Ditë më parë liderët, Rama, Vuçiq dhe Zaev kanë nënshkruar disa marrëveshje në lidhje me iniciativën “Ballkani i Hapur”.
Këto marrëveshje të nënshkruara arritën të sjellin debate të mëdha tek shqiptarët të cilët ishin kundër veprimeve të Ramës.
Sipas tyre kjo ishte një pabesi e bërë ndaj Kosovës.
Analisti politik Skënder Mulliqi, në një bashkëbisedim me “Bota sot thotë se nisma e Ramës, Vuçiqit dhe Zaevit është nismë e pamatur nga Shqipëria dhe se kështu po e fuqizon Serbinë.
“Nuk do të kishte gjë të keqe nga nisma për integrimeve rajonale , sikur kjo të bëhej në tjera rrethana politike. Kjo nismë apo kjo aleancë trilaterale Vuçiq- Rama- Zaev, e nisur në Samitin e Nishit dhe e cila po vazhdon me takimin e fundit ne Shqipëri, është nismë e pamatur mirë e Ramës, i cili po e fuqizon ekonomikisht dhe politikisht Serbinë në rajon, në kohën kur Serbia e Vuçiqit nuk është reformuar, përkundrazi po i kthehet politikave të viteve te 90-ta të shekullot të kaluar, kur edhe filluan luftërat në ish –Jugosllavi”, thekson ai.
Më tej, ai shton se Rama nuk është dashur të bëjë këtë marrëveshje me Serbinë pasi kjo do të thotë që po i jepet asaj ende shpresë që Kosovën ta bëjë pjesë të saj.
“Ky projekt i minishengenit ballkanik bie ndesh edhe mbi parimet bazë të demokracisë liberale, bie ndesh me atë së Serbia nuk po heq dore nga planet hegjomoniste, duke mos e njohur pavarësinë e Kosovës. Për mua dhe për secilin, edhe për Ramën shumë të pamatur, do të duhej ta kishte parasysh faktin së Serbia nuk e ka hequr nga preambula kushtetuese, Kosovën si pjesë përberëse të saj. Shtrohet pyetja logjike, si mund të kemi integrime rajonale mbi këto baza shoviniste serbe, të cilat e rrënojnë sovranitetin dhe integritetin territorial të Kosovës. Kjo gjë natyrisht e përjashton pavarësinë e Kosovës”, thotë analisti.
Në fund, ai thotë se qeveria Kurti nuk duhet ta pranojë këtë ide të “Ballkanit të Hapur” dhe se integrimi në këto ide mund të vije vetëm kur Serbia pranon pavarësinë e Kosovës.
“Qeveria dhe kryeministri Kurti nuk janë duke e përqafuar idenë e Open Ballkanit, por që duhet kundershtuar atë më fuqishëm kjo duhet të bëhet në të ardhmen. Ballkani i Hapur nuk e ndal krimin e organizuar nëse mendon dikush dhe nuk i bën pushtetet ekzistuese në rajon më liberale, por gjithnjë e më shumë forcon pozitën e tyre autoritare. Kur Kosova nuk e pranon këtë projekt, nuk ka mundësi integrimi dhe as lëvizje të lirë të njerëzve dhe mallrave. Deri sa nuk kemi barabarësi, nuk ka se si të ndodhë as integrimi rajonal. Nuk ka mundësi integrimesh duke e përjashtuar Kosovën si shtet, siç po tentohet nga Vuçiqi. Integrimi do të kishte kuptim vetem nese Serbia e pranon pavarësinë e Kosovës në kufijtë e saj ekzistues”, përfundoi Skënder Mulliqi për “Bota sot”.