Policia e Kosovës përkatësisht njësia e Krimeve Ekonomikë në bashkëpunim me Prokurorinë Themelore në Ferizaj, pak ditë më parë zhvilluan një aksion të gjerë kundër korrupsionit me ndërtimet në Brezovicë.
Prokuroria Themelore në Ferizaj, ka bërë të ditur se lidhur me këtë aksion deri më tani me urdhër të Prokurorit të Shtetit, janë arrestuar dhjetë (10) persona të dyshuar, në mesin e tyre edhe ish-kryetari i komunës së Shtërpcës, drejtori i Urbanizmit, disa zyrtarë të tjerë dhe pronar të firmave, për shkak të dyshimit të veprave penale “Marrja e ryshfetit”, “Dhënia e ryshfetit” dhe “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” të dënueshme sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).
Kujtojmë se ky aksion u zhvillua vetëm pak ditë pas publikimit të listës së zezë të SHBA-ve, në të cilën u përfshinë edhe zyrtarë të Listës serbe, të cilët janë një grup kriminal ndërkombëtar me bazë në veri të Kosovës.
Siç duket, lista e zezë e Amerikës shërbeu si një motivim shtesë për Qeverinë Kurti në rrugën për luftimin e krimit dhe korrupsionit.
Se a ka ndonjë lidhje në mes këtyre dy çështjeve, për ‘Botën sot” kanë folur juristët Muhamet Kelmendi dhe Islam Krasniqi.
Kelmendi: Krimi nuk ka nacionalitet
Muhamet Kelmendi
Njohësi i çështje kushtetuese, dhe ish-politikani Muhamet Kelmendi në prononcimin e tij për “Bota sot” vlerësoi se detyra primare e Qeverisë së Kosovës është luftimi i kontrabandës dhe korrupsionit.
Ai vlerëson se nuk mund të luftohet krimi pa një strukturë të guximshme dhe profesionale të drejtësisë.
“Lufta kundër krimit dhe kontrabandës e korrupsionit është detyra kryesore e Republikës së Kosovës. Ajo është rritur dhe kërkohet nga organet që ta luftojnë me kompetencë.
Natyrisht se gjykatat e gjyqtarët, prokurorët etj., kërkohet të veprojnë me ligj, për këtë është i domosdoshëm intervenimi juridik në ligje. Lufta kundër krimit pa e ndërtuar një strukturë profesionale, të pandikuar nga grupimet dhe krimi, profesionale dhe të guximshme, nuk arrihet”, deklaroi ai.
Sipas Kelmendit, publikimi i listës së zezë të Amerikës, i ka hapur rrugë institucioneve të Kosovës që ta luftojnë edhe më shumë krimin, si në rastin e aksionit në Shtërpcë.
Mirëpo, ai kërkoi që këto aksione të shtrihen në të gjitha territoret e vendit.
“Lista e zezë e SHBA-ve ka ndikuar shumë që të thellohet lufta kundër krimit. Ajo e ka hapur rrugën që organet e Kosovës më me përgjegjësi të shkojnë kundër krimit, kontrabandës dhe të gjitha dukurive tjera kriminale.
Masat e ndërmarra në rrethinën e Ferizajt, duke arrestuar shqiptarë dhe serbë, janë veprime shumë pozitive në luftën kundër krimit. Por, kjo është vetëm një anë, ato duhet të shtrihen më thellë. Organet e Kosovës duhet të veprojnë kudo në hapësirën e Republikës”, theksoi juristi.
Në fund, ai kërkoi që të merren masa ligjore dhe dënime adekuate ndaj individëve të përfshirë në krim të organizuar dhe korrupsion.
“Nuk duhet askund të lejohen krime dhe dukuri kriminale. Në luftën e tillë nuk ka rëndësi nacionaliteti dhe baza nga vjen, fuqia politike dhe ekonomike etj. Lufta kërkohet të zhvillohet kundër të gjitha veprave antiligjore, pasi në këtë mënyrë ndërtohet shteti ligjor dhe vepron shteti.
Mirëpo, pa gjykata ligjore dhe profesionale, pa profesionistë në sistem, lufta mbetet në mes, e papërfunduar. Prandaj duhen masa ligjore dhe dënime adekuate kundër tyre. Kështu thellohet lufta kundër krimit”, përfundoi Muhamet Kelmendi për ‘Bota sot”.
Juristi Islam Krasniqi beson se aksioni në Shtërpcë nuk ka ndërlidhje me listën e zezë të Amerikës, këtë listë e vlerëson si motiv shtesë për Qeverinë e Kosovës që ta luftojë edhe më shumë krimin.
Islam Krasniqi
Ai meritat për këtë aksion ia jep më shumë Qeverisë Kurti, se prokurorisë.
“Jo, nuk e besoj se arrestimet në komunën e Shtërpcës të kenë lidhje më Listën e zezë të SHBA-ve, ndoshta mund të ketë një motivim, por jo lidhje sepse këto hetime kanë filluar moti dhe meritor më shumë e lë qeverinë, se sa prokurorinë. Pavarësisht se prokuroria e ka rolin kryesor në këtë proces (ngritjen e aktakuzës), sepse ai e vlerëson punën e policisë, hetuesve që janë marrë me këtë procedurë dhe hierarkia brenda policisë dërgon merita edhe deri tek ministri”, deklaroi ai.
Sipas Krasniqit, meritat më të mëdha Qeveria i ka për faktin se e la jashtë ‘lojës’ Listën serbe, e cila ishte mësuar të ketë ndikim të madh në institucionet e qeverive të kaluara.
“E kur e themi se merita ka Qeveria, është e vërtetë sepse e la jashtë loje Listën Serbe, e cila në qeveritë e kaluara kishte një ndikim shumë të madh në të gjitha institucionet, po ashtu edhe në institucionet e drejtësisë, siç janë Prokuroritë dhe Gjykatat, ku kishte arritur t’i largoj nga ndjekja penale e kryerësve apo të akuzuarve për vrasje në pjesën veriore të Mitrovicës, të cilët janë bosat e krimit të organizuar dhe korrupsionit, po njëherësh edhe anëtarë të Listës Serbe, të cilët u etiketuan edhe në Listën e zezë të SHBA-ve, e që prokuroria asnjë fjalë nuk e thotë si i liruan nga aktakuza, po ashtu edhe të akuzuarit apo të arrestuarit në komunën e Shtërpcës janë pjesë e Listës Serbe, andaj për këtë merita ka qeveria sepse një fjalë thotë ra partia u kap mafia”, theksoi juristi.
Në fund, ai kritikoi prokurorët për punën e tyre, pasi sipas tij ata nuk bëjnë hetime, por vetëm zhvillojnë apo ndërtojnë raste në bazë të punës së policisë.
“Prokurorët tek ne asnjë fjalë nuk e shtojnë apo hetime nuk bëjnë, por vetëm zhvillojnë apo ndërtojnë raste në bazë të punës së policisë, ndoshta edhe nuk dalin në vendin e ngjarjes asnjëherë më parë për tu takuar me realitetin deri në ditën kur të dalin para kamerës ndoshta për reklama”, përmbylli Islam Krasniqi për “Bota sot”.