Të dyshuarit kryesor për vrasjet politike të arrestuar nga gjykata speciale, ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi i është vazhduar paraburgimi.
Vendimi është marrë nga gjyqtari i Procedurës Paraprake.
Këtë e bëri të ditur, avokati i Thaçit, Gregory Keohe.
“Unë e kuptoj që i nderuari gjykatës ka marrë vendim për mbajtjen në paraburgim, por ky do të apelohet”, tha ai.
Kësisoj, gjykata me kërkesë të avokatëve ka marrë vendim që të zgjatet afati edhe për rishikimin tjetër të paraburgimit.
Mirëpo, ky vendim nxiti reagime të mëdha pasi në opinion deklarohej se specialja mund ta vazhdojë paraburgimin vetëm për një vit dhe jo më shumë.
Krahas kësaj, ndikoi edhe mos vijimi i procesit gjyqësor ndaj Thaçit dhe ish-krerëve të tjerë të UÇK-së.
Megjithatë, njohësit e çështjeve juridike në prononcimet e tyre për gazetën “Bota sot” komentuan vazhdimin e paraburgimit dhe treguan se kur pritet të fillojë procesi gjyqësor ndaj të akuzuarve në Hagë.
Të dyshuarit kryesor për vrasjet politike, të arrestuar nga gjykata speciale, ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, i është vazhduar paraburgimi.
Vendimi është marrë nga gjyqtari i Procedurës Paraprake.
Këtë e bëri të ditur, avokati i Thaçit, Gregory Keohe.
“Unë e kuptoj që i nderuari gjykatës ka marrë vendim për mbajtjen në paraburgim, por ky do të apelohet”, tha ai.
Kësisoj, gjykata me kërkesë të avokatëve ka marrë vendim që të zgjatet afati edhe për rishikimin tjetër të paraburgimit.
Mirëpo, ky vendim nxiti reagime të mëdha pasi në opinion deklarohej se specialja mund ta vazhdojë paraburgimin vetëm për një vit dhe jo më shumë.
Krahas kësaj, ndikoi edhe mos vijimi i procesit gjyqësor ndaj Thaçit dhe ish-krerëve të tjerë të UÇK-së.
Megjithatë, njohësit e çështjeve juridike në prononcimet e tyre për gazetën “Bota sot” komentuan vazhdimin e paraburgimit dhe treguan se kur pritet të fillojë procesi gjyqësor ndaj të akuzuarve në Hagë.
Gashi: Gjykimi ndaj Hashim Thaçit do të fillojë në vitin 2022
Avokati Tomë Gashi në një prononcim për gazetën “Bota sot” komentoi vendimin për vazhdimin e paraburgimit të ish-presidentit Hashim Thaçi.
Fillimisht, ai votimin e gjykatës speciale e konsideroi si mëkatin më të madh të deputetëve të Kosovës, ku njëkohësisht ishte vetë Thaçi që insistonte në formimin e kësaj gjykate.
“Ishte një presion i jashtëzakonshëm i disa eksponentëve të partive që ishin në pushtet në atë kohë, posaçërisht nga Hashim Thaçi, i cili publikisht thoshte se kush nuk e voton gjykatën speciale sipas tij është kundër UÇK-së dhe kundër Kosovës”, deklaroi avokati.
Sipas Gashit fakti më i çuditshëm është se disa persona shkuan aq larg sa themelimin e Speciales e merrnin si shkak për pastrimin e pretendimeve të Dick Marty-it.
“Shumë e çuditshme që edhe disa të tjerë e mbështetnin themelimin e gjykatës speciale në emër të UÇK-së. Aq larg shkuan disa sa që themelimin e speciales e konsideronin si çështje prioritare duke pretenduar se kinse do të pastrohen pretendimet e Dick Marty-it për kinse trafikim të organeve njerëzore nga ana e pjesëtarëve të UÇK-së gjatë luftës”, theksoi ai.
Gjithashtu, avokati përmendi edhe raportin e prokurorit amerikan, Clint Williamson për dyshimet për trafikim të organeve njerëzore nga pjesëtarët e UÇK-së.
“Por, gjërat ishin më ndryshe se këto pretendime ishin eliminuar krejtësisht nga raporti i prokurorit amerikan Clint Ëilliamson, i cili pas hetimit penal afër 4 vite nuk gjeti asnjë dëshmi konkrete për këtë aludim të kinse trafikimit të organeve njerëzore nga pjesëtarë të UÇK-së gjatë luftës dhe atë kinse ka ndodhur në Shqipëri siç pretendonte raporti i rrejshëm i Dick Marty-it”, thotë ai.
“Dhe të jetë edhe më keq, në nenin 1 të ligjit për Gjykatës Speciale ishte dashtë që deputetët ta kenë para vetës raportin e prokurorit amerikan Clint Williamson. E po ta kishin këtë raport do ta konstatonin se nuk ka asnjë provë për trafikim të organeve dhe nuk do ta votonin fare specialen”, shpjegoi Gashi.
Në fund, ai theksoi se Thaçi nuk pritet të lirohet nga paraburgimi, derisa parashikoi që gjykimi ndaj ish-presidentit do të fillojë gjatë vitit 2022.
“Hashim Thaçi nuk do të lirohet nga paraburgimi sepse kështu ka vepruar edhe Tribunali Ndërkombëtare për krime luftë në Ish-jugosllavi. Po ashtu në Hagë ku ka qenë obligative që secili i akuzuar gjatë gjykimit të jetë në paraburgim, dhe atë në burgun e njëjtë, ku po mbahet Thaçi dhe të tjerët. Dhe gjykimi do të fillojë në 2022 para pas 1.5 viteve nga arrestimi i Hashim Thaçit më 5 nëntor 2020”, përfundoi Tomë Gashi për “Bota sot”.
Musliu: Veprat penale të Thaçit janë të rënda, nëse konfiromohen mund të dënohet me mbi 20 vite burgim
Juristi nga Belgjika, Skënder Musliu mendon ndryshe krahasuar me Gashin. Sipas tij Hashim Thaçit i është vazhduar paraburgimi për faktin se ende prokuroria po kryen hetime dhe po nxjerrë prova.
Madje, ai në një prononcim për “Bota sot” u shpreh se procesi gjyqësor do të fillojë në vitin 2022, ndërsa mund të zgjasë rreth pesë vite.
“Procesi gjyqësor ende gjendet në procedurën paraprake, madje ende po hetohen dhe nxirren prova, që do të thotë se nuk kanë përfunduar të gjitha veprimet e nevojshme juridike për të kaluar në fazën e gjykimit. Kështu edhe një herë i vazhduar paraburgimi Hashim Thaçit duke ia refuzuar kërkesën për mbrojtje në liri të mbikëqyrur. Kjo na jep të kuptojmë se ende nuk dihet saktësisht fillimi i procesit gjyqësor, por gjithsesi supozohet se do të nisë gjatë vitit 2022, e që mund të zgjasë së paku pesë vite”, deklaroi juristi.
Në vazhdim, Musliu sqaroi edhe ngatërrimin që po bëhet në opinion duke thënë se paraburgimi për ish-krerët e UÇK-së vlen vetëm një vit.
Ai theksoi se në këtë rast nuk vlen ky afat, pasi kjo gjë është vetëm për personat që në Hagë janë vetëm si të dyshuar dhe jo për individët që iu është konfirmuar aktakuza.
“Por, parashtrohet pyetja, se sa kohë mund të qëndrojnë në paraburgim Hashim Thaçi dhe të tjerët, sepse në opinion ky afat po ngatërrohet duke aluduar se ky afat është një vit. Mirëpo, duhet shpjeguar se afati njëvjeçar i paraburgimit vlen vetëm në rastet kur bëhet fjalë për të dyshuarit që gjenden në Hagë, e jo edhe për personat e akuzuar ndaj të cilëve është konfirmuar akuza”, sqaron ai.
Veprat e rënda penale
Sipas tij, dispozitat ligjore të Dhomave të Specializuara, parashikojnë situata të ndryshme, në faza të ndryshme të procedurës, që është në pajtim me standardet ndërkombëtare. “Kështu kufizimi për paraburgim prej një viti nuk vlen për personat e akuzuar, respektivisht pas ngritjes së aktakuzës dhe konfirmimit nga gjykatësi i procedurës paraprake. Edhe përkundër garancive që janë dhënë nga policia e Kosovës dhe nga disa shtete, që Hashim Thaçi të mbrohet në liri, gjykatësi i procedurës paraprake nuk merr përgjegjësinë ta lirojë atë nga paraburgimi”, shpjegon ai.
Ndër të tjera, juristi nga Belgjika tregon edhe shkaqet e refuzimit të kërkesës për gjykimin e Thaçit në liri.
Arsyeja e parë sipas tij janë veprat penale me të cilat Thaçi ngarkohet, e të cilat janë tejet të rënda, ku dënimi mund të shkojë edhe mbi 20 vite e më shumë.
“Parashtrohet pyetja, pse po i refuzohen kërkesat Hashim Thaçit?! Për ta kuptuar përgjigjen, nuk duhet të merremi me pasojat, por duhet treguar shkaqet.
Në gjykimin tim, për moslirimin e Hashim Thaçit të mbrohet në liri, kanë ndikuar disa faktorë.
Së pari, veprat penale me të cilat ngarkohet ai, respektivisht për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, janë ndër veprat më të rënda, për të cilat, nëse konfirmohen, mund të dënohet me burgim shumëvjeçar, ndoshta 20 e më shumë vite, prandaj gjykatësi i procedurës paraprake nuk mundet me lehtësi të rrezikojë lejimin e tij për t’u mbrojtur në liri”, nënvizoi Musliu.
Më tej, ai përmendi edhe dy shkaqe tjera që ndikuan në vendimin e vazhdimit të paraburgimit nga ana e Speciales.
“Së dyti, Hashim Thaçi ende konsiderohet si person me influencë të madhe në jetën politike dhe publike të Kosovës, sepse nëpër institucionet shtetërore dhe gjetiu, ende janë shokët dhe bashkëpartiakët e tij, që gjykata dyshon në neutralitetin e tyre karshi këtij procesi.
Së treti, në të kaluarën kishte shumë raste të frikësimit, shantazhimit por edhe të likuidimit fizik të dëshmitarëve të gjykatës speciale, prandaj me lirimin e Thaçit, gjykata dyshon se ato mund të përsëriten”, deklaroi avokati.
Megjithatë, krahas këtyre fakteve, Musliu përmendi edhe sulmet që disa media, analistë, politikanë dhe shoqata të dala nga lufta po i bëjnë Speciales, gjë që sipas tij po ndikon direkt në procesin gjyqësor.
“Së katërti, nëpër televizione të ndryshme, shumë gazetarë, shumë analistë, por edhe politikanë, haptazi sulmojnë gjykatën speciale duke glorifikuar të akuzuarit e Hagës, përfshirë edhe Thaçin. Në këtë fushatë është përfshirë edhe televizioni publik i Kosovës, i cili në vazhdimësi, në kohën kur shikueshmëria është më e madhe, respektivisht para dhe pas lajmeve qendrore të mbrëmjes, emiton video të ndryshme, me titullin « Liria ka emër », duke hiperbolizuar figurat që gjenden në Hagë, përfshirë edhe Hashim Thaçin”.
Institucione kujdestare për ta diskredituar specialen
Së pesti, sipas tij, shoqatat e veteranëve të dala nga lufta, janë shndërruar në institucione kujdestare për kritika kundër gjykatës speciale, duke dashur ta diskreditojnë atë.
“Në këtë kontekst është edhe rasti i Nasim Haradinajt dhe Hysni Gucatit, të cilët në kundërshtim me ligjin, publikuan dokumente të klasifikuara si sekrete që komprometonin procesin gjyqësor. Pikërisht për shkak këtyre veprimeve të papërgjegjshme, ata sot po gjykohen në Hagë”, potencoi ai.
Po ashtu, avokati beson se argumentet e lartpërmendura janë vetëm disa nga faktorët që kontribuuan në vazhdimin e paraburgimit të ish-presidentit Thaçi.
“Mendoj se diskursi agresiv dhe këto që përmenda më lartë, janë vetëm disa nga faktorët që kanë kontribuar dhe që në vazhdimësi do të jenë shkak për mos lirimin nga paraburgimi të Hashim Thaçit, por ndoshta edhe të tjerëve, që të mbrohen në liri, sepse këto veprime gjykata sigurisht se i konsideron si ndërhyrje në procesin gjyqësor dhe që shtojnë rrezikshmërinë eventuale të të akuzuarve. Prandaj besoj se veprimet e gabuara ndaj gjykatës speciale, mund t’i dëmtojnë të akuzuarit e Hagës, por edhe të tjerët që do të pasojnë. Sa më shpejtë ndalet ky diskurs kundër gjykatës speciale, aq më mirë do të jetë për të akuzuarit”, vlerësoi Musliu.
Krejt në fund, ai përmendi edhe sulmet që po i bëhen Qeverisë së Kosovës karshi qëndrimeve të saj ndaj gjykimit të ish-krerëve të luftës.
Avokati rikujtoi se ishte vetë Thaçi që insistoi në formimin e kësaj gjykate, derisa bëri thirrje që të ndalen sulmet ndaj speciales në mënyrë që të mos pengohet puna e saj.
“Në këtë kontekst, një ish këshilltar i Hashim Thaçit, kritikon Qeverinë e Kosovës për mungesë reagimi ndaj vendimeve të gjykatës. Ky ish »këshilltar » duhet t’a dijë se prokurorët dhe gjyqtarët e Dhomave të Specializuara, nuk janë vendosur nga « Pronto » mafia, ka kaluar koha e qeverive të kaluara që i montojshin proceset gjyqësore ndaj kundërshtarëve politik dhe se vet shefi i tij ka qenë aktori kryesor për formimin e kësaj gjykate.
Edhe pse personalisht, që nga fillimi kam qenë kundër themelimit të Dhomave të Specializuara, sepse atë e kam konsideruar si gjykatë monoetnike, për çka kam shkruar disa herë, mirëpo tani askush nuk mund t’i ndryshojë rrjedhat e saj, prandaj nuk duhet të pengohet puna e saj, sepse kam bindjen e thellë se gjykata speciale në mungesë të argumenteve do t’i lirojë të akuzuarit, në të kundërtën do të dënohen në mënyrë të merituar, gjithnjë sipas Ligjit”, përmbyllë Skënder Musliu, përcjell “Bota sot”.