“Kurti mos t’i përdor në Kuvend”/Kryeministrit i vjen thirrja lidhur me Haradinajn dhe ata që abuzuan me pasuritë e Kosovës

Politika

“Kurti mos t’i përdor në Kuvend”/Kryeministrit i vjen thirrja lidhur me Haradinajn dhe ata që abuzuan me pasuritë e Kosovës

Nga: G.B Më: 20 dhjetor 2021 Në ora: 08:00
Ramush Haradinaj, Albin Kurti

Kryeministri Albin Kurti dhe deputeti i AAK-së, Ramush Haradinaj janë përplasur sërish në Kuvend.

Këtë herë për shkak të 200 hektarë tokë të blerë nga lideri i AAK-së.

Kryeministri ka propozuar që Haradinaj t’ia kthejë shtetit ata hektarë dhe atij t’i kthehen 70 mijë euro për tokën.

Kjo ka bërë që të reagojë Haradinaj, duke thënë se ajo tokë ka qenë e babait të tij dhe është në katundin e tij në Gllogjan.

Për përplasjen e tyre dhe propozimin e kryeministrit, për gazetën “Bota sot” ka folur profesori Enver Bytyçi.

Ai ka thënë se janë përmendur emra të shumtë për blerje të tokave me çmim shumë të lirë, të cilat i kanë shitur pastaj me çmim tejet të lartë dhe për këtë kanë keqpërdorur pozitat zyrtare, derisa këto që janë shkruar në media nuk janë përgënjeshtruar nga ata.

Image
Enver Bytyçi

“Ka muaj që në Kosovë bëhet retorikë për fenomenin e blerjes me 5, 10 a 15 euro të një ari tokë (100 m2). Janë përmendur emra të shumtë, si Sami Lushtaku dhe Ramush Haradinaj, apo Gani Thaçi e të tjerë njerëz me kontribute në Luftën e Kosovës. Më pas thuhet se po këta persona e kanë shitur me 5000 apo 7000 euro këtë sipërfaqe toke. Më e keqja është se këta duket se kanë shfrytëzuar pozitat në pushtet për të blerë lirë e shitur 1000 herë më shtrenjtë, sepse kanë ditur intenerarin e ndërtimit të autostradave dhe kanë fitimin njëmijë fish e kanë realizuar me shpronësimin e këtyre tokave të blera e me paratë e shtetit. Së paku të gjitha këto i kam lexuar në medie, sepse unë vetë nuk jam në Kosovë, që të di saktësisht të vërtetën. Megjithatë, nuk kam vërejt se dikush ka bërë ndonjë përgënjeshtrim për akuzat që janë ngritur. Thjesht përgjigjet kanë qenë retorike”, është shprehur ai.

Sipas profesorit, deklarata e Xhavit Halitit se Haradinaj i duhet falur tokë aq sa ka blerë e justifikon atë që kanë bërë miqtë e tij dhe abuzimi me luftën është njolla më e rëndë e veprimeve të tilla.

““Fatkeqësisht në retorika të tilla ka pasur edhe deklarata të tillë si “Ramushit duhet me ia dhanë edhe aq tokë sa ka ble”! Kjo deklaratë e Xhavit Halitit në fakt nuk kishte për objekt ish-kryeministrin Haradinaj. Qëllimi i tij ishte që të justifikonte abuzimet e tij e të miqve të partisë së tij me pronat e Kosovës pas luftës. Për më tepër në emër të luftës! Ndoshta abuzimi me luftën është njolla më e rëndë e veprimeve të tilla. Nëse dikush lufton kundër grabitjes së atdheut nga pushtuesi, është poshtërsi që të bëjë njësoj pasi ta çlirojë atdheun e tij. Kjo i bie sikur të luftosh për plaçkë e jo për atdhe e për komb. Por me këto që them nuk kam asnjë arsye të akuzoj p.sh Ramush Haradinajn, për të cilin ju pyesni. Sepse sa kohë që nuk provohen akuzat në gjykatë, aq kohë të gjithë këta janë të pafajshëm”, ka vlerësuar Bytyçi.

Ai ka shtuar se nuk do që Kurti nga posti i kryeministrit t’i përdorë këto akuza por që nëse ata politikanë kanë bërë shkelje ligjore, të dalin para drejtësisë.

“Nuk do të doja që Albin Kurti në postin e kryeministrit të merret me retorikë e t’i përdorë këto akuza për kapital politik. Ai ka marrë mandate që të qeveris, jo të bëjë politikë. Nëse Ramush Haradinaj, Sami Lushtaku, Gani Thaçi, Azem Syla, Xhavit Haliti apo autori i PRONTO-s, Grabovci, kanë bërë shkelje ligjore, kanë abuzuar me pasuritë e Kosovës dhe me pushtetin që ua ka dhënë zgjedhësi, të gjithë këta duhet të dërgohen para drejtësisë. Është drejtësia ajo që provon ose jo fajësinë e tyre”, ka deklaruar profesori për “Bota sot”.

Ai ka thënë se nëse nuk ka besim të drejtësia, duhet të bëjë reformë gjyqësore dhe atyre politikanëve tu provohet fajësia vetëm përmes drejtësisë.

“Mund të mos kesh besim te prokuroria dhe te gjykata. Atëherë bën reformën gjyqësore dhe vendosi gjërat në vendin e vet. Unë e kuptoj se deri tani prokurorët dhe gjyqtarët kanë qenë nomenklaturë e Hashim Thaçit dhe ata i detyrohen atij për privilegjet që kanë. Nuk them për të gjithë, por edhe sikur gjysma të jetë e kësaj kategorie, që më shumë e vlerëson vendin e punës si dhuratë të Hashimit e jo si meritë të vetën, nuk janë pak që ta deformojnë drejtësinë. Por përveç drejtësisë nuk ka ndonjë mundësi tjetër për të provuar fajësinë e qytetarëve dhe politikanëve të Kosovës. Por kryeministri, ministrat nuk bëjnë dhe nuk duhet të bëjnë retorikë politike. Nuk duhet të marrin shembullin e keq të Shqipërisë, ku bëhet vetëm retorikë politike e asgjë tjetër. Me politikën le të merren ata që kanë funksione thjesht partiake. Qeveria është e të gjithë qytetarëve, madje edhe e Ramush Haradinajt dhe nuk ka pse të luftohet politikisht as në parlament. Edhe nëse opozita e tepron, kryeministri ka detyrë të japë shpjegime të realitetit që ekziston pa retorikë dhe kundërakuza politike”, ka potencuar ai.

Më tej, Bytyçi ka theksuar se as Haradinaj nuk ka pse të bëjë arsyetime të tilla që e ka blerë tokën e babës së tij pasi toka e babës trashëgohet dhe askush nuk i beson se e ka blerë.

“Ramush Haradinaj e gjithë të tjerët të akuzuar për tjetërsim e grabitje pronash duhet të shkojnë para drejtësisë. Edhe vetë Rambo nuk ka pse bën arsyetime se ka blerë ose jo tokën e babës. Sepse askush nuk beson se dikush blen tokën e babës. Nëse blen, atëherë objekti, prona i takon dikujt tjetër dhe jo prindërve të tu. Ndoshta ia blen edhe vëllait, por askush nuk blen tokën e babës. Toka e babës trashëgohet”, ka shtuar profesori.

Krejt në fund, ai ka thënë se duhet larguar nga deklarimet politike dhe retorika dhe për të gjitha akuzat i duhet drejtuar gjykatës.

“Megjithatë duhet të largohemi nga deklarimet publike e politike. Është gjykata ajo që provon të vërtetën. Mbas gjykatës duhet të heshtin të gjithë tjerët. Unë besoj se Kosova ka nevojë për veprime konkrete dhe jo për krijimin e një atmosfere ndotëse me sharje, akuza, kundër-akuza dhe grindje. Shteti i së drejtës nuk duron retorikë, bazohet në drejtësinë, pavarësisht për kë, për politikanë të lartë apo të ulët, për eksponentë të politikës e jetës publike apo çfarëdo qoftë”, ka deklaruar Enver Bytyçi për gazetën “Bota sot”.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat