Gjatë kësaj jave u mbajt takimi i radhës për ”Ballkanin e Hapur” në Tiranë. Pjesë e këtij takimi ishte dhe presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq.
Ai gjatë fjalimit të tij i ftoi shqiptarët që të vizitojnë Serbinë dhe të shohin atë si shtëpi të dytë.
“Dua t’ju mirëpresim në Serbi, që Serbinë ta shihni si shtëpinë tuaj të dytë, sepse edhe ne duam që të ndjehemi të tillë kur vijmë në Shqipëri, apo edhe në Maqedoninë e Veriut. Kjo në mënyrë që të mos ketë më kufij për kompanitë tona. E pamë se sa të kënaqur ishin ata gjatë kësaj iniciative të nisur”, tha presidenti serb.
Kjo deklaratë e tij nuk është mirëpritur nga shqiptarët, të cilët edhe e kundërshtuan vizitën e tij në Shqipëri me anë të protestës.
Ndërkaq, kjo thirrje e Vuçiqit në Kosovë po shihet si një lojë e Vuçiqit.
Duhanaj: Vuçiqi të zgjedhë mes dy rrugëve
Analisti politik, Leon Duhanaj, në një prononcim për “Bota sot”, ka thënë se Vuçiqi i saboton temat që kanë të bëjnë me politikën, posaçërisht në rastin e Kosovës.
Leon Duhanaj
“Përderisa Rama e sheh integrimin e tillë si një mundësi për shqiptarët të jetojnë në një hapësirë pa kufij, ku do të mund të organizonin zhvillim kolektiv ekonomik e kulturor si një masë e domosdoshme dhe progresive karshi interesave kombëtare. Në anën tjetër, kemi Presidentin e Serbisë, Vuçiq, i cili nga njëra anë është bashkëpunues në ketë kauzë për sa u përket çështjeve dhe temave ekonomike ku ka edhe interes të madh, në anën tjetër saboton dhe kundërshton temat me karakter politik, ndër të cilat është edhe njohja e realitetit me Kosovën, duke hezituar kështu ta njoh Kosovën si anëtare të barabartë”, ka shpjeguar ai.
Po ashtu, ai ka vlerësuar se Vuçiqi duhet të zgjedhë mes këtyre dy rrugëve.
“Për ketë arsye, konsideroj që z. Vuçiq, duhet të zgjedhë ose rrugën e integrimit evropiane, ose të deklarohet hapur kundër këtij, sepse në të dyja rrugët është e pamundur më qenë akter i respektuar”, ka deklaruar Duhanaj.
Mehmeti: Kjo është loja tipike e Vuçiqit
Ndërkaq, analisti politik Faton Mehmeti, ka thënë për “Bota sot” se kjo është lojë e Vuçiqit.
Faton Mehmeti
“Kjo është loja tipike e Vuçiqit, të duket paqësor, i mirë, derisa në brendësinë e tij djallëzore ëndërron çdo ditë si t’i zhduk shqiptarët. Kjo është maskë e Vuçiqit, mjerë ata që i besojnë dhe nuk ia shohin fytyrën e vërtetë”, ka thënë ai.
Po ashtu, ai ka folur edhe për deklaratën e Vuçiqit, ku ka thënë se ky i fundit po i joshë shqiptarët për t'i futur në kurthin e "Open Ballkan".
“Këto deklarata s’duhet të merren parasysh fare, ato nuk pasqyrojnë të vërtetën. Vuçiq po mundohet të joshë shqiptarët për t'i futur në kurthin e "Open Ballkan", një projekt puro serbo-rus. Ky projekt ndihmon Rusinë që të pushtojnë Ballkanin, përmes saj edhe Serbia do të fuqizohet deri në atë masë sa synon të jetë lider në rajon. Shqiptarët s’duhet të bien pre e këtij mashtrimi, kurrë mos i beso Vuçiqit, po i besoj dikush do të digjet”, ka deklaruar Mehmeti për “Bota sot”.
Loja serbe/ Krasniqi: Natën e kryen krimin dhe ditën viktimizohen
Ndërkaq, njohësi i çështjeve politike dhe juridike, Islam Krasniqi, në një bashkëbisedim për “Bota sot”, ka thënë se deklaratat e Vuçiqit janë politike.
Islam Krasniqi
“Presidenti serb ka interes politik, po ashtu edhe ekonomik dhe pa harruar të cekim se deklaratat e tij janë vetëm politike, edhe pse Serbia ka interes që shqiptarët ta vizitojnë Serbinë pasi që i japin një frymë pozitive bizneseve dhe tregut të Serbisë duke u shërbyer apo blerë gjera që ju pëlqejnë, e që kjo ka një interes të madh për Serbinë”, ka nënvizuar ai.
Më tej, Krasniqi është shprehur se politika serbe po e luan një lojë të viktimës ku natën e kryen krimin dhe ditën viktimizohet.
“Ata janë të interesuar që ta fuqizojnë këtë marrëveshjen e hapur nga e cila ne nuk kemi interes dhe nuk përfitojmë asgjë, e që Serbia mund të marrë poena në rrugëtimin e saj drejt BE-së, sepse kjo konsiderohet edhe si një lojë pajtimi, mirëpo Serbia apo politika atje luajnë një lojë të viktimës ku natën e kryen krimin dhe ditën viktimizohet”, ka shtuar ai.
Gjithashtu, Krasniqi ka përmendur edhe trajtimin e shqiptarëve në Kosovën Lindore nga pushteti serb.
“Marrëveshja për Ballkanin e Hapur apo siç po quhet Open Ballkan, i mundësoi Serbisë që qëllimet e saj ekonomiko tregtare të arrijë përmes Republikës së Kosovës, duke u liruar nga çdo taksë apo obligim që ka ndaj një vendi tjetër. Ne e dimë së çfarë respekti ka presidenti serb për popullin shqiptar, kur në Kosovën Lindore çdo ditë fshihen adresat e qytetarëve shqiptarë që nuk janë aty, akoma nuk i lejojnë t’i përdorin simbolet kombëtare, atëherë ku është ai”, ka përfunduar Krasniqi për “Bota sot”.