Autoritetet amerikane me 8 dhejtor të këtij viti, kanë futur në listën e sanksioneve një grup të organizuar kriminal ndërkombëtar, që përbëhet nga serbët nga Kosova: Millan Radoiçiq, Zvonko dhe Zharko Vesellinoviqi, Srgjan Vulloviqi, Zhelko dhe Andrija Bojiqi dhe Radulle Steviqi.
Në komunikatën e Departamentit amerikan të Thesarit, Zvonko Vesellinoviq identifikohet si udhëheqës i Grupit të Krimit të Organizuar dhe gjithashtu si një nga figurat më famëkeqe të korrupsionit në Kosovë.
Grupi i tij është i angazhuar në skema të mëdha të ryshfetit me zyrtarë të sigurisë, shqiptarë dhe serbë, të cilët ia lehtësonin trafikimin e paligjshëm të mallrave, parave, narkotikëve dhe armëve midis Kosovës dhe Serbisë, thuhet në komunikatë.
Sipas saj, grupi gjithashtu ka bërë komplot me politikanë të ndryshëm për favore të ndërsjella, përfshirë dhënien e ryshfetit zyrtarëve kosovarë të sigurisë, për të lejuar operacione të tyre të kontrabandës midis Serbisë dhe Kosovës në fillim të vitit 2019 dhe dhënien e ryshfetit zyrtarëve kufitarë të Kosovës për t’iu lejuar kontrabandistëve kalim të sigurt në fund të vitit 2017.
Megjithatë, deri tash, Kosova nuk ka ndërmarr asnjë masë ndaj këtyre kompanive e individëve, të cilët janë pjesë e grupit ndërkombëtar të krimit.
Në anën tjetër zyrtarë të lartë amerikan, kanë kërkuar nga Serbia që t’i bëjnë përgjegjës edhe individët edhe kompanitë e tyre për krimet.
Por, shtrohet pyetja pse nuk po shpallen në kërkim nga Kosova, dhe pse nuk po hetohen dhe bllokohen këto kompani në Kosovë?
Ushtruesi i detyrës së ndihmësit të sekretarit amerikan të Thesarit, Paul Ahern, deklaroi në Beograd se të gjithë ata serbë nga veriu i Kosovës, të cilët i sanksionoi SHBA-ja, duhet të mbahen përgjegjës.
“Individët dhe kompanitë në cak të këtyre sanksioneve, duhet të mbahen përgjegjëse, ndërsa aktivitetet e tyre, të cilat shkaktojnë destabilitet, duhet të ndalen”, citon deklaratën e Ahernit Ambasada amerikane në Serbi.
Qarri: Agim Veliu urdhëroi Prokurorinë për heqjen e akuzave kundër tyre
Gani Qarri
Analisti politik, Gani Qarri pohon se, ajo prokurori dhe gjyqësi e cila vetëm pak kohë më parë, me porosi nga lartë, ka liruar kriminelët nga ndjekja dhe arrestimi, duke ua hequr edhe aktakuzat që ishin ngritur kundër tyre, siç ndodhi me Milan Radoiçiqin, është pak e besueshme se tani, pa asnjë ndryshim dhe reforma të thella brenda saj, e njëjta t’i ndjekë të njëjtit kriminelë që veprojë ligjërisht kundër individëve dhe firmave të kriminalizuara të udhëhequra nga ta dhe bashkëpunëtorët e tyre.
“Madje duke pasur parasysh faktin se siç përflitet në opinion, ishte vet ish Ministri i Punëve të Brendshme Agim Veliu, ai i cili urdhëroi Prokurorinë t’i hiqet aktakuza dhe kërkonte gjykatës përkatës në Prishtinë që ta lironte edhe nga ndjekja njërin nga kriminalët kryesor të Veriut, si Milan Radoiçiq, Kosova pothuajse e ka të pamundur të ndërmerr masa ligjore ndaj kompanive dhe individëve të inkriminuar serbë, si pjesë e grupit ndërkombëtar të krimit, përderisa prokuroria dhe gjyqësia mbeten të kapura dhe nuk punojnë për mbrojtjen e shtetit e zbatimin e rendit e të ligjit, por u janë nënshtruar politikanëve të inkriminuar, nga të cilët komandohen, kur ku dhe si të veprojnë”, thotë ai.
Prandaj, sipas tij, megjithëse zyrtarët e lartë amerikan, pas shpalljes së vendimit të Departamentit të Thesarit të Shtetit, i kanë kërkuar edhe Serbisë t’i bëjë përgjegjës individët dhe kompanitë e tyre për krimet e shkaktuara në Kosovë, është Kosova ajo që pa reforma të thella dhe një Vetting të mirëfilltë në prokurori e gjyqësi, me njerëzit aktual në këto institucione, nuk mund të ndërmarr pothuajse asgjë në këtë drejtim.
“Për aq më tepër edhe kur janë shpall në kërkim dhe nisur forcat e rendit për arrestimin e kriminelëve serb të veriut, Milan Radoiçiqi personalisht, është lajmëruar nga bashkëpunëtorët shqipfolës nga Prishtina, që të largohej nga shtëpia, sepse njësitë speciale ishin nisur për arrestimin e tij. E krejt kjo dëshmon më së miri, se kriminelët edhe po të shpallen në kërkim nga Kosova, dhe të hetohen e bllokohen kompanitë e tyre në Kosovë, siç kemi parë së fundi, firmat e inkriminuara serbe si ajo RAD, janë vetëm nënshkrues të tenderëve të marrë nga qeveritë e udhëhequra prej politikanëve të inkriminuar shqipfolës në Prishtinë, ndërsa punimet i kryenin firmat nënkontraktore shqiptare, nga e gjithë Kosova”, potencon Qarri.
Ai tregon edhe pse u kritikua aksioni i Policisë së Kosovës në veri të vendit nga opozita.
“Sikur mos të mjaftonin të gjitha këto, edhe me rastin e aksionit të fundit të njësiteve policore të Kosovës në veri të vendit, Qeveria Kurti dhe dërgimi i policisë atje, më shumë u kritikua nga partitë e inkriminuara shqiptare në opozitë, nga frika e dëmtimit të interesave personale të udhëheqësve të tyre, të cilët janë të lidhur këmbë e krye me kriminelët kryesor të bandave në Veri, Zvonko Veselinoviq e Milan Radoiçiq si dhe ndërmjetësuesit e BE-së për dialog, Lajçak dhe Borell, se sa, nga vet Serbia”, shton ai.
Sipas tij, të vetmit që kanë dalë hapur kundër veprave kriminale dhe kanë theksuar me emër e mbiemër bartësit e krimit të organizuar në Veri të Kosovës, janë amerikanët.
“Është ushtruesi i detyrës së ndihmësit të sekretarit amerikan të Thesarit, Paul Ahern, i cili nga Beogradi deklaroi publikisht se të gjithë ata serbë nga veriu i Kosovës, individët e kompanitë e tyre të vendosura nën sanksione të SHBA-ve duhet të mbahen përgjegjëse dhe veprimet e tyre që shkaktojnë destabilitet, duhet të ndalen menjëherë, citohet deklarata e Ahernit në Ambasadën amerikane në Serbi”, përfundon analisti politik Gani Qarri.
Burjani: Duhet lëshuar arrest ndërkombëtar kundër grupeve mafioze në veri
Blerim Burjani
Në anën tjetër, juristi Blerim Burjani, thotë se duhet të shpallet një arrest ndërkombëtar për personat në fjalë që Kosova të veproj kundër tyre.
“Kjo çështje ende është në pritje. Ndoshta të një konsensuesi ndërkomëbtar për ndjekje. Organet tona të drejtësisë kanë bashkëpunim me EULEX-in. Meqense shpallja në listën e zezë të këtyre persona është bërë nga politika, atëherë mbetet politike. Për të ndikuar drejtësia ndërkombëtare duhet të shpallë një arrest ndërkombëtar për këta persona, e që nuk ka ndodnjë deri tash të iniciuar nga SHBA, pra çështja është në pritje. Prokuroria e Kosovës mund të veproj, mund të nxjerr kërkesën për arrest, por të gjitha mekanizmat po heshtin në këtë kohë”, potencon Burjani.
Ai shton se nëse ndodh kjo varet nga përceptimi i Prokurorisë.
“Tash në këtë çështje duhet të bashkëpunojë edhe Serbia në kapjen e tyre, e ajo i fsheh vet ata dikund në Serbi dhe i kanë shpall ‘heronjë’”, thekson ai.
Sipas tij, Serbia nuk i shpall në kërkim për arrestimin e tyre.
“Kosova nuk mund t’i kap ata, kështu qëndron gjendja. Kompanitë udhëheqen nga këta njerëz që janë përgjegjës individët që kanë themeluar biznese. Pra, nuk mjafton lista por mjaftojnë aktet vepruese të Prokurorisë dhe gjyqësisë, gjë që e ka hap rrugën SHBA-së që këta persona të ndalen dhe arrestohen dhe të dënohen për krimet e veprat e ndryshme të kontrabandës”, përfundon Blerim Burjani.