Nisma e Serbisë për “Ballkanin e hapur”, e mbështetur nga Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut e ka marrë edhe një goditje të madhe së fundi, nga vendi mik Kroacia.
U desht zëri logjik i Kroacisë, nga presidenti i tij Zoran Milanoviç, që një pjesë e shqiptarëve, përfshirë politikanë dhe analist, në Kosovë e Shqipëri, që e mbështesnin projektin serb, ta kuptojnë më mirë, se është një nismë e pakuptimtë, apo ‘pa lidhje’ fare, siç u shpreh presidenti kroat.
Po ashtu ai kërkonte të gërmohej në motivet e kësaj nisme, për të cilën shumë analistë kundërshtarë dhe drejtues të shtetit të Kosovës kanë folur shpesh.
Por, duket se argumentimi i presidentit kroat, qoftë edhe nëpërmjet shprehjes së dyshimit për motivet, e ka rkthyer vëmendjen edhe njëherë për një kundërshtim më të fuqishëm për nismën “Ballkanin e hapu”, zanafilla e të cilit projekt është në Serbi, e shprehur nga vetë autoritetet e këtij shteti armiqësor ndaj Kosovës.
Motivet në këtë rast, të cilat përmenden nga presidenti kroat, si duket nënkuptojnë vetë pozicionimin që ka ky shtet ndaj Kosovës, përkatësisht aty e kanë burimin, që nëkupton motivin armiqësor.
Në nismën “Ballkani i hapur” nuk merr pjesë Kosova, madje e kundërshton një gjë të tillë. Në këtë nismë marrin pjesë vetën tri shtete të Ballkanit, Shqipëria, Serbia dhe Maqedonia.
E, ditë më parë Presidenti i Kroacisë, Zoran Milanoviç, ishte për vizitë në Kosovë.
Ai gjatë vizitës u takua me krerët e shtetit duke filluar nga presidentja, Vjosa Osmani.
Ai madje deklaroi se Kosova është shtet stabil dhe i qetë si shumica e vendeve të Ballkanit.
Sipas tij, Kosova duhet që të marrë shembull përvojat e shteteve të tjera në shumë fusha e mos të bëjë gabime, madje ka shprehur bindjen e tij se Kosova do të integrohet shpejt në BE e institucionet e tjera.
Ai po ashtu ka folur edhe për nismën “Ballkani i hapur”, duke thënë se është “palidhje” nëse nuk do ta mbulonte Kosovën në mënyrë jo të barabartë me shtetet tjera.
“Nëse kjo iniciativë nuk e mbulon Kosovën në mënyrë të barabartë, atëherë është, kushtimisht thënë, palidhje. Kosova nuk duhet të mbetet anash, kjo gjë nuk mund të ndodhë. Duhet ta kemi të qartë se cilat janë motivet”, kishte deklaruar presidenti kroat.
Ahmeti: Çfarë logjike ka ky projekt artifical, kur këto shtete punojnë për anëtarësimin në BE
Lidhur me këtë analisti Hidajet Ahmeti në një përgjigje për “Bota sot” thotë se ky është një projekt artificial që ka fuqizuar shumë Serbinë, e që duhej injoruar nga kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama.
Hidajet Ahmeti
“Projekti artificial "Ballkani i hapur" ka fuqizuar Serbinë brenda kësaj loje, pikërisht nga kryeministri shqiptar, Edi Rama. Kjo nismë do të ishte pa përmbajtje po të injorohej nga zoti Rama, por ky përveç që e mbështeti këtë nismë, por edhe po punon fuqishëm për ta jetësuar këtë projekt. Mendoj që kjo nismë i konvenon vetëm Serbisë për të dominuar ekonomikisht dhe politikisht”, shprehet ai.
Sipas tij, kjo nismë shumë shpejt do ta humbë kuptimin pasi nuk ka qëllime të mira.
Analisti ngre edhe dyshimet se, çfarë logjike ka ky projekt artifical, kur këto shtete punojnë për anëtarësimin në BE?
“Ky projekt artifical shumë shpejt do ta humb kuptimin, pasi motivet e kësaj nisme nuk janë qëllim mira. Çfarë logjike ka ky projekt artifical, kur këto shtete punojnë për anëtarësimin në BE?! Cila është arsyeja e kësaj nisme, kur dihet se cili shtet është lider në këtë nismë”, përfundon Ahmeti.
Duhanaj: Pa u sqaruar shumë gjëra, Kosova nuk ka pse hyn në atë mekanizëm
Analisti Leon Duhanaj ka thënë se kjo nismë po shfrytëzohet si pretekst manipulimesh për politika ditore të qarqeve politike në rajon.
Leon Duhanaj
“Si çdo temë tjetër, edhe çështja e integrimit rajonal të Ballkanit Perëndimor, është duke u shfrytëzuar si pretekst manipulimesh për politika ditore të qarqeve politike në rajon. Varësisht nga këndvështrimi, pozitë apo opozitë kemi edhe interpretime diametralisht të kundërta. Madje ka subjekte, të cilat për të njëjtën çështje kanë mbrojtur dy opsione, varësisht nga cili këndvështrim kanë deklaruar. Një gjë është e sigurt, se integrimi rajonal para integrimit në BE, është objektiv i BE-së dhe SHBA-së. Krejt emërtimet e mundshme që ndryshojnë sipas agjendave të akterëve rajonal janë të bazuara mbi këtë objektiv”, thotë ai.
Tutje Duhanaj thotë se për Kosovën duhet të qartësohen disa kushte, të kërkohen garanca nga BE-ja dhe SHBA-ja, që ajo të pranohet dhe respektohet si subjekt i barabartë i të drejtës ndërkombëtare, t'i respektohet Kushtetuta dhe kufijt e saj, përndryshe nuk ka pse hyn në atë mekanizëm.
“Në këtë kuadër është edhe marrëveshja e 4 shtatorit në Shtëpinë e Bardhë e cila parasheh integrimin ekonomik të Ballkanit. Në këtë kontekst, konsideroj se për Kosovën është me rëndësi që para se të bëhet pjesë e këtij mekanizmi, duhet të qartësohën disa kushte, e që kanë të bëjnë me shtetësinë dhe kufijt e saj. Duhet të kërkohen garanca nga BE-ja dhe SHBA-ja, që Kosova të pranohet dhe respektohet si subjekt i barabartë i të drejtës ndërkombëtare, t'i respektohet Kushtetuta dhe kufijtë e saj, përndryshe nuk ka pse hyn në atë mekanizëm. Kjo nënkupton se Kosova, nuk bën ta refuzojë apriori çdo nismë me arsyetime banale siç dëgjohen ditëve të fundit, kinse Serbia paska treg më të madh dhe përfiton më shumë. Neve nuk mund t'i ikim tregut të hapur nëse pretendojmë të njëjtin në një BE me 400 milionë banorë. Pra, shqiptarët, duhet të këndellën, të bëhen proaktiv e jo vetëm të presin t'u servohen gjëra të gatuara në tavolinë!”, deklaron analisti.
Në fund ai shton se përveç me BE-në dhe SHBA-të, duhet të arrihet konsensus i plotë me faktorin shqiptarë në rajon gjegjësisht me Shqipërinë, duke u ulur dhe hartuar strategji kombëtare.
“Për këtë temë duhet përveç me BE-në e SHBA-në, duhet të arrihet konsensus i plotë me faktorin shqiptarë në rajon gjegjësisht me Shqipërinë, në mënyrë që të ecim si komb i bashkuar në ide dhe synime. Kjo punë sigurisht nuk do të arrihet duke e quajtur Ramën tradhtar për inate e teke personale. As nuk arrihet duke protestuar siç e bën Berisha, por arrihet dhe duhet patjetër, duke u ulur dhe hartuar strategji kombëtare. Është koha dhe momenti i fundit që shqiptarët t'i lexojnë letrat e politikës ndërkombëtare siç duhet. Të shohin pak më larg se hunda e tyre, e cila për fat të keq, është e lidhur ekskluzivisht me pushtetin e brendshëm”, përfundon Leon Duhanaj për “Bota sot”.