Fundi i praktikave kriminalo-korruptive që funksionuan pa asnjë pengesë tash e 20 vite

Politika

Fundi i praktikave kriminalo-korruptive që funksionuan pa asnjë pengesë tash e 20 vite

Nga: M.L. Më: 21 dhjetor 2021 Në ora: 20:00
Foto ilustrim

Një projektligj i ri për Financimin e subjekteve politike pritet të dërgohet në Kuvendin e Kosovës. Ditë më parë u mbajt një diskutim publik i organizuar nga Qeveria e Kosovës lidhur me këtë Projektligj.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë se është mjaft e nevojshme që Projektligji për Financimin e partive politike të miratohet.

Kreu qeveritar tha se duhet të dihen saktë burimet e financimit të partive politike.

Lidhur me këtë, Gani Qarri, komentues i zhvillimeve politike thotë se për të përfunduar praktika kriminalo-korruptive që ka funksionuar tash e 20 vite, duhet të vihet në funksion Ligji i financimit të partive politike.

Duhet të miratohet një ligjit për financimin e partive politike në Kosovë, me të cilin do të përcaktoheshin qartë, si në të gjitha vendet tjera, prejardhja dhe burimet e financimit të secilit segment partiak dhe të përfundojë njëherë e përgjithmonë, financimi i partive politike nga fondet e parave të pista, burimet e dyshimta dhe pa asnjë transparencë e llogaridhënie.

Prandaj për të përfunduar praktikat kriminalo-korruptive që ka funksionuar pa asnjë pengesë, përreth dy dekada të qeverisjeve të inkriminuara, edhe në Kosovë duhet të vihet urgjentisht në funksion Ligji i financimit të partive politike”, thotë Qarri për “Bota sot”.

Sipas tij, ky ligj ishte bllokuar qëllimshëm dhe asnjëherë nuk u lejua të jetësohej në praktikë, nga partitë e inkriminuara.

“Madje nuk është vetëm kryeministri Kurti, që e sheh të nevojshme miratimin e Projektligjit për financimin e partive politike, në fakt miratimi i këtij ligji, ka qenë kërkesë e kahershme e vet BE-së, por ai ishte bllokuar qëllimshëm dhe asnjëherë nuk u lejua të jetësohej në praktikë, nga partitë e inkriminuara të cilat për mese 13 vite pareshtur, sunduan në mënyrë arbitrare pa i dhënë përgjegjësi askujt, për asgjë në këtë vend”, shton ai.

Përfshirja e një neni të veçantë

Qarri ka shpjeguar edhe atë se çka do të duhet të përmbajë Projektligji për Financimin e subjekteve politike.

Por, për të qenë i suksesshëm dhe treguar efekte pozitive në implementimin e tij, në ligjin e financimit duhet të inkorporohet edhe një nen i veçantë, i cili detyron partitë politike për transparencë dhe obligon secilin segment partiak, tu përmbahet shumave të lejuara me ligj, duke paraqitur burimet e financimit dhe siguruar transparencë të plotë për votuesin e Kosovës, opinionin publik dhe gjithë qytetarët e vendit, mbi mënyrat dhe burimet e financimit të tyre.

Ligji për financim, pas miratimit, duhet të jetë obligativ për të gjitha Partitë Politike, edhe nëse nuk janë të gatshme, që në mënyrë të vullnetshme të deklarojnë prejardhjen e financimit, ato duhet ti përmbahen në mënyrën më rigoroze rregullave obligative të këtij ligji, me të cilat përcaktohen qartë shumat e lejuara, burimet e financimit, si dhe do të ofrohej transparencë maksimale para shtetit, ligjeve të vendit dhe të gjitha palëve të interesuara”, nënvizoi ai.

Të insistohet medoemos në konsensusin e përgjithshëm politik për miratimin e këtij ligji

Prandaj, analisti Qarri thotë se, meqenëse transparenca e financimit të partive politike ka rëndësi të madhe dhe me të drejtë konsiderohet edhe shumë qenësore për qytetarët dhe shtetin e Kosovës.

“Kjo duke pasur parasysh përvojat e mëhershme dhe mënyrën krejt jo transparente me të cilën janë financuar, në të kaluarën, sidomos segmentet më të mëdha politike dhe ato parti që për kohë të gjatë ishin në pushtet, të cilat edhe kanë abuzuar më së shumti në këtë drejtim, është e nevojshme të insistohet medoemos në konsensusin e përgjithshëm politik për miratimin e këtij ligji kaq të rëndësishëm për vendin”, potencon ai.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat