Së fundi, BE ka kërkuar që të mos respektohet vendimi i Gjykatës Kushtetuese për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe. Ndërsa, ka kërkuar që të respektohet verdikti kushtetuese për Manastirin e Deçanit.
Kjo gjë po vlerësohet si standard i dyfishtë për Kosovën.
Analisti politik, Hidajet Ahmeti në një prononcim për gazetën “Bota sot” komentoi qëndrimin e BE-së ndaj formimit të Asociacionit dhe Manastirit të Deçanit.
Fillimisht, ai u shpreh se standardet e dyfishta paraqesin një dyshim të theksuar në zgjidhjen e problemeve kontestuese në mes dy shteteve.
![Image](/media/botasot.info/images/2021/December/28/auto_881640728744.jpg)
“BE duhet të jetë konstruktive dhe objektive në trajtimin e çështjeve me rëndësi për dy shtetet. Standardet e dyfishta paraqesin një dyshim të theksuar në zgjidhjen e problemeve kontestuese në mes dy shteteve. BE duhet ndryshoj këtë logjikë diskriminuese ndaj Kosovës e favorizuese ndaj Serbisë, pasi në këtë mënyrë nuk mund të ketë një normalizim të raporteve”, deklaroi Ahmeti.
Gjithashtu, analisti beson se BE nuk po vepron drejt, pasi pala e dëmtuar është Kosova dhe jo Serbia.
Ai u shpreh se shteti serb duhet të paguajë për dëmet e shkaktuar.
“Shihet qartë që BE nuk ka vepruar konform realitetit, pasi palë e dëmtuar ka qenë Kosova e jo Serbia, dhe dialogu nuk është zhvilluar brenda kornizës së realitetit. Perveç kërkim faljes, Serbia duhet të paguajë dëmet njerëzore dhe matriale dhe për këtë çështje duhet BE t'i bëjë presion të vazhdueshëm”, theksoi Hidajet Ahmeti për “Bota sot”.