Kosova dhe Kroacia njihen për marrëdhënie dhe raporte të mira mes vete.
Së fundi, këto dy shtete kanë nënshkruar Marrëveshjen për Mirëkuptim në mes të dy vendeve. Duke fuqizuar kështu edhe më shumë miqësinë e tyre.
Ish-zëvendësministri i MPB-së dhe eksperti i sigurisë, Hajrullah Tërnava komentoi marrëveshjen e arritur mes Kosovës dhe Kroacisë, derisa foli edhe për marrëdhëniet mes këtyre shteteve.
“Politikat ballkanike të pasluftës që janë duke u zhvilluar, në krahasim me të kaluarat jo të largëta e sidomos edhe sa ishte Jugosllavia, e që edhe në ato kohëra të asaj Jugosllavie, krahasuar me kombet tjera, kroatët ishin më të afërt dhe më miqësor me qëndrime dhe përkrahje ndaj shqiptarëve se kombet tjera që ishin në atë bashkësi të atyre kohërave. Kroatët po e dëshmojnë edhe në këto kohëra miqësinë e kahershme me ne. Mos të harrohen situatat e kohërave të luftës mes Serbisë dhe Kroacisë, që shqiptarët bënë mjaft për çlirimin e tokave të Kroacisë, dhe morën pjesë si ushtarë, dhe ushtarak, aleat për çlirimin e këtij shteti në mënyrë permanente, duke luftuar kundër serbëve, dhe u sakrifikuan edhe duke i sakrifikuar jetërat e tyre të shumë ushtarëve shqiptarë, e sidomos kur filloi shpërbërja e Jugosllavisë, nga e cila ushtri jugosllave dezertuan shqiptarët dhe u radhitën përkrah ushtrisë kroate, deri në çlirimin e këtij shteti”, deklaroi ai.
![Image](/media/botasot.info/images/2021/December/23/auto_051640270567.jpg)
Sa i përket vizitës së ministrit kroat në Kosovë, eksperti i sigurisë e vlerësoi si shumë të rëndësishme.
Po ashtu, konsideroi se përmes këtyre vizitave të zyrtarëve kroatë po dëshmohet aleanca e miqësisë shqiptaro-kroate dhe përkrahja e rrugëtimit të Kosovës në institucionet ndërkombëtare.
“Ditë më parë, Kosovën e vizitoi ministri i Mbrojtjes së Kroacisë, dhe kjo vizitë ishte një përkrahje drejt rrugëtimit të Kosovës drejt anëtarësimit në institucionet ushtarake ndërkombëtare sikur që është NATO-ja, dhe institucione tjera ndërshtetërore e sidomos në BE, meqë tani ky shtet ka role të rëndësishme si anëtare e rregullt e BE-së, dhe përkrahja e saj është mjaft domethënëse për shtetin e ri të Kosovës, drejt rrugëtimit të saj e deri në anëtarësimin e saj në BE.
Me këto veprime të vizitave të zyrtarëve kroat po dëshmohet aleanca e miqësisë shqiptaro-kroate apo edhe një aleancë për mbrojtje nga projektet serbo-mëdha të serbëve, si rreziku i një konflikti në Bosnje, dhe mundësia e një konflikti në Ballkan”, theksoi Tërnava.
Në vazhdim, eksperti i sigurisë e sheh si një mundësi të mirë për Kosovën, përkrahjen e Kroacisë si anëtare e BE-së.
Gjithashtu, ai përmendi edhe faktin se vendi ynë dhe shteti kroat e kanë një ‘armik’ të përbashkët siç është shteti serb.
“Në situatat e tilla e si anëtare e BE-së që tani është Kroacia, tani Kosovës mund t’i ndihmojë shumë dhe me veprimet e tyre shtetërore e që është e konfirmuar si shtet dhe mik i Kosovës, dhe me këto miqësi Kosovës i ndihmohet edhe në preventivë, sepse shteti serb ende na kërcënon dhe shpesh na krijon konflikte si policore apo ushtarake, prandaj një miqësi e tillë me këtë shtet është shumë domethënëse për neve sepse vlerësuar në tërësi bëhet fjala për shtetin armik të njëjtë për dy shtetet tona Kroaci-Kosovë, e që bëhet fjala për Serbinë.
Prandaj, gjithsesi se Kosovës mund t’i ndihmohet në shumë aspekte, e sidomos duke i promovuar miqësitë e saj ndaj shtetit tonë dhe duke i proklamuar ato miqësi edhe ndaj shteteve të tjera, e sidomos duke kontribuar edhe në njohje të reja ndaj shtetit të Kosovës, sepse sikur e shpjegova më lartë se shqiptarët e kanë një kontribut të rëndësishëm për çlirimin e Kroacisë”, nënvizoi ai.
Në fund, ish-zëvendësministri i MPB-së potencoi se shteti kroat ka mundësi të promovojë politika miqësore në favor të shtetit të Kosovës, brenda shteteve të BE-së.
“Kroacia tani si anëtare e shumë institucioneve ndërkombëtare sikur që është NATO, UNESC-o, INTERPOL-i e shumë tjera mund tani të ndihmojë Kosovën, në anëtarësimin tonë në këto institucione, dhe të angazhohet në njohje të reja të atyre shteteve që ende se kanë njohur Kosovën, e sidomos këtë angazhim të njohjeve ta bëjnë ndaj atyre pesë shteteve të BE-së që ende nuk e kanë njohur Kosovën, dhe të promovojnë politika miqësore në favor të shtetit të Kosovës ndaj shteteve të tjera që Kosova ka nevojë për ndihma të tilla që na nevojiten deri në anëtarësimin e plotë në BE”, përfundoi Hajrullah Tërnava për “Bota sot”.