Ish ministri i Brendshëm dhe ish nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Agim Veliu ka shprehur pakënaqësitë e tij lidhur me mënyrën e udhëheqjes së partisë nga kryetari Lumir Abdixhiku.
Veliu ka folur rreth manifestimit për përvjetorin e 32-të të LDK-së duke thënë se Abdixhiku ua ka mbyllë derën e shtëpisë atyre që e ndërtuan dhe e ngritën partinë për 30 vjet me radhë.
Lidhur me këtë, analisti Leon Duhanaj, ka potencuar se që nga themelimi i saj, LDK ka pasur njerëz të pakënaqur, madje disa edhe e kanë braktisur këtë parti.
![Image](/media/botasot.info/images/2021/December/29/auto_auto_leon_duhanaj15420930901640810896.jpg)
Duhanaj shtoi se për të reflektuar drejt në këtë kontekst kërkohet një bazë analizash, që do e trajtonin historikun e subjektit.
“Polemikat sporadike brenda, nuk është që janë pa traditë. Në LDK që nga themelimi i saj ka pasur njerëz të pakënaqur, të cilët në faza të ndryshme edhe kanë braktisur këtë parti. Madje shumica e partive tjera janë produkt i njerëzve të cilët nuk janë pajtuar me politikat e brendshme të LDK-së. Për mendimin tim, në ketë kontekst, për të reflektuar drejtë, kërkohet një bazë analizash të cilat do ta trajtonin historikun e këtij subjekti. Në radhë të parë, kur njerëzit, respektivisht politikanët, deklarohen për reforma, do të duhej ta nënkuptonin edhe rinimin e parties”, ka thënë Duhanaj.
Tutje potencoi se nëse Abdixhiku bënë ndryshim, sipas tij, duhet plotësuar plotni, sepse përndryshe do të jetë humbje e madhe nëse do të ketë një shkëputje klasike.
“Kur them rinimin e partisë, nuk mendoj me njerëz krejtësisht të eksperiencë, por njerëz të cilët nuk kanë qenë në linjat e para të partisë, pasi që publiku kërkon figura të reja. Në ketë kontekst, nëse kryetari i ri z. Abdixhiku, e ka pjesë të programit të tij këtë ndryshim, atëherë, duhet plotësuar në plotni. Kjo nuk nënkupton që tani përnjëherë garda e vjetër të shpallet e pavlefshme dhe e padëshirueshme, sepse kishte me qenë humbje e madhe për ketë subjekt një shkëputje klasike nga e kaluara. Nuk ka të kaluar pa të ardhme, ashtu siç nuk ka të ardhme pa të kaluar”, shtoi ai.