“Duhet të përballemi me problemet thelbësore të Kosovës, jo me një problemin e një are. Një arë e paska marrë, hajde ja paskemi falë. Jo 200, po 500 hektarë me ia falë Ramushit nuk bëhet kurrgjë. Nëse e krahasojmë kontributin, po them kështu, po flasim me merita. Atë se ka paguar askush me rrogë për të luftuar për Kosovën, i ka pasë ato merita të veta. Nuk besoj që duhet me falë nëse e ka shkelë ligjin nëse nuk e ka shkelë ligjin, s’kemi çka debatojmë për këtë”. Kjo deklaratë e deputeti të PDK-së, Xhavit Haliti lidhur me përplasjen në mes kryeministrit Albin Kurti dhe Ramush Haradinajt për 200 hektarë tokë shtetit të cilat Hardinaj i kishte blerë me çmimin prej vetëm 3 eurosh, ka nxitur reagime të shumta tek analistët dhe njohësit e zhvillimeve politike.
Një ndër të fundit që ka reaguar është edhe analisti politik, Gani Qarri. Ai i quan Halitin dhe Haradinajn zhvatës ordinerë, të cilët i dalin krah njëri tjetrit.
“Të mësuar ta vjedhin e zhvatin shtetin dhe plaçkitin çdo gjë të vlershme të vendit vet, për mbi 20 vite me radhë, pa u ndëshkuar asnjëherë nga prokuroria dhe gjyqësia e kapur, sot hajna e zhvatës ordiner mbrojnë publikisht njëri tjetrin, pa u frikësuar fare, se veprimet e tyre, mund të sanksionohen penalisht nga drejtësia inekzistente e Republikës së Kosovës. Madje ata që e kanë sjell gjendjen e një pjese të madhe të qytetarëve të këtij vendi, deri në atë shkallë mjerimi, sa që të mos kenë rrugëdalje tjetër përveçse të marrin rrugën e mërgimit dhe të ikin nga Kosova, për mbijetesë për vete dhe familjen, ish deputet e pushtetarë të kriminalizuar milioner, kanë filluar ti "miratojnë" edhe zhvatjet, plaçkitjet dhe përvetësimet antiligjore të njëri tjetrit, me arsyetimin se paskan luftuar dhe tani është „normale“ që Kosova të zhvatet prej tyre!”, thotë Qarri.
Sipas tij, Xhavit Haliti i humbur të gjitha lidhjet me realitetin, pasi ai kërkon që shteti t’i mbyllë sytë para skandaleve me toka.
“Prononcim të ngjashëm, deputeti i PDK-së, Xhavit Haliti dha edhe për Ramush Haradinajn, duke deklaruar se ai i ka meritat e tij, ndaj edhe me ia fal 500 hektarë tokë kreut të AAK-së, nuk bëhet nami, sepse atë nuk e paska paguar askush me rrogë për të luftuar!? Pra për mendësinë e njerëzve si z. Haliti, të cilët duket se i kanë humbur të gjitha lidhjet me realitetin, zhvatja dhe përvetësimi i kundërligjshëm i tokave dhe pasurive tjera të Kosovës, u dashka parë nga qytetarët e vendit si veprime normale dhe tërthorazi, ai sikur kërkon që edhe ne, ti mbyllim sytë para akteve të tilla të komandantëve e të merremi me problemet thelbësore të Kosovës dhe jo me problemin e një, apo të disa arave, sepse sipas tij, jo 200, por edhe 500 hektarë me ia falë Ramushit nuk bëhet kurrgjë”, shprehet Qarri.
“Pra në vend se Ramush Haradinaj, Xhavit Haliti e bashkë ideatorët e tyre, të bëhen shembull për funksionimin e ligjit dhe mbrojtjen e pasurive të Kosovës, ata edhe sot, duket se nuk kanë gjë tjetër në kokë, përveçse si të pasuroheshin për vete, pa marrë parasysh nevojat e shumë qytetarëve, të cilët ndoshta kanë vështirësi ta sigurojnë edhe bukën e gojës gjatë një viti dhe për shkak të mohimit të mbijetesës, nga njerëz të tillë, detyrohen të ikin nga vendi i vet, e të katandisen gjithandej botës. Madje sipas Halitit përveç kontributit që pa e paguar askush me rrogë, ka luftuar për Kosovën, ai paska jo vetëm merita por edhe të drejtë në përvetësime, ndaj dhe shprehet se s’kemi as çka debatojmë për këtë temë”, deklaron më tej Qarri.
Për fund, Qarri e quan skandaloze deklaratën e Xhavit Halitit, për të cilin thotë se është i përfshirë në privatizim të tokave.
“Përgjigje të tilla, përveçse janë skandaloze dhe shumë dëshpëruese për popullin dhe qytetarët e Kosovës, krijojnë edhe dyshime se Xhavit Haliti, nuk po kërkon faljen e tokës shtetërore vetëm për Ramush Haradinajn, të cilën ai po e quan edhe tokë të “babës”, por po sinjalizon se edhe vet Haliti, bashkë me shumë shokë, janë të përfshirë në pazare me tokat e Kosovës, gjë me të cilën, sikur të kishte shtet të së drejtës, veprime të tilla, qysh moti, do të ishin trajtuar ligjërisht”, përfundon për gazetën “Bota sot”, analisti politik, Xhavit Haliti.