Lidhja e ngushtë politike dhe tejet miqësore në rrafshin personal e Kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiqin po arrin të sjellë debate të mëdha tek opinioni publik.
Së fundmi marrëveshjet e fundit të nënshkruara me 21 dhjetor sollën pakënaqësi deri në protesta.
Në lidhje me këtë temë në një prononcim për “Bota sot”, publicisti Idriz Zeqiraj, thotë se miqtë e sinqertë të Kosovës kanë qenë skeptik për iniciativat e ndërmarra nga Vuçiqi dhe Rama.
![Image](/media/botasot.info/images/2021/December/28/auto_auto_850x636_IDRIZ-ZEQIRAJ-550x300-1162869595516405554891640698956.jpg)
“Miqtë e sinqertë të Kosovës, të prirë nga SHBA-ja dhe Gjermania, me aleatët e saj, pavarësisht, herë-herë, gjuhës diplomatike, kanë shprehur skepticizëm për iniciativat e Vuçiqit, të aprovuara, zëshëm e zellshëm, nga Rama dhe, deri diku, nga maqedonasi Zajev”, u shpreh ai.
Më tej, ai thotë që “Ballkani i hapur” është urë-lidhëse lehtësuese me Rusinë dhe kështu është në dëm të Kosovës.
“Amerika dhe Evropa po ia bëjnë gjithë ato lëshime Serbisë, për ta futur në "orbitën" e tyre atë, qoftë në anëtarësimin në NATO, qoftë për ta bërë pjesë të BE-së, me qëllim të stopimit të Rusisë, të mbajtjes sa më larg Ballkanit. Ndërsa, Rama, edhe pse e dinë mirëfilli se "Ballkani i hapur", është një krijesë, me lidere Serbinë, rrjedhimisht, urë-lidhëse lehtësuese me Rusinë! Dhe, kjo bie ndesh jo vetëm me interesat e Kosovës, por, edhe me gjeo-strategjinë e aleatëve tanë, të cilët na çliruan dhe e bënë shtet Kosovën”, thotë publicisti.
Nga ana tjetër Zeqiraj shprehet se ky bashkëpunim rajonal mund të sjellë mundësi punësimi, mirëpo politikisht është në dëm të Kosovës.
“Nuk mohohet fakti se bashkëpunimi rajonal, krijon mundësi punësimi, shton ekonominë, përmirëson mirëqenien reciproke. Mendoj se Marrëveshja e Ëashingtonit është paragjykuar e keqkuptuar, përgjithësisht, nga LVV. Përjashto çështjet politike, të cilat nuk janë sqaruar mirë, që lënë hije dyshimi, pjesa ekonomike është krejt e qartë dhe shumë profitabile edhe për Kosovën, Shqipërinë dhe rajonin”, thekson ai.
Në fund, ai thotë se Kosova ka qenë e qartë në mesazhet e drejtuara Ramës dhe Vuçiqit.
“Mendoj se Kosova ka qenë e qartë, në mesazhet drejtuar Edvin Ramës dhe sojit të tij, në lidhje me miqësinë e tij të deklaruar, për presidentin serb, Aleksandër Vuçiq. Gjithashtu, krerët pushtetarë e shtetërorë, kanë qenë dhe mbetën refuzues, në ftesat e përsëritura të tandemit Rama-Vuçiq. Duhet pasur kujdes, të mos lëndohen ndjesitë vëllazërore ndërmjet shqiptarëve”, përfundon Idriz Zeqiraj për “Bota sot”.