Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani në fjalimin e saj drejtuar Kuvendit për vitin 2021 ka thënë se është cenuar rendi kushtetues i Kosovës kur është pranuar moratoriumi 1-vjeçar në Uashington.
Ky moratorium ishte nënshkruar atëkohë nga ish kryeministri Avdullah Hoti, mes Kosovës, Serbisë dhe SHBA-së.
Moratoriumi ishte nënshkruar si pjesë e marrëveshjes më të gjerë Kosovë-Serbi në Uashington me 4 shtator të vitit 2020, në prani të presidentit Donald Trump.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani në fjalimin e saj drejtuar Kuvendit për vitin 2021 ka thënë se është cenuar rendi kushtetues i Kosovës kur është pranuar moratoriumi 1-vjeçar në Uashington.
Ky moratorium ishte nënshkruar atëkohë nga ish kryeministri Avdullah Hoti, mes Kosovës, Serbisë dhe SHBA-së.
Moratoriumi ishte nënshkruar si pjesë e marrëveshjes më të gjerë Kosovë-Serbi në Uashington me 4 shtator të vitit 2020, në prani të presidentit Donald Trump.
“Kosova (Prishtina) do të pajtohet që ta zbatojë një moratorium njëvjeçar, për të mos kërkuar anëtarësim të ri në organizata ndërkombëtare. Serbia (Beogradi) do të pajtohet ta zbatojë një moratorium njëvjeçar mbi fushatën e saj për çnjohje dhe do të përmbahet nga kërkesa zyrtare ose jozyrtare ndaj ndonjë vendi ose organizate ndërkombëtare, që të mos e njohë Kosovën (Prishtinën) si shtet të pavarur. Të gjitha marrëveshjet për të hequr dorë do të hyjnë në fuqi menjëherë”, thuhej për moratoriumin në atë marrëveshje.
Departamenti Amerikan i Shtetit, në një vjetorin e saj ka kërkuar nga Kosova dhe Serbia që të vazhdohet moratoriumi lidhur me çështjet e njohjes.
“Në mënyrë që të mbështetet suksesi i dialogut dhe përpjekjeve të tjera, ne inkurajojmë të dy palët që ta mbajnë moratoriumin e tyre mbi çështjen e njohjeve që komplikon përparimin në fushat teknike”, ka deklaruar një zëdhënës i DASH-it me 4 shtator.
Departamenti i Shtetit po ashtu kishte kërkuar respektimin e detyrimeve të dala nga Marrëveshja e Uashingtonit edhe për një vit nga të dyja shtetet.
Deklaratës së presidentes Osmani menjëherë i është kundërvënë ish-kryeministri Hoti, i cili ka deklaruar se nënshkrimi u bë në ShBA dhe për këtë arsye nuk mund të quhet cenim i rendit kushtetues.
“Si mund të cenohet rendi kushtetues i Kosovës nga Zyra Ovale e Shtëpisë së Bardhë, e cila e mbron shtetësinë e Kosovës më shumë se disa politikanë dhe bartës institucionesh në Prishtinë?! Vetëm politikanë të llojit të caktuar, me orientime joperëndimore, mund të mendojnë dhe thonë gjëra të tilla”, ka thënë ai.
Peçani: Hoti mban mllef dhe averzion ndaj presidentes Osmani
Analisti Ruzhdi Peçani, në një bashkëbisedim ka thënë reagimi nga Hoti ka qenë i pritshëm, duke shtuar se sipas tij vetëm politikanët e llojit të caktuar e me orientime joperëndimore mund të mendojnë dhe thonë diçka të tillë.
“Në fjalët e saj Presidentja, drejtuar deputetëve dhe qytetarëve të vendit, mes shumë tjerash kishte thënë:
“… Duke aplikuar një politike të jashtme tërësisht pasive të çakorduar në të kaluarën, e fatkeqësisht duke e pranuar moratoriumin që cenonte rendin tonë kushtetues dhe të drejtën për konsolidimin e subjektivitetit tonë ndërkombëtar, jo vetëm që u dëmtuan interesat tona strategjike, por edhe ishin dikur dritat e politikës sonë të jashtme. Këto drita jo vetëm që janë të ndezura, por po punohet pa reshtur që Kosovën ta kthejmë mbarë e të ecim përpara ashtu siç e meritojnë qytetarët tanë”.
Për shkak të kësaj deklarate ka reaguar ish-kryeministri i Kosovës, deputeti i LDK-së, Avdullah Hoti, nënshkrues i marrëveshjes në Uashington.
Duke thënë se vetëm politikanët e llojit të caktuar e me orientime joperëndimore mund të mendojnë dhe thonë diçka të tillë. Ndërsa, ka shtuar se vetë ekzistenca e shtetit të Kosovës rrezikohet kur cenohen raportet me mikun më të madh, Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
“E vërteta është se vetë ekzistenca e shtetit të Kosovës rrezikohet kur cenohen raportet me mikun më të madh të shtetit të Kosovës, SHBA-në. Një politikan i përgjegjshëm dhe properëndimor, që e sheh Kosovën shtet të pavarur dhe të integruar në BE dhe NATO dhe jo ndryshe, punon me maturi dhe i ruan miqësitë”, kështu mendon Avdullah Hoti!
Sipas tij, edhe përgjigjen të cilën e mori Hoti nga Presidenca ishte e thukët dhe e meritonte, duke shtuar se e gjithë kjo vie nga mllefi dhe averzioni që mban Hoti ndaj presidentes.
“Por, deputeti Avdullah Hoti, shpejt do të marrë reagimin nga Presidenca, nga shefi i stafit të Presidentes së Kosovës, Blerim Vela, i cili i është kundërpërgjigjur në lidhje me reagimin e tij: “Rendi kushtetues nuk është cenuar nga Zyra Ovale, por nga politikanë të papërgjegjshëm si Hoti. Nga Kryeministri jo kushtetues i Kosovës, nuk mund të presim respektim të Kushtetutës dhe të drejtës së patjetërsueshme të Kosovës për të qenë pjesë e organizatave ndërkombëtare”.
Kështu z.Hoti mori një përgjigje të thukët, mbase e meritonte. Se z.Avdullah Hoti, si ish-kryeministër dhe “politikan i papërgjegjshëm” do e tregonte edhe tani në reagimin e tij duke i mveshë presidentes epitete “… me orientime joperëndimore”, duke u lutur, me klithjen e tij “Zoti … dhe na ruajt nga politikanët e papërgjegjshëm”.
Mllef e averzion?
E gjithë kjo vije nga mllefi dhe averzioni që mban z.Hoti ndaj znj.Presidente Dr.Vjosa Osmani – Sadriu. Se Presidentja na qenka “… me orientime joperëndimore”, shprehet ai.
Ai tutje thotë se të gjitha takimet nëpër shtete të ndryshme të botës që i ka bërë këto kohë presidentja, sipas Hotit qenkan papërgjegjësi dhe i epet karakteri si “jo proamerikane”.
“Po, vizitat e Presidentes, si dhe takimet bilaterale në shtete si Gjermania, Zvicra, Austria, Shqipëria, Turqia, Estonia, Belgjika, Portugalia, Kanadaja, Japonia, Franca, Gjermania, Spanja e deri tek komunikimi i drejtpërdrejt telefonik me zëvendëspresidenten e SHBA-së e takime me zyrtarë të tjerë amerikanë, komunikimi me presidentin e Izraelit e shumë liderë të tjerë, si dhe takime të shumta në forume rajonale e ndërkombëtare. Presidentja, duke shtyrë përpara fuqizimin e aleancave në interes të Kosovës, duke qartësuar njëkohësisht qëndrimin tonë lidhur me zhvillimet e brendshme, ato rajonale si dhe globale – për z.Hoti na qenkan papërgjegjësi dhe i epet karakteri si “jo proamerikan”, shprehet analisti.
Në fund shton se ish-kryeministri Hoti duhet ta kuptojë se në këtë marrëveshje kishte edhe pikë problematike, kjo ngase Kosova nuk do të duhej ta lidhte çështjen e anëtarësimeve në organizata ndërkombëtare dhe njohjen nga shtetet e tjera me raportet që ka me Serbinë.
“Ish kryeministrit Avdullah Hoti, duhet përmend edhe këtë: Mund të thuhet se moratoriumi ka qenë pikë problematike që nga fillimi. Kjo ngase Kosova nuk do të duhej ta lidhte çështjen e anëtarësimeve në organizata ndërkombëtare dhe njohjen nga shtetet e tjera me raportet që ka me Serbinë. Duhet thënë edhe këtë se megjithatë, presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, vetëm dy ditë pas nënshkrimit të këtij dokumenti, ka vendosur ta shkelë atë. Në Bruksel, pasi ka apeluar tek Izraeli që të mos pranoj hapjen e ambasadës së Kosovës në Jerusalem, Vuçiq kishte thënë: “Ata janë miq tanë, vëllezër, dhe shpresoj se ashtu edhe do të mbeten, dhe i lus edhe një herë që të rimendojnë se çfarë vendimi do të marrin” – dhe Avdullah Hoti qëndronte i nemitur. Mbase për të mos zgjatur reagimin, nga Presidenca, nuk i është thënë z.Hoti edhe kjo: Se konflikti i ngrirë mes Kosovës dhe Serbisë nuk është ekonomik, ashtu si e trajtoi Grenell, por është diplomatik. Ndërrimi i tezës kishte filluar të shfaqej nga qarqe filoserbe.
Të kujtojmë, për z.Hotin, se Presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq, në një intervistë dhënë në “Foreigen Policy”, për dialogun kishte thënë “Unë po kërkoj të vendosim lidhje më të mira ekonomike, me të cilat ne do të mirëkuptojmë njëri-tjetrin. Dhe ne kemi nevojë për dialogun për të arritur këtë”. Kështu kjo si ide e një plani ekonomik nuk ishte se polli në zyrën ovale – nga këtu vetëm u vu në letër”, përfundon analisti për “Bota sot”.
Krasniqi: Serbia vazhdon me avazin e vjetër
Juristi Islam Krasniqi ka thënë se nga ajo marrëveshje përveç njohjes nga Izraeli asgjë tjetër nuk përfituam, derisa ishte Serbia ajo e cila vazhdoi me avazin e vjetër duke vazhduar lobimet kundër njohjes së Kosovës.
“E mira e marrëveshjes së Uashingtonit është vetëm njohja nga shteti Izraelit, të tjerat nuk kanë sjellur ndonjë rezultat, ashtu siç pretendonte ish-kryeministri Hoti me ekipin e tij. Pranuam që një vit të heqim dorë lidhur me aplikimin në organizata ndërkombëtare, e që Serbia nuk do të lobojë kundër njohjeve ndaj shtetit tonë, e që menjëherë pas marrëveshjes i pat reaguar izraelitëve për njohjen e Republikës tonë, që do të thotë ajo ka vazhduar avazin e vjetër pavarësisht nënshkrimit të vënë në letër”, ka thënë ai.
Sipas tij, edhe pse jemi shtet i pavarur, është cenuar rendi kushtetues i Kosovës kur është pranuar moratoriumi 1-vjeçar në Uashington.
“Në bazë të rendit ligjor pasi ne jemi shtet i pavarur është cenuar rendi kushtetues i Kosovës kur është pranuar moratoriumi 1-vjeçar në Uashington, mirëpo edhe pse z. Grenell ishte më i afërt me qeverinë serbe, ne nuk duhet ta konsiderojmë ashtu pasi që SHBA-të janë vendi mik dhe aleati kryesor i shtetit tonë. Kanë qenë disa marrëveshje për hekurudhat apo linjën hekurudhore, e cila do t'i lidhë të dyja vendet, por që se di sa do të bëhet e mundur, ka shumë investime, të cilat nuk dihet a kanë filluar, por nga qeveria e Serbisë asnjë nuk është respektuar”, përfundon analisti.