Bashkimi Evropian (BE) ka befasuar me qëndrimet karshi disa çështjeve të Kosovës.
Së fundi, BE-ja ka kërkuar që të mos respektohet vendimi i Gjykatës Kushtetuese për formimin e asociacionit të komunave me shumicë serbe. Ndërsa, ka kërkuar që të respektohet verdikti kushtetues për Manastirin e Deçanit.
Kjo gjë po vlerësohet si standard i dyfishtë i BE-së për Kosovën. Edhe emërimi i Miroslav Lajçakut dhe Joseph Borellit si dy përgjegjësit kryesor për dialogun Kosovë-Serbi, nuk e ka ndryshuar pozicionin e dyshimtë që kishte për Kosovën Mogherini.
Mogherini madje pat shkuar aq larg, sa jo e mbështeste hapur idenë për ndarje të Kosovës.
Ndërkohë, Borell dhe Lajçak, në raste të ndryshme kanë shprehur besimin se meqë institucionet e Kosovës po e refuzojnë marrëveshjen për asociacionin, sipas modeleve të arritura me 2013 dhe 2015, me kompetenca ekzekutive në kundërshtim me Kushtetutën, atëherë Kosova t’i hyjë ndryshimeve kushtetuese.
Të gjithë këto dyshime erdhën për faktin se të dy këta diplomat vijnë nga shtete, të cilat nuk e kanë njohur Kosovën (Sllovakia dhe Spanja).
Prandaj, edhe kjo qasje e BE-së po cilësohet si vendosje e një standardi të dyfishtë për shtetin e Kosovës.
Lidhur me këtë çështje kanë folur njohësit e çështjeve politike në prononcimet e tyre për gazetën “Bota sot”.
Qëndrimet pro-serbe të ndërmjetësuesve të BE-së ndaj Kosovës
Njohësi i çështjeve politike, Gani Qarri
Njohësi i çështjeve politike, Gani Qarri në një prononcim për gazetën “Bota sot” komentoi qasjen e Bashkimit Evropian ndaj çështjeve dhe problematikave të Kosovës.
Fillimisht, ai përmendi situatën në veri të Kosovës, ku tha se fajtorë për këtë situatë janë qëndrimet pro-serbe të ndërmjetësuesve të BE-së, dhe ish-politikaneve të inkriminuar shqipfolës.
“Në fakt, ka mbi 22 vite, që veriu i Kosovës, si asnjë trevë tjetër, jo vetëm në Kosovë, por edhe në rajon e më gjerë, tash e mbi dy dekada, vazhdon të mbetet i kapur dhe i sunduar nga krimi i organizuar dhe bandat kriminale serbe, ngjashëm me territoret separatiste, të pushtuara nga Rusia në Ukrainë, si pasojë e dështimit të drejtësisë së lidhur me rrjetet mafioze e kriminale, qëndrimeve pro-serbe të ndërmjetësuesve të BE-së, dhe ish-politikanëve të inkriminuar shqipfolës, që përmbi dy dekada kanë koketuar me kriminel si Zvonko Veselinoviq e Milan Radoiçiq, duke i pritur dhe trajtuar si "burrështetas" në zyrat e Qeverisë në Prishtinë!
Në anën tjetër po ky Bashkimi Evropian, pas faljes së 2500 hektarëve tokë FYROM-it dhe 8300 hektarëve tjerë shtetit xhuxh të Malit të Zi, përfshi edhe Kullën e Çakorrin, që njihen si pikat e vjetra kufitare ndërmjet të dy vendeve, tash e sa kohë kërkon me këmbëngulje nga Kosova që ta jetësoj verdiktin e kushtetueses nga viti 2016, për faljen edhe të rreth 40 hektarëve tokë të qytetarëve dhe pronave komunale, manastirit të Deçanit”, deklaroi analisti.
Prandaj, Qarri habitet me qëndrimin e BE-së, duke ditur faktin sesa pak tokë e territor të vogël ka Kosova dhe nuk e di se edhe sa tokë e çfarë tjetër do të detyrohet të jap e fal ajo përsëri, që të mund të mbijetojë si shtet. Po ashtu Kosova nuk mund t’i kënaq ‘orekset’ e fiqnjëve sllaë me territor.
Manastiri i Deçanit
“Vendi ynë, si njëri nga shtetet më të vegjël në rajon dhe Evropë, nuk e ka pasur kurrë dhe nuk ka as tani, madhësinë territoriale as shtrirjen gjeografike të Rusisë, që të ketë me çfarë ti kënaqë, "bash" krejt orekset e pretenduesve të brendshëm e atyre të jashtëm serbo-sllav, pse çdo herë kërkohet eksplicit, vetëm favorizimi dhe plotësimi i dëshirave të shteteve hegjemoniste serbo-sllave dhe elementit të brendshëm sllav, ani pse kishat dhe manastiret ortodokse në Kosovë, flitet se janë të ndërtuara sipas stilit katoliko-romak dhe se kanë origjinë puro-shqiptare”, shpjegoi ai.
Në vazhdim, analisti thotë se Bashkimi Evropian duhet të dërgojë ekspertë të specializuar për Manastirin e Deçanit, në mënyrë që të shoh se a ka të drejtë ta shpërblejë Serbinë hegjemoniste.
“Kështu që vet BE-ja para se të turret, me kaq vrap, për ta asgjësuar shtetin tonë, me gjithfarë gjetjesh e kërkesash arbitrare, duhet paraprakisht ti konsultojë faktet në Vatikan, ti dërgojë ekspertët e saj të specializuar për këto çështje, të merren me studimin në detaje të argumenteve, nga kohët më të vjetra dhe të publikojë vendimin e nxjerrë nga ekspertiza e hulumtimeve shkencore, pastaj të shohë a ka vend, për shpërblimin e Serbisë hegjemoniste, kishave “sllave” dhe bandave kriminale serbe, në Kosovë me territor dhe republika të reja, sipas shembullit të Bosnjës.”, potencoi Qarri.
Po ashtu, më befasuese është kërkesa e BE-së për respektimin e verdiktit kushtetues të Manastirit të Deçanit, ndërsa jo edhe për verdiktin e asociacionit të komunave me shumicë serbe.
“Habit shumë fakti se si BE-ja vazhdon kaq pa ndrojtje të matë me dy kute, edhe sa u takon vendimeve të Gjykatës Kushtetuese, pra të njëjtës Gjykatë të Republikës së Kosovës dhe kur është në pyetje verdikti i saj mbi asociacionin kundër-kushtetues një etnik serb, megjithëse vet BE-ja e ka proklamuar Kosovën si shtet "multi-etnik", insiston të mos respektohet vendimi i Gjykatës Kushtetuese e të formohet asociacioni kundër kushtetues një etnik serb, ani pse kjo nënkupton bosnjëzimin e Kosovës dhe ngritjen edhe të një "Republike serbe" si hap i parë drejt ndarjes së vendit tonë edhe ashtu të vogël e të qethur pamëshirshëm në të gjitha anët”, theksoi analisti.
Krejt në fund, ai vlerësoi se kjo qasje e Bashkimi Evropian është “dyfytyrësi” dhe shumë e padrejtë. Madje, Qarri tha se kjo gjë krijon përshtypje se ndërmjetësuesit e dialogut kanë qëllim që të sjellin përfundime fatale për territorin tonë.
Mulliqi: Shumë gabime u bënë në të kaluarën gjatë zhvillimit të bisedimeve me palën serbe
Skënder Mulliqi
Skënder Mulliqi në prononcimin e tij për “Bota sot” përmendi reagimet e shumta në lidhje me vendimin e kushtetueses për Manastirin e Deçanit.
“Lidhur më zbatimin e kësaj kërkese nga BE-ja, për zbatim të vendimit të Gjykatës Kushtetuese të vitit 2016, ka pasur reagime nga institucionet relevante dhe shoqatat e ndryshme të komunës së Deçanit e më gjerë. Ato kanë paraqitur edhe argumentet e tyre, pse e kanë refuzuar një vendim të tillë kushtetues. Nga shumë hektar të cilat i ka përvetësuar Manastiri i Deçanit me ligj, janë prona private të qytetarëve deçanas. Ju ka pamundësuar atyre qasja në këto prona”, shpjegoi ai.
Sipas Mulliqit, situata me Manastirin e Deçanit është pasojë e gabimeve që janë bërë në të kaluarën gjatë negociatave Kosovë-Serbi.
“Drejtuesit fetar të Manastirit nuk kanë shprehur gatishmëri të bisedohet me banorët lidhur me këtë çështje. Qytetarët dhe organet vlerësojnë se kjo është një goditje edhe për zhvillimin ekonomik të komunës së Deçanit, duke iu pamundësuar atyre që t’i shfrytëzojnë këto resurse potenciale që i kanë. Banorët e këtushëm e të cilën gjë po e kërkon BE-ja për zbatim të ligjshmërisë, kanë kërkuar qysh në vitin 2016, që kjo çështje të kthehet në rishqyrtim, duke kërkuar me këtë rast mirëkuptimin më të madh nga Manastiri i Deçanit. Shumë gabime u bënë në të kaluarën gjatë zhvillimit të bisedimeve me palën serbe, duke iu mundësuar manastireve dhe kishave serbe në Kosovë, eksterritore, të cilat po shihet se janë duke i bërë dëme shtetit të Kosovës”, nënvizoi analisti.
Kurse, sa i përket marrëveshjes së Asociacionit, ai u shpreh se BE-ja nuk do të duhej ta lejonte implementimin e saj, pasi mund të ndikojë shumë negativisht në shtetësinë e Kosovës.
“Kur kemi parasysh këtë gjë dhe marrëveshjen për Asociacionin nëse bëhet faktike sipas nënshkrimeve të vitit 2013 dhe 2015 nga pala jonë, me kompetenca ekzekutive, dhe plus eksterritoret në brendi të Kosovës për kishat serbe, mund të themi se Kosova e vogël, do të zvogëlohet edhe më shumë, duke i bërë kështu dhuratën më të mirë të shtetit të Serbisë. Kjo nuk është dashur të lejohet edhe pse BE-ja po i kërkon që të dyja të implementohen, dhe atë me gabimet tona të cilat i kemi bërë, duke nënshkruar e ratifikuar edhe në Kuvendin e Kosovës, që tash po na nxjerrin telashe të mëdha, ndoshta të pakthyeshme, duke e bërë kështu shtetin e Kosovës jo funksional”, nënvizoi Mulliqi.
Në fund, analisti përmendi propagandën e shtetit serb, nëpërmjet të cilave ngriti çështjen e kishave dhe manastireve, në mënyrë që të njihen si trashëgimi e Kishës Ortodokse Serbe.
Manastiri i Deçanit
“Shteti serb, ka rritur që përmes propagandës së rreme në opinionin ndërkombëtar, kur flet për të drejtat mbi Kosovën, duke ngrit çështjen e kishave dhe të manastireve në Kosovë. Kjo orvatje jo e drejtë historike ka pasur sukses, duke e arritur të pranohet nga të tjerët, dhe madje nga shqiptarët në bisedimet në Vjenë, që manastiret ortodokse të ndërtuara në mesjetë nga princat shqqiptarë ose për popullatën shqiptare, të njihen si trashëgimi e Kishës Ortodokse Serbe, e që nuk përkon fare me realitetin. Këto gabime tona duhet të përmirësohen edhe pse nuk do të jetë fare lehtë. Duhet të mos pranohen veprimet dualiste të BE-së ndaj asociacionit, po ashtu edhe ndaj një vendimi jo në të mirën tonë kushtetuese ndaj pronave gjoja se janë të Manastirit të Deçanit. Shqiptarët janë në tokat e tyre. Shqiptarët kanë bërë luftë mbrojtëse, e jo pushtuese. Nuk kemi bërë historikisht agresion ndaj askujt, dhe as gjenocid siç e bëri këtë gjë Serbia ndaj shqiptarëve. Ka ardhur koha që mos të lejojmë të na përsëriten gabimet nga e kaluara, të cilat ka mundësi të na kushtojnë shumë”, përfundoi Skënder Mulliqi për “Bota sot”.