Kuvendi i Kosovës vazhdon të shfrytëzohet si “arenë” përplasjesh ndërmjet subjekteve politike. Rasti i fundit ishte debati ndërmjet deputetes së Partisë Demokratike të Kosovës, Ganimete Musliu dhe Ministrit të Bujqësisë, Faton Peci.
Debati që nisi rreth granteve për fermerët që ministria e drejtuar nga Peci i ka anuluar për herë të dytë, eskaloi në fyerje ndër-personale ndërmjet dy vartësve të shtetit.
Deputetja e PDK-së hodhi gotën me ujë në drejtim të ministrit të Bujqësisë, ndërsa fjalën “rrugaç” nuk e lëshonte nga goja.
“E di unë sesi janë udhëzu fermerët për subvencione. Por, sa të jam unë ministër nuk do të ketë korrupsion aty. Ndaç gjuani me ujë, ndaç gjuani me plumba – qysh keni gju në të kaluarën – nuk ka bir nane që e ndal Faton Pecin me e luftu krimin dhe korrupsionin”, ka thënë Peci.
Nuk është hera e parë që plumbat përmenden në Kuvendin e Kosovës. Plumbat ua kujtojnë shqiptarëve pjesën më të dhimbshme të historisë, luftën. Por, plumba për fat të keq janë shkrepur edhe pasluftës. Janë shkrepur nga shqiptarët për shqiptarët.
Andaj, nuk ishte e rastësishme deklarata e ministrit Peci, i cili e akuzoi PDK-në se ka gjuajtur plumba edhe në të kaluarën.
Shumë zyrtarë të subjektit që dikur i takonte ministri Peci (LDK) ishin në shënjestër të plumbave, derisa dorasit nuk janë zbardhur ende.
Të rrallë ishin zërat brenda LDK-së që ia përmendën plumbat PDK-së. Mbase edhe mund të kenë vepruar mirë duke qenë se janë thirrur si institucionalistë dhe zbardhjen e vrasjeve ia kanë lënë në dorë drejtësisë.
Por, Kosova ka pasur dhe vazhdon të ketë një sistem drejtësie që asnjëherë nuk ka funksionuar siç duhet.
Kjo edhe ka çuar në themelimin e Gjykatës Speciale, kundër së cilës është shprehur vazhdimisht deputetja Ganimete Musliu.
Vlen të ceket se janë pikërisht zyrtarë e ish zyrtarë të PDK-së, që aktualisht po hetohen nga kjo Gjykatë. Të gjithë ata akuzohen (në aktakuzën e përbashkët) edhe për vrasje të kundërshtarëve politik.
Natyrisht, aty përmendet edhe LDK-ja, të cilës i janë vrarë qindra anëtarë e zyrtarë gjatë dhe paslufte.
Është pikërisht qeveria e udhëhequr nga PDK-ja e Ganimete Musliut që me mospunën e saj në sistemin e drejtësisë, ia solli Kosovës Gjykatën Speciale.
Po të kishim një sistem drejtësie të mirëfilltë, Kuvendi i Kosovës nuk do të bëhej vendi ku lëshohen akuza për plumba, por Gjykata do t`i gjykonte ata që shkrepën plumba pas shpine.
Kurse, për debatin Musliu-Peci rreth granteve bujqësore punën më efikase do ta kryente një gjykatë për hetimin e krimeve ekonomike.