve të vëllazërisë sorosiste Rama- Vuçiq të vitit 2014 e deri vonë bashkësia ndërkombëtare perëndimore pati shpresuar se kjo miqësi do të bëhej shkak i pajtimit ndëretnik dhe do të ishte themeli i një Ballkani në paqe, stabilitet e siguri. Por kur kjo dyshe e ndihmuar edhe nga ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, filluan të zbatojnë projektin e ndryshimit të kufijve, atëherë u pa se marrëdhënia e posaçme vëllazërore e kryeministrit të Shqipërisë dhe presidentit të Serbisë është e rrezikshme. Në vend të homogjenitetit ballkanik solli përçarjen e faktorëve politikë, sidomos në Kosovë. Në vend të kohezionit dhe pajtimit, solli rrezikun e një konflikti të serishëm midis shqiptarëve dhe serbëve”, deklaron profesor Bytyçi.

Për fund, Bytyçi shton se data 20 dhjetor, do të shënojë vetëm fillimin e fundit të sundimit të Serbisë mbi politikën pro-serbe të Shqipërisë.

Megjithëse kjo prirje u duk qartë, megjithëse evropianët, por edhe amerikanët janë distancuar nga projektet që e bëjnë Serbinë lidere të Ballkanit, Edi Rama vazhdon përpjekjet e tij për zbatimin e projekteve të sundimit serb në rajon, pra në territoret shqiptare në Ballkan. Prandaj dhe evropianët e amerikanët nuk po ndjehen dhe nuk po reagojnë për thirrjen e zotit Berisha për protestën e së hënës kundër Ballkanit të Hapur. Nuk është çudi se edhe ajo që po ndodh në Partinë Demokratike pikërisht për këtë arsye ta ketë bekimin e Perëndimit, ose së paku të shumë aktorëve dhe segmenteve të tij. Data 20 dhjetor 2021 do të shënojë vetëm fillimin e fundit të sundimit të Serbisë mbi politikën pro-serbe të Shqipërisë. Protestat nuk do të ndalen. Shqipëria, Kosova dhe shqiptarët e Maqedonisë ka shumë mundësi që të hyjnë në një fazë të re të rikthimit të tyre fuqishëm në skenën ballkanike”, përfundon për gazetën “Bota sot”, profesor, doktor Enver Bytyçi.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat