Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama e ka ftuar presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq që të qëndrojë në Tiranë më 20 dhe 21 dhjetor. Kjo vizitë e Vuçiqit do të zhvillohet me rastin e takimit të radhës të nismës rajonale “Ballkani i hapur”.
Por, shqiptarët nuk po e mirëpresin këtë vizitë të Vuçiqit në Shqipëri.
Më 20 dhjetor është paralajmëruar protesë gjithëkombëtare në Tiranë.
Ideator i kësaj proteste është ish-kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha, dhe mbështetet nga PD-ja, krahu i tij. Ai para mediave ka deklaruar se “Ballkanit të Hapur” është totalisht një projekt për hegjemoninë serbe në Ballkan dhe se është kundër nismës së Berlinit.
“Është thirrur një protestë me urgjencë, për shkak të një agjende të papritur të Vuçiç në Tiranë për “Ballkanin e hapur”, që është totalisht një projekt për hegjemoninë serbe në Ballkan dhe vendosjen e Kosovës nën darët e klikave. Kjo është një nismë kundër nismës së Berlinit. Ditën e hënë në orën 4.00 do të jemi të gjithë në Tiranë në një protestë të fuqishme”, ka thënë Berisha.
Në një tjetër paraqitje, për media Berisha e ka quajtur Vuçiqin “Sllobodani i ri” dhe ka thënë se do ta pritnin atë ashtu si e meriton.
“Ditën e hënë në ora 16:00 të mblidhemi përpara Kryeministrisë dhe në këtë shesh në protestën e parë kombëtare të shpallur. Duhet ta pranoj, jashtë parashikimit si kohë, por rrethanat dhe zhvillimet e bënë të nevojshme. Sllobodani i ri, ish-gebelsi i Millosheviçit do të pritet ashtu siç e meriton, me protesta, pasi vjen këtu në kuadrin e një projekti të aleancës trilaterale të Beogradit me dy vasalët në Ballkan. Është kërcënim për paqen dhe stabilitetin. Kjo aleancë është vendosje e hegjemonisë serbe në këtë rajon”, ka deklaruar Berisha.
Qarri: Bashkimi i shqiptarëve mund ta anuloj vizitën e Vuçiqit
Gani Qarri
Ndërkaq, analisti tjetër, Gani Qarri, në një prononcim për “Bota sot”, ka deklaruar se është koha që të bashkohen të gjithë shqiptarët dhe të tregojnë forcën dhe unitetin e tyre kombëtar.
“Për të gjithë shqiptarët është shumë e rëndë që shteti amë, edhe sot, qysh nga themelimi e këndej, tradicionalisht të udhëhiqet nga serbofil e vegla të tyre dhe "anti-kosovarët" më të pandreçshëm, që nga Ahmet Zogu e Enver Hoxha, e së fundmi edhe sharlatani shqipfolës politik Edvin Kristaq Rama, njerëz që kanë turpëruar shumë gjenerata dhe vazhdojnë ta nëpërkëmbin mbar kombin.”
Për hir të kriminelit Vuçiq mos të shkelin mbi gjakun e derdhur të heronjve
Ai mendon se është koha e fundit për t’u bashkuar kundër forcave negative të Vuçiqit dhe mbështetësve të tij shqiptarë.
“Ndaj është koha e fundit që të bashkohen të gjithë shqiptarët dhe të tregojnë forcën dhe unitetin e tyre kombëtar, për t`iu kundërvënë me sukses qëllimeve kobëzeza serbosllave për përçarjen dhe thellimin e ndasive ndërshqiptare, në kolaborim me shërbëtorët e Serbisë në Shqipëri dhe njerëzve që për hir të kriminelit Vuçiq duan të shkelin me të dy këmbët mbi gjakun e derdhur të heronjve e dëshmorëve dhe kanë për qëllim ta përdhosin gjithë historinë e dhimbshme të shqiptarëve nën pushtimin gati një shekullor sllav”, ka thënë ai për “Bota sot”.
Po ashtu, Qarri thotë se njëri nga ata, që me çdo kusht don ti mbulojnë krimet dhe gjenocidin shtetëror të Serbisë okupatore mbi shqiptarët në Kosovë, është vet kryeministri aktual Edvin Kristaq Rama.
Më tej, Qarri ka përkrahur protestën e paralajmëruar nga Berisha, ku i ka ftuar edhe qytetarët e Kosovës që të marrin pjesë në të, pasi që në këtë mënyrë mundet edhe të anulohet vizita e Vuçiqit në Tiranë.
“Por megjithatë, siç njoftohet nga z. Berisha, protestat masive në Shqipëri kundër koketimit të Edvin Kristaq Ramës me kriminelin serbo-madh Aleksandër Vuçiq, në dëm të shqiptarëve dhe veçanërisht me qëllime eksplicite për izolimin e Kosovës, asnjë incident ndërmjet demokratëve, as tentativat e Edvin Ramës, nuk do të mund ti ndalin as minimizojnë, ndaj do të ishte mirë që atyre tu bashkohen edhe qytetarët e Kosovës dhe përmasat dhe porosinë kombëtare të tyre, ta kuptojnë drejtë, që të dy ata”.
Qarri thotë se Dr.Sali Berisha, pikërisht për hir të Kosovës dhe çështjes shqiptare, ka paralajmëruar protesta masive kundër vizitës së kriminelit Vuçiq në Shqipëri, si dhe kundërshtarit shqipfolës të shtetit të pavarur të Kosovës, Edvin Kristaq Rames, këtyre protestave kombëtare, duhet tu bashkohen pa asnjë kursim dhe në përmasa sa më masive edhe shqiptarët kudo e veçanërisht ata të Kosovës.
“Sa më i madh dhe masiv të jetë numri i protestuesve nga Shqipëria, Kosova dhe trojet tjera shqiptare, madhështia e tyre në Shqipëri, mund të bëjë edhe mrekullinë, që me 20 dhjetor, te anulohet tërësisht vizita e kriminelit Vuçiq në Tiranë”, thotë ai.
Në fund, ai ka treguar se a mund të paraqet rrezik mbajtja e kësaj proteste kombëtare.
“Dhe protestat kombëtare si këto, jo vetëm që nuk bartin asnjë rrezik, për Shqipërinë dhe shqiptarët, por ato edhe do ta ndalojnë ndikimin e pafund të Serbisë në Shqipëri që veçanërisht me kooketimet e pareshtura të Edvin Kristaq Ramës me kriminelin Aleksandër Vuçiq, ka marrë hov të madh, si dhe bëjnë me dije kriminelit Vuçiq dhe argatit të tij Rama, se shqiptarët vërtetë janë një popull e do të jenë gjithmonë bashkë, dhe tash as në të ardhmen, kurrë nuk do të jenë aq të ndarë e të pa bashkuar, sikur që ka dëshirë dhe ëndërron Vuçiqi dhe Serbia, e ndoshta edhe vet Edvin Kristaq Rama”, ka përfunduar Qarri për “Bota sot”.
Eskalimi i situatës në protestë/ Duhanaj: Nuk ndodhë asgjë
Leon Duhanaj
Leon Duhanaj, në një prononcim për “Bota sot”, ka thënë se Berisha nuk guxon që për interesa të tij ta ngrejë edhe shtetin në zhvillime të rrezikshme.
“Për mendimin tim, z. Sali Berisha, pas kualifikimit si "persona non grata" nga SHBA, duket të jetë në presion të madhë dhe në kërkim të mënyrës me të cilën ai mendon që mund ta rehabilitojë vetën e tij. Për mendimin tim, pikërisht kjo mënyrë është në kundërshtim me atë që do duhet të bënte. Sali Berisha, nuk guxon që për interesa private të ngrejë edhe shtetin në zhvillime të rrezikshme”, ka deklaruar ai për “Bota sot”.
Sa i përket asaj se a mund të ketë eskalim të situatës gjatë kësaj proteste, e cila pritet të mbahet, Duhanaj ka thënë se nuk pret të ndodhë një gjë e tillë.
“PD, vërtetën që ka lidership të dobët z. Basha, por kjo mënyrë e sjelljes, nuk është për ta ndryshuar atë, por për ta rehabilituar Berishën. Do të duhej të iknin që të dy, në mënyrë që PD të përparojë.
Në anën tjetër, po ashtu mendoj që Berisha po ashtu temën e Shqiptarisë, dëshiron ta shfrytëzojë për interesin e tij, sepse President i Serbisë, dhe vizita e tij, nuk duhet të shfrytëzohen për qërim hesapesh ndërmjet vete këtu. Nuk ndodhë asgjë, aq sa nuk ka ndodhur me herët në vizitat tjera”, ka thënë ai.
Më tej, ai ka folur edhe për qëndrimin e Ramës për çështjne e Ballkanit të Hapur , duke thënë se duhet pasur fakte nëse kryeministri i Shqipërisë është kundër Kosovës.
“Berisha nëse synon destabilizimin e Shqipërisë, atëherë ose ka ndonjë agjendë, e cila shkon në kundërshtim me interesin kombëtarë, ose do ta bëj kurban Shqipërinë për interesa private”, ka vlerësuar Duhanaj për “Bota sot”.