Korrupsioni ka qenë një ndër kushtet kryesore të vendosura nga Bashkimi Evropian për Kosovën.
Së fundi, ka filluar të luftohet fuqishëm korrupsioni dhe krimi i organizuar.
Ndërkaq, deputetët e Parlamentit Evropian kanë votuar një raport, ku përmes tij kanë kërkuar liberalizim të vizave nga Këshilli i BE-së për Kosovën
Profesori Binak Maxharraj, në një prononcim për “Bota sot”, ka komentuar veprimet e zyrtarëve të BE-së karshi Kosovës, duke thënë se kjo e fundit nuk e njeh Kosovën si shtet.
“Por, para do ditësh eurodeputetët në Parlamentin e Evropës pos që ka biseduar për problemet e Ballkanit Perëndimor për mundësinë e integrimit në BE, paska shtruar nevojën në raportin e tyre dhe për mundësinë e liberalizimit të vizave për Kosovën nga Këshilli i BE-së, pasi që qeveria Kurti II ka filluar të godet korrupsionin, por jo edhe aq fuqishëm.Këtu shtrohet dilema kruciale, a do hiqen më në fund vizat për Kosovën, a do të vie te liberalizimi i vizave së shpejti?!
Duke e pas parasysh sjellën edhe “jo aq miqësore të BE” ndaj Kosovës, sepse Kosova për Këshillin e BE-së shihet me një dioptri tjetër, sepse disa shtete të BE-së nuk e njohin pavarësinë e Kosovës, e konform kësaj as BE-ja nuk e njeh Kosovën si shtet të pavarur dhe sovran, nga se ajo nuk i njeh edhe simbolet e Kosovës, ndaj të cilave rezervohet vazhdimisht. Por, edhe nga fakti se BE-ja gjatë gjithë periudhës dhjetë vjeçare të dialogut midis Kosovës dhe Serbisë, ia mbante anën Serbisë, bash sikur ajo të ishte viktimë, jo agresore që kishte bërë krime dhe gjenocid në Kosovë. Ajo në dialogun me Serbinë dhe Kosovën vazhdimisht ka vendos njerëz nga ato shtete që nuk e njohin Kosovën që në esencë janë proserbë duke filluar nga Federica Mogherini, Borelli, Lajçak, etj, të cilët lejuan që në vazhdimësi të dialogut të lejohet diskutimi për temat që prishin sovranitetin e Kosovës, siç ishte mundësia për ndarjen e saj, Asociacioni një etnik për serbet e Kosovës që është një atak direkt në sovranitetin e Kosovës. Fatkeqësisht këtyre iniciativave iu bashkuan edhe liderët tanë, të pa tru dhe pa shpirt, për t`ia vënë “thikën pas shpine” Kosovës”, thotë ai.
Gjithashtu, profesori Maxharraj nuk beson që do të ketë liberalizim të vizave për qytetarët e Kosovës.
Po ashtu, ai ka numëruar arsyet për të cilat mendon se pse nuk do të ketë liberalizim të vizave nga BE-ja për qytetarët e Kosovës.
“Në fund, siç u tha edhe më lart eurodeputetët e Parlamentit Evropian kanë debatuar në veçanti për nevojën e liberalizimit të vizave për Kosovën nga Këshilli i BE-së. “Çfarë do të thotë kjo për Kosovën? A është Kosova më afër liberalizimit të vizave, apo është kjo një floskulë politike, kur dihet se Kosovës historikisht Evropa ia ka kthyer shpinën, ia ka futë thikën pas shpine, e ka nda e bërë pikë e pesë, në pesë shtete me qëllim që ta shkatërrojë bërthamën kombëtare të shqiptarëve. Nuk besoi që KE-ja do të përshpejtojë liberalizimin e vizave për Kosovën, anipse kjo shihet si një dritë në fund të tunelit. Por, ky tunel për Kosovën është i gjatë dhe se ajo drita e saj në fund i duhet edhe shumë vite që të dalë jashtë tunelit. Duhet shumë punë e përkushtim i KE-së që të vijë deri te liberalizimi i vizave, sepse një Evropë që edhe zyrtarisht nuk e njeh pavarësinë dhe sovranitetin e Kosovës, zor që të jetë e sjellshme dhe e ekzaltuar që së shpejti ta bëjë këtë. Mund të jetë kjo edhe një floskulë politike, një mashtrim i radhës duke e patur parasysh se BE-ja është më afër pro kërkesave të Serbisë se sa të Kosovës për ta detyruar Kosovën që të lëshojë pe ndaj kërkesave bastarde të Serbisë ndaj Kosovës”, ka deklaruar Maxharraj për “Bota sot”.