Ditë më parë Prokuroria Themelore në Ferizaj ka kërkuar vendosjen e masës së paraburgimit ndaj Bratisllav Nikoliqit, zyrtarit të Listës Serbe dhe ish-kryetarit të Shtërpcës, komunë me shumicë serbe në jug të Kosovës.
Kjo masë e paraburgimit vjen për arsye se ekziston dyshimi i arsyeshëm se Nikoliq, nga viti 2014 deri në tetor të vitit 2018 ka marrë para dhe dhurata në mënyrë të drejtpërdrejtë në këmbim të dhënies së lejeve ndërtimore në Parkun Kombëtar “Sharri”, përkatësisht në zonën e dytë dhe të tretë në Brezovicë.
Prokuroria dyshon se Nikoliqi ka keqpërdorur detyrën zyrtare me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore për vete, por edhe “ka pranuar dhurata me qëllim të ushtrimit të ndikimit të padrejtë në vendimmarrjen e personave zyrtarë për dhënien e lejeve ndërtimore”.
Nikoliq dyshohet se ka përfituar deri në 1 milion euro për lejet e lëshuara kundërligjshëm për ndërtimin e objekteve në Brezovicë.
Brezovica ndodhet në Komunën e Shtërpcës dhe është pjesë e Parkut Kombëtar “Sharri”.
Është e njohur për qendrën e skijimit, e cila është vetëm 9 kilometra larg qendrës së Brezovicës.
Qarri: Të rrënohen të gjitha objektet e paligjshme
Gani Qarri
Në lidhje me këtë temë në një prononcim për “Bota sot”, ka folur analisti politik Gani Qarri, i cili u shpreh se çështja e vilave në Brezovicë është e ndërlikuar kjo për arsyje se i akuzuari është vëllai i Branisllav Nikoliqit, ish-këshilltarit të Hashim Thaçit të cilin Thaçi, për tri vite e ka mbajtur në atë detyrë.
“Çështja e vilave në Brezovicë, bëhet edhe më e komplikuar, kur të kihet parasysh se aty janë përfshirë komponentët më të vështirë për tu trajtuar pa probleme dhe në mënyrë paqësore nga drejtësia e ligjet e vendit tonë, si zyrtar të Listës serbe, biznesmen të Edvin Kristaq Ramës dhe politikan të lartë të shtetit të Kosovës. I akuzuari i parë është ish kryetari i Shtërpcës Bratisllav Nikoliq vëllai i Branisllav Nikoliqit ish këshilltarit të Hashim Thaçit të cilin, për tri vite e ka mbajtur në atë detyrë, ani pse ishte vërtetuar se ai ishte edhe pjesëtari i BIA-së së Serbisë, e ish kryetari i Shtërpcës dyshohet se ka marrë deri në 1 milion euro ryshfet për lejet e objekteve të kundërligjshme në Brezovicë megjithëse ndërtimi në zonën e parë dhe të dytë me veçori të jashtëzakonshme natyrore të këtij parku kombëtar, nuk ishte i lejuar”, u shpreh ai.
Më tej, ai shton që ky rrënim do të sjellë probleme për Kosovën për shkak se të përfshirë janë Rama dhe Vuçiqi, duke mos lënë anash as Thaçin, Haradinaj...
Sipas analistit e gjithë kjo mund të krijojë vështirësi në zgjidhjen e problemve.
“Ndërsa problemi më "madhor" që do ti shkaktojë Kosovës kokëçarjet më të mëdha, është se përveç udhëheqësve të lart të Listës serbe të Aleksandër Vuçiqit si dhe bashkëpunëtorëve më të ngushtë të Edvin Kristaq Ramës, si Gentian Sulo etj, aty dyshohet se janë të involvuar drejtpërsëdrejti edhe udhëheqës të lartë të inkriminuar të vet shtetit dhe partive kryesore në Kosovë, në mesin e të cilëve edhe Hashim Thaçi, Ramush Haradinaj etj. Pra është krijuar një konglomerat i tërë i "pathyeshëm" i formës më të re të "vëllazërim-bashkimit" serbo-shqiptar, të vëllazëruar në krim të organizuar, e që të gjitha këto e bëjnë këtë problem dhe rast skandaloz, shumë të vështirë për tu trajtuar ligjërisht dhe zgjidhur shpejtë, nga drejtësia e kapur dhe dirigjuar prej politikës së kriminalizuar në Kosovë”, thotë Qarri.
Kërkohet burgosja e Edi Ramës dhe Gentian Sulos
Duke vazhduar Qarri thotë që në këtë proces do të duhej të arrestohej edhe Edi Rama e Gentian Sulo, të cilët ishin një nga personat që arritën të sjellin këtë rezultat.
“Akti i parë, që në këto momente na jep shpresë për veprim të ligjit, është edhe vendimi i Prokurorisë Themelore të Ferizajt për vendosjen e masës së paraburgimit ndaj Bratisllav Nikoliqit, zyrtarit të Listës Serbe dhe ish-kryetarit të komunës së Shtërpcës, i cili postin e kryetarit të kësaj komune, e mbajti deri në fund të nëntorit të vitit 2021, si dhe nëntë personave të tjerë, të arrestuar po ashtu nën dyshimet për keqpërdorim të pozitës zyrtare, por nuk u tha, se ka mundur të burgoset edhe biznesmeni dhe miku i Edvin Kristaq Ramës, Gentian Sulo, që edhe ishte njëri nga aktorët kryesor të prishjes dhe shkatërrimit gati të tërësishëm të zonës së dytë dhe të tretë të Parkut Kombëtar “Sharri”, në Brezovicë”, thekson analisti.
Ai ndër të tjera thotë se nëse nuk ka fuqi prokuroria dhe gjykatat e pa reformuara, atëherë për të dëshmuar se Kosova është shtet i të drejtës, duhet ta bëjë vet Ministria e Urbanizmit dhe Planifikimit Hapësinor të Kosovës.
“Përndryshe pasi që objektet në fjalë janë sekuestruar përkohësisht, nëse ka guxim të veprohet sipas ligjit, të gjitha ndërtimet pa leje, në zonat e mbrojtura të parkut kombëtar në Brezovicë, do tëduhej të rrënohen urgjentisht dhe të rikthehen sa më shpejtë në gjendjen e mëparshme dhe pa marrë parasysh kush janë pronarët e vilave dhe hoteleve, nëse nuk ka fuqi prokuroria dhe gjykatat e pa reformuara, atëherë për të dëshmuar se Kosova është shtet i të drejtës dhe askush nuk mund të qëndrojë më tej, mbi ligjin, këtë duhet ta bëjë vet Ministria e Urbanizmit dhe Planifikimit Hapësinor të Kosovës”, thotë Gani Qarri për “Bota sot”.
Krasniqi: Procedurat për të dyshuarit mund të zgjasin
Islam Krasniqi
Ndërsa juristi Islam Krasniqi në një bashkëbisedim me “Bota sot”, thotë që këto vila që janë ndërtuar janë të klasës politike dhe se për të dyshuarit procedurat janë të gjata duke mos përjashtuar vitet.
“Shumica e vilave në Brezovicë, të cilat janë ndërtuar pa leje apo me leje në kundërshtim me planin hapësinor, janë të klasës politike apo atyre që i shërbejnë asaj. Nuk e besoj që prokuroria apo edhe Ministria e Urbanizimit dhe Planifikimit Hapësinor do të mund t’i rrënojë këto villa, pavarësisht filmave që i shohim nëpër mediat apo luftës mediatike për merita. Pavarësisht arrestimit të të dyshuarve janë disa procedura që duhet të respektohen para se të fillohet rrënimi, e që ato procedura në bazë të praktikës zgjasin me vite, e gjatë këtyre viteve mund të ndërrojë edhe pushteti në qeveri”, potencon juristi.
Ai në fund thotë që e vetmja garanci për rrënimin e villave është Gjykata Themelore në Ferizaj pasi ka kompetenca për rastin, gjithashtu edhe Gjykata e Apelit të Kosovës, përndryshe mund të mbyllet kjo procedurë si shumë të tjera.
“E vetmja garanci për rrënimin e këtyre villave është që Gjykata Themelore në Ferizaj kompetencë e së cilës është kjo lëndë, t’i jep prioritet kësaj lënde dhe ta kryejë me urgjencë, poashtu të njëjtën gjë duhet ta bëjë edhe Gjykata e Apelit të Kosovës sepse në të kundërtën do të mbyllen si shumë procedura të tjera ndoshta edhe duke ndarë dëmshpërblim për kryesit e veprave penale. Po dihet rrënimi mund të jetë rrethë 10% sa për të arsyetuar veprimin e tyre”, përfundon Krasniqi për “Bota sot”.