Rasti në Brezovicë / Analisti zbulon disa detaje të rëndësishme

Politika

Rasti në Brezovicë / Analisti zbulon disa detaje të rëndësishme

Nga: M.H. Më: 28 dhjetor 2021 Në ora: 11:59
Brezovica

Një nga temat më të rëndësishme këto ditë mbetët keqpërdorimi i vilave në Brezovicë.

I dyshuari për këto keqpërdorime është Bratisllav Nikoliqit, zyrtari i Listës Serbe dhe ish-kryetari i Shtërpcës, komunë me shumicë serbe në jug të Kosovës.

E tutje Prokuroria Themelore në Ferizaj ka kërkuar vendosjen e masës së paraburgimit, përcjell “Bota sot”.

Në lidhje me këtë temë në një prononcim për “Bota sot”, ka folur analisti politik Gani Qarri, i cili u shpreh se çështja e vilave në Brezovicë është e ndërlikuar kjo për arsyje se i akuzuari është vëllai i Branisllav Nikoliqit, ish-këshilltarit të Hashim Thaçit i cili për tri vite e ka mbajtur në atë detyrë.

Image
Gani Qarri

Çështja e vilave në Brezovicë, bëhet edhe më e komplikuar, kur të kihet parasysh se aty janë përfshirë komponentët më të vështirë për tu trajtuar pa probleme dhe në mënyrë paqësore nga drejtësia e ligjet e vendit tonë, si zyrtar të Listës serbe, biznesmen të Edvin Kristaq Ramës dhe politikan të lartë të shtetit të Kosovës. I akuzuari i parë është ish kryetari i Shtërpcës Bratisllav Nikoliq vëllai i Branisllav Nikoliqit ish këshilltarit të Hashim Thaçit të cilin, për tri vite e ka mbajtur në atë detyrë, ani pse ishte vërtetuar se ai ishte edhe pjesëtari i BIA-së së Serbisë, e ish kryetari i Shtërpcës dyshohet se ka marrë deri në 1 milion euro ryshfet për lejet e objekteve të kundërligjshme në Brezovicë megjithëse ndërtimi në zonën e parë dhe të dytë me veçori të jashtëzakonshme natyrore të këtij parku kombëtar, nuk ishte i lejuar”, u shpreh ai.

Më tej, ai shton që ky rrënim do të sjellë probleme për Kosovën për shkak se të përfshirë janë Rama dhe Vuçiqi, duke mos lënë anash as Thaçin, Haradinaj...

Sipas analistit e gjithë kjo mund të krijojë vështirësi në zgjidhjen e problemve.

Ndërsa problemi më "madhor" që do ti shkaktojë Kosovës kokëçarjet më të mëdha, është se përveç udhëheqësve të lart të Listës serbe të Aleksandër Vuçiqit si dhe bashkëpunëtorëve më të ngushtë të Edvin Kristaq Ramës, si Gentian Sulo etj, aty dyshohet se janë të involvuar drejtpërsëdrejti edhe udhëheqës të lartë të inkriminuar të vet shtetit dhe partive kryesore në Kosovë, në mesin e të cilëve edhe Hashim Thaçi, Ramush Haradinaj etj. Pra është krijuar një konglomerat i tërë i "pathyeshëm" i formës më të re të "vëllazërim-bashkimit" serbo-shqiptar, të vëllazëruar në krim të organizuar, e që të gjitha këto e bëjnë këtë problem dhe rast skandaloz, shumë të vështirë për tu trajtuar ligjërisht dhe zgjidhur shpejtë, nga drejtësia e kapur dhe dirigjuar prej politikës së kriminalizuar në Kosovë”, thotë Qarri.

Kërkohet burgosja e Edi Ramës dhe Gentian Sulos

Duke vazhduar Qarri thotë që në këtë proces do të duhej të arrestohej edhe Edi Rama e Gentian Sulo, të cilët ishin një nga personat që arritën të sjellin këtë rezultat.

Akti i parë, që në këto momente na jep shpresë për veprim të ligjit, është edhe vendimi i Prokurorisë Themelore të Ferizajt për vendosjen e masës së paraburgimit ndaj Bratisllav Nikoliqit, zyrtarit të Listës Serbe dhe ish-kryetarit të komunës së Shtërpcës, i cili postin e kryetarit të kësaj komune, e mbajti deri në fund të nëntorit të vitit 2021, si dhe nëntë personave të tjerë, të arrestuar po ashtu nën dyshimet për keqpërdorim të pozitës zyrtare, por nuk u tha, se ka mundur të burgoset edhe biznesmeni dhe miku i Edvin Kristaq Ramës, Gentian Sulo, që edhe ishte njëri nga aktorët kryesor të prishjes dhe shkatërrimit gati të tërësishëm të zonës së dytë dhe të tretë të Parkut Kombëtar “Sharri”, në Brezovicë”, thekson analisti.

Ai ndër të tjera thotë se nëse nuk ka fuqi prokuroria dhe gjykatat e pa reformuara, atëherë për të dëshmuar se Kosova është shtet i të drejtës, duhet ta bëjë vet Ministria e Urbanizmit dhe Planifikimit Hapësinor të Kosovës.

“Përndryshe pasi që objektet në fjalë janë sekuestruar përkohësisht, nëse ka guxim të veprohet sipas ligjit, të gjitha ndërtimet pa leje, në zonat e mbrojtura të parkut kombëtar në Brezovicë, do tëduhej të rrënohen urgjentisht dhe të rikthehen sa më shpejtë në gjendjen e mëparshme dhe pa marrë parasysh kush janë pronarët e vilave dhe hoteleve, nëse nuk ka fuqi prokuroria dhe gjykatat e pa reformuara, atëherë për të dëshmuar se Kosova është shtet i të drejtës dhe askush nuk mund të qëndrojë më tej, mbi ligjin, këtë duhet ta bëjë vet Ministria e Urbanizmit dhe Planifikimit Hapësinor të Kosovës”, thotë Gani Qarri për “Bota sot”.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat