Banka Qendrore e Kosovës, pak ditë më parë ka raportuar se për momentin nuk mban në portofolin e saj rezerva ndërkombëtare në ari dhe metalet e tjera të çmuara.
Lidhur më këtë ҫështje, gazeta “Bota sot” ka pyetur njohësit e ҫështjeve të ekonomisë se pse Kosova nuk ka pasuri të arit. Ata kanë dhënë komentet e tyre lidhur me këtë temë.
Kështu, profesori universitar i ekonomisë, Musa Limani thotë se, rezervat e arit janë të obligueshme të ketë ҫdo shtet.
Musa Limani
Musa Limani: Rezervat e arit janë të obligueshme për ҫdo shtet
“Rezervat e arit janë të obligueshme me Konventa Ndërkombëtare t’i ketë çdo shtet, për të mbrojtur paritetin e njësisë së parasë së vendit të tij”, thekson profesor Limani.
Mirëpo sipas tij, tek shteti i Kosovës kjo gjë ndryshon, pasi Kosova nuk e ka njësinë e saj monetare dhe nuk ka të drejtë të ketë rezerva bankare të arit.
“Pasi Kosova nuk e ka njësinë monetare të veten siç e kanë vendet e tjera, por e ka Euron, që do të thotë se ne nuk kemi të drejtë me pas rezerva bankare të arit, siç nuk kemi të drejt edhe në emetimin primar të parasë. Këtë të drejtë për vendet në Eurozonë andaj edhe për Kosovën, e ka vetëm Banka Qendrore Europiane”, thotë profesori Musa Limani.
Ndërkaq eksperti i ekonomisë, Bardh Ahmeti në një prononcim për ‘Bota sot’, thotë se ‘rezervat shtetërore janë pjesë e sekretit shtetëror, shumë informacione mbi sasinë, vendndodhjen, produktet e rezervave shtetërore mbrohen si informacion për të mos cenuar sigurinë kombëtare, kjo është e përcaktuar edhe me Ligjin për rezervat shtetërore të mallrave’.
Bardh Ahmeti
Ahmeti: Kosova nuk ka trashëguar hisen e vet të rezervave të arit të ish-Jugosllavisë
“Ari është pasuri që ka likuiditet dhe stabilitet më të madh të çmimit, është shumë i nevojshëm për rezervat shtetërore, sidomos në rast të krizave kur ka nevojë për likuiditet. Në teoritë ekonomike, kohë më parë fuqia e shteteve dhe pozicioni i tyre përcaktohej nga sasia e arit që posedonin, e njëjta vlen dhe tash, shtetet e fuqishme në botë ruajnë rezerva të mëdha të arit, me theks të veçantë SHBA”, vlerëson ai.
Ahmeti thotë se arsyeja e parë që nuk kemi rezerva të arit është se, Kosova nuk ka trashëguar hisen e vet të rezervave të arit të ish-Jugosllavisë, e po ashtu edhe mos pasja e një valute vendore, është një faktor tjetër pse Kosova nuk ka rezerva të arit.
“Si faktor i parë pse nuk kemi rezerva të arit, fatkeqësisht dhe padrejtësisht, është se Kosova nuk ka trashëguar hisen e vet të rezervave të arit të ish-Jugosllavisë, të keqpërdorura nga Serbia. Pastaj nga paslufta kompetencat e BQK-së dhe kapacitetet financiare ishin të limituara, hapësira për alokim në rezerva të mëdha ishte e vogël, duke u fokusuar në projekte kryesisht infrastrukturore kapitale. Mos pasja e një valute vendore, është një faktor tjetër pse nuk kemi rezerva të arit”, vlerëson Ahmeti.
Tutje sipas tij, Kosova duhet ta gjejë momentin për të investuar në rezerva të arit, pasi aktualisht çmimet nuk janë të favorshme për këtë investim.
“Vendi ynë, duhet të gjejë momentin e favorshëm për të investuar në rezerva të arit, pasi që aktualisht çmimet nuk janë të favorshme për këtë investim, kostoja për shkak të krizës globale më pandeminë, energjinë, transportin, do të ishte shumë më e lartë”, vlerëson eksperti i ekonomisë, Bardh Ahmeti.
Mirëpo, cilat janë vlerat e rezervat të arit në vendet e tjera të Ballkanit?
Shqipëria është vendi me sasinë më të vogël të rezervave të arit në Ballkan. Sipas të dhënave zyrtare, Banka e Shqipërisë ka në rezervat e saj 2.23 tonë ar, ose 106 milionë euro, që krahasuar me vendet e tjera të Ballkanit është sasia më e vogël.
Sipas të dhënave, të Këshillit Botëror të Arit, Greqia është vendi i parë në Ballkan për nga sasia e arit në rezerva, me 113 tonë, ndjekur nga Serbia me 30.4 tonë, Maqedonia e Veriut me 6.9 tonë dhe nga Bosnjë-Hercegovina me 3.0 tonë.
Në fund të vitit 2018, Shqipëria kishte vetëm 1.2 tonë ar, ndërkohë gjatë vitit 2019-ë, Banka e Shqipërisë i rriti rezervat e saj në 2.23 tonë. Pra, në harkun kohor të disa muajve, Banka Qendrore e Shqipërisë ka blerë plot 1 ton ar, që në vlerë përkthehen në rreth 48 milionë euro.
Në nivel botëror, Amerika është vendi i parë për rezervat e arit me 8.133 tonë e ndjekur nga Gjermania me 3.366 tonë dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar me 2.800 tonë.