Policia e Kosovës po vazhdon përpjekjet për luftimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit. Një numër i shtuar i aksioneve, në të gjithë vendin. Skandalet korruptive si ai me “subvencionet”, rasti “Brezovica”, ndërhyrjet e përsëritura në veri dhe të tjera në luftë për shpërbërjen e krimit të organizuar.
Ishte muaji tetor kur Policia e Kosovës ka intervenuar në veri të vendit për të parandaluar kontrabandimin e mallrave dhe trafiqeve të tjera.
Mirëpo, aksioni i policisë dhe doganës së Kosovës kundër kontrabandimit me mallra shkaktoi ngritje tensionesh në veri të Kosovës, që rezultoi me 6 të lënduar, përcjellë “Bota sot”.
Grupet ndërkombëtare të krimit të organizuar serb të orkestruara nga Serbia, filluan t’i nxjerrnin me dhunë në rrugë serbët e atjeshëm, dhe madje duke sjellur edhe qytetarë dhe banditë nga Serbia e Mali i Zi.
Një aksion tjetër që u krye me sukses ishte ai ndaj krimit të përbashkët serbo-shqiptar, në Brezovicë.
Ky aksion kundër korrupsionit dhe abuzimit me ligjin përfundoi me arrestimin e ish-kryetarit të Shtërpcës, Bratisllav Nikoliç dhe nëntë të tjerëve, i cili kishte shkelur ligjin edhe me dhënien e palishme të lejeve për ndërtimet dhe vilat në Brezovcië.
Bajram Kafexholli, drejtori i Parkut Kombëtar “Sharri”, tha se “të gjitha objektet e ndërtuara pa leje, që kanë tejkalime, si dhe objektet e ndërtuara në zonat e dyta duhet të rrënohen si dhe të kthehen në gjendjen e mëparshme”.
Ku gjatë aksionit të Policisë së Kosovës janë sekuestruar mbi 60,000 euro, armë të ndryshme, tetë vetura me vlerë 300,000 euro, si dhe pajisje për prodhimin e kriptovalutave.
Mirëpo ajo që po del shqetësuese në të gjitha këto operacione është se fare pak po merr vëmendje rrjedhja e informacionet nga Policia e Kosovës, e në veçanti kur po bëhet fjalë për operacionet në veri. Këtë shqetësim madje po e bën publik vetë ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla.
Për “Bota sot”, ekspertët e sigurisë thonë që nuk është hera e parë që të njëjtat informacione po rrjedhin, madje edhe të tjera për të cilat di pak ose aspak opinioni.
Ata kërkojnë që të zbulohet sa më parë se kush është përgjegjës dhe të merren masa për bashkëpunëtorët.
Tërnava: Intervenimet e policisë duhet të mbetën sekret derisa të përfundojnë ato
Në lidhje me këtë temë eksperti i sigurisë, Hajrullah Tërnava, në një prononcim për “Bota sot”, thotë që në momentin që duhet të bëhet një intervenim dikund nga ana e policisë ai duhet të mbahet sekret derisa të përfundojë.
Hajrullah Tërnava
“Kur planifikohet një intervenim në pjesë të ndryshme të Kosovës, ishte dashur që ky intervenim deri në mbarimin e tij të jetë sekret për hirë të efikasitetit të plotë si qëllim i këtij intervenimi. Sepse intervenimet e policisë aty ku zhvillohet krimi apo është në planifikim një kryerje e krimit, e kur dihet qëllimi i një intervenimi të tillë nga ana e policisë, që e kanë si detyrë parandalimin dhe pastrimin e krimeve në ato vende, rrjedhjet e informatave për planin kur do të intervenohet është një dyshim i lidhshmërisë nga brenda policisë me autorët e krimit dhe grupe të krimit. Në ato vende ku planifikohet intervenimi apo bastisja e atyre vendeve të dyshimta, ku kryhen ato veprime kriminale antiligjore, për shkakun e intervenimit që e bëjnë policia, e që e kanë qëllimin e jetësimit të ligjeve pozitive të shtetit të Kosovës”, u shpreh ai.
Tërnava më tej, thotë se duhet të bëhen hulumtime brenda policisë në lidhje me zbardhjen e atyre që kanë keqpërdorur pozitën e tyre dhe janë lidhur me kriminelët.
“Në rast se këto informacione rrjedhin dhe ripërsëriten nga brendësia e policisë për intervenime, që në shumë raste intervenon policia, gjithsesi se duhen të bëhen hulumtime përbrenda policisë se kush është i lidhur me grupet kriminale, dhe nuk duhet të pritet gjatë për këto hulumtime, por sa më parë të zbardhen ata persona që punojnë si polic dhe marrin rroga për profesionin e tyre si polic, përndryshe ata që janë të lidhur me kriminelët, ata duhen sa më parë të largohen nga policia dhe për vepra të tyre që i kanë kryer aq kohë derisa janë zbuluar, duhen për këto veprime të largohen nga policia dhe të dënohen si bashkëpunëtor të krimit dhe t’i marrin dënimet e merituara për vepra të tilla sikur i parasheh ligji”, thotë eksperti i sigurisë.
Nga ana tjetër Tërnava shton se që të gjithë ata që janë të përfshirë në këto dukuri, pavarësisht pozitave të tyre në polici, ndaj të gjithëve duhen ndërmarr procedurat hetuese përmes prokurorëve dhe Inspektoratit të Policisë.
“Nëse hulumtohen dhe zbulohen ata që kanë bashkëpunuar me kriminelët, duhen sa më parë të suspendohen dhe të largohen nga profesioni i policisë dhe ndaj tyre të ngriten procedura e përndjekje procedurale të bashkëpunimit me kriminelët, për dënimin e tyre sikur i parasheh ligji. Të gjithë ata që janë të përfshirë në këto dukuri, pavarësisht pozitave të tyre në polici, ndaj të gjithëve duhen ndërmarr procedurat hetuese përmes prokurorëve dhe Inspektoratit të Policisë, dhe nëse konstatohen këto lidhshmëri, të gjithë ata duhen të largohen nga policia, dhe sipas përgjegjësive që i kanë pasur të dënohen me dënime meritore”, u shpreh Hajrullah Tërnava për “Bota sot”.
Shala: Të merren masa për ata që po lëshojnë informacione sekrete të policisë
Ndërsa, eksperti tjetër i sigurisë, Drizan Shala, në një bashkëbisedim me “Bota sot”, thotë që duhet të ketë hetim nga IPK-ja dhe AKI për të gjetur kush po i lëshon këto informacione që po e dëmtojnë policinë.
Drizan Shala
“Në lidhje me një breshtësi të mbajtjes së informacioneve brenda organeve duhet që të ketë hetim në dy drejtime nga IPK-ja si dhe në aspektin e jashtëm nga AKI-ja, e cila ka kapacitete për të gjetur rrjedhjen e informacionit jashtë institucioneve dhe se a kemi të bëjmë me ndonjë strukturë tjetër të sigurisë të involvuar nga Serbia”, thekson eksperti i sigurisë.
Në fund, ai shton që duhet sa më parë IKP ta zbuloj se cila hallkë po lejon rrjedhën e këtyre informacioneve.
“Hetimet duhet të mbyllen sa më parë nga IPK-ja se në cilën hallkë është duke rrjedhur informacioni dhe personat duhet të vihen para organeve të rendit”, përfundoi Drizan Shala, për “Bota sot”.