Çështja e listës së veteranëve dhe invalidëve të luftës ka qenë një nga temat më të përfolura në vitet e fundit.
Kjo për shkak të numrit të lartë të personave të përfshirë në këto lista.
Mirëpo, së fundi kjo temë nuk është diskutuar dhe është lënë anash.
Por, kjo çështje i dha shans të rihapet, një dialog i vështirësuar i ish kryeministrit Haradinaj me qeverinë Kurti. Ai bëri kritika të ashpra, se kinse kjo qeveri nuk po i ndihmon invaliditet për çështje të shëndetit.
Ai mori një kundërpërgjigje të shpejtë nga Qeveria, se ai nuk brengosej realisht për ata, dhe se thjesht po e përdorte retorikën për akuza.
Ky debat, e riktheu mbase padashtas në vëmendje skandalin me listat e shumëfishuara të veteranëve.
Procesi
Është i njohur procesi hetimor i nisur në vitin 2017 i ish prokurorit Elezi, i cili u detyrua ta braktiste Kosovën, për shkak të rrezikut për jetën, me të cilin u ballafaqua nga grupet që e kishin kriminalizuar listën e veteranëve.
Nga rreth 12-15 mijë luftëtarë sa ishin të angazhuar në Kosovë sipas informacioneve kredibile, të huaja dhe vendore, lista shkoi në mbi 60 mijë veta.
Madje procesi hetimor i prokurorit Elezi, u devijua, dhe në fund gjykata e mbylli, si proces të pastër, ani se çdo zonë e Kosovës, çdo katund dhe madje lagje e dinë, se në lista kanë hyrë mashtrues dhe përfitues të paligjshëm.
Sipas prokurorit Elezi rreth 19,000 persona kishin aplikuar me dokumente të rreme për statusin e veteranit të luftës të UÇK-së. Humbjet vjetore ishin rreth 68 milionë euro nga parregullsitë, përkatësisht nga përfitimi i rrejshëm i statusit të veteranit.
E në janar të vitit 2020, Prokuroria Speciale pat njoftuar se vetëm në prokurorinë e Pejës janë nën hetim për statusin e veteranit mbi 8.000 raste.
Por, tani që kemi një qeveri të re, me shpresë në kredibilitet dhe përkrahje të vlerave, dhe ndëshkim të keqpërdorimeve, a mund të kemi një proces të ri hetimor dhe gjyqësor?
Procesi gjyqësor ndaj 12 anëtarëve të Komisionit, me kryetar Agim Çekun, për veteranët është duke vazhduar. Por, në shkurt të këtij viti, një gjykatë i liroi nga akuzat të gjithë, ndërsa pas ankesës së Prokurorisë, lënda është në rigjykim. Por, procesi tashmë konsiderohet i komprometuar.
Njohësit e çështjeve juridike në prononcimet për gazetën “Bota sot” kanë komentuar mundësinë e rihapjes së çështjes së listës së invalidëve, manipulimeve dhe rigjykimin e këtij procesi.
Kelmendi: Invaliditeti dhe "Lista e veteranëve" të UÇK-së shqyrtohen vetëm nga gjykatat kompetente
Muhamet Kelmendi
E lidhur me këtë çështje, në një prononcim për gazetën “Bota sot” foli edhe njohësi i çështjeve kushtetuese, Muhamet Kelmendi.
Fillimisht, ai përmendi faktin se listat e veteranëve dhe invalidëve të luftës mund të rishqyrtohen vetëm nga prokuroria, dhe jo nga organi ekzekutiv.
“Çështja e invalidëve nuk ka se si të hapet nga ana e organeve ekzekutive dhe legjislative. Nivelin e invaliditetit për personat invalidë nga lufta ose paqja e cakton komisioni i mjekëve.
Kundër qëndrimeve të tilla ekzistojnë shkallshmëritë dhe komisionet e veçanta mjekësore që shqyrtojnë dhe vendosin nëpër instanca. Vendimet e tilla mund të anulohen me kërkesë për revizionim të lëndës. Por, kjo ndodhë rrallëherë. Ndërsa, kompetentët në këto raste recidive janë përsëri komisionet mjekësore”, deklaroi Kelmendi.
Në vazhdim, ai theksoi se pasi vendimi i komisionit mjekësor bëhet i ekzekutueshëm, atëherë kërkohet vendim gjyqësor mbi këtë rast.
“Dhe, kur vendoset nga komisioni, vendimi hynë në fuqi dhe bëhet i ekzekutueshëm.
Mirëpo, kur është çështja e veteranëve të luftës së UÇK-së kërkohet vendim gjyqësor mbi vendimin e organeve administrative. Kjo nuk rishqyrtohet nga organet ekzekutive”, theksoi njohësi i çështjeve kushtetuese.
Më tej, Kelmendi potencoi se në rast se ndonjë person dyshohet për vepër penale në rastin e invaliditetit, kërkohet nga Prokuroria që të bëjë akuza pranë një gjykate themelore.
“Gjykata ka mundësi të anuloj vendimet e tilla dhe nëse gjen vepër penale i merr në përgjegjësi kompetentët dhe vetë personin që dyshohet për vepër penale.
Si në rastin e invaliditetit, ashtu edhe në rastet e veteranëve të UÇK-së, lypset që Prokuroria Speciale të hetojë dhe të bëjë akuza penale pranë Gjykatave Themelore, kuptohet nëse gjen fakte për vepër penale”, nënvizoi ai.
Krejt në fund, juristi e bëri të qartë se Qeveria dhe Kuvendi nuk kanë kompetenca të merren me raste të tilla.
“Kështu, kemi një procedurë shumë të qartë. Qeveria nuk ka të drejtë të merret me rastet e tilla.
Edhe Kuvendi është in kompetent, kompetencat janë te organet prokuroriale dhe te gjykatat”, përmbylli Muhamet Kelmendi për “Bota sot”.
Krasniqi: Nuk është momenti që Qeveria Kurti të merret me Listat e invalidëve, veteranëve apo kategorive të dala nga Lufta Çlirimtare
Islam Krasniqi
Ndërsa, juristi Islam Krasniqi në prononcimin e tij për gazetën “Bota sot” u shpreh se tani nuk është koha që Qeveria e Kosovës të merret me listat e veteranëve.
Kjo, pasi sipas tij, tani vendi po përballet me probleme shumë më të rëndësishme se manipulimet e listave të veteranëve.
“Nuk është momenti që Qeveria Kurti të merret me listat e invalidëve, veteranëve apo kategorive të dala nga lufta çlirimtare, duke e ditur se tani kemi shumë probleme tjera, të cilat duhet të kenë prioritete më të mëdha nga qeveria se sa manipulimet me listat e veteranëve”, deklaroi Krasniqi.
Gjithashtu, ai vuri në pah edhe faktin se këto lista duhet të pastrohen dhe ndëshkuesit të dënohen, mirëpo jo në këtë kohë pasi do të rritej pakënaqësia te një pjesë e qytetarëve.
“Listat e kategorive të dala nga lufta e fundit duhet të pastrohen dhe këto procese duhet të vazhdojnë përpara, duke u gjykuar apo edhe ndëshkuar mashtruesit, të cilët shkelen mbi të vërtetën për interesa të tyre personale, mirëpo jo në këtë kohë, sepse do t’i hapim probleme më të mëdha vetës, ku do të rritet edhe pa kënaqësia te një kategori e qytetarëve”, përfundoi Islam Krasniqi për “Bota sot”.