Ish-kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha, ka thirrur protestë kombëtare për sot, kur në Tiranë pritet të mbërrijë presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, në kuadër të agjendës së nismës rajonale “Ballkani i Hapur”.
Berisha deklaroi ditë më parë që “Sllobodani i ri” do të pritet në Shqipëri, ashtu siç e meriton.
Berisha thekson se përveç vizitës së Vuçiqit dhe asaj që ai e quan pakti kombëtar me Ramën, do të protestohet edhe kundër vjedhjes në skandalin inceneratorët.
Lidhur me këtë, juristi Muhamet Kelmendi, në një prononcim për “Bota sot”, ka deklaruar se tani edhe pse po zhvillohet takimi i radhës për “Ballkanin e Hapur”, Kosova e vlerëson të dëmshëm, kjo për faktin se Serbia nuk po e njeh Kosovën, nuk jep as përgjegjësi për dhunën e terrorin, madje punon vazhdimisht kundër Kosovës, kështu duke pretenduar edhe ndarjen.
“Kundër vizitës së kriminelit Vuçiq dhe politikës serbe duhet demonstruar në Tiranë, tash po zhvillohet në Tiranë takimi i radhës midis tri shteteve, Shqipërisë, Serbisë e Maqedonisë së Veriut, lidhur me "Ballkanin e Hapur". Nga Kosova është vlerësuar ky si një mekanizëm i dëmshëm, sepse Serbia ende nuk ka marrë asnjë veprim për të përmirësuar raportet me Kosovën. Nuk e njehë shtetin e Kosovës. Nuk po i gjen të masakruarit të bartur nga Kosova në Serbi dhe nuk po jepet përgjegjësi për dhunën e terrorin. Askush nuk është përgjigjur për dëbimet masovike të shqiptarëve dhe përdhunimet. Nuk ka bërë as reparacione të luftës. Për më tepër, punon vazhdimisht kundër shtetit të Kosovës dhe pretendon ripushtimin a ndarjen e Republikës. Këto janë faktet pse Kosova është kundër”, tha ai.
![Image](/media/botasot.info/images/2021/December/20/auto_1-82-750x450-11640006735.jpg)
Sipas Kelmendit, Kurti duhet të jetë prezentë dhe të sqarojë rëndësinë e njohjes së Kosovës,
Ai thekson se në demonstrata duhet të marrin pjesë masovisht, por kërkesat tjera të mos paraqiten, pra duhet të jenë vetëm kundër Vuçiqit, dhe politikës serbe kundruall Kosovës.
“Por, është gjithashtu edhe fakt se Kryeministri i Kosovës duhet të jetë prezentë në Tiranë për të mbrojtur edhe një herë, për të sqaruar rëndësinë e njohjes së shtetit të Kosovës nga Serbia. Kjo ka rëndësi për tu kuptuar nga masat në Shqipëri që ende qëndrojnë pas këtij koncepti ballkanik, shkakun pse është Kosova kundër. Në këtë anë është edhe vizita e kriminelit Vuçiq në Tiranë. Këtu del shkaku i demonstrimit në Tiranë. E mirë është të marrin pjesë masovisht. Natyrisht se kërkesa tjera nuk duhet të paraqiten në demonstratë. Çdo kërkesë a manifestim me qëllime tjera e dëmton rëndësin e demonstratës dhe mbetet kjo vetëm si pretekst. Demonstrata duhet të jetë kundër Vuçiqit, shtetit serb dhe politikës serbe kundruall shqiptarëve dhe Kosovës. Këtu duhet përqendruar manifestimin. Asgjë tjetër nuk duhet lejuar”, ka përfunduar ai.