Dialogu Kosovë-Serbi është një nga çështjet me të ndërlikuar me të cilat po përballet vendi ynë.
Në kuadër të këtyre bisedimeve po kërkohet edhe përfshirja e Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit.
Kryetari i Bujanocit, Nagip Arifi tha se nuk do të ketë normalizim të raporteve Kosovë-Serbi pa u bërë zgjidhja e shqiptarëve të Luginës së Preshevës.
Ai për “Bota sot” u shpreh se ka shumë probleme që mund të diskutohen në Bruksel, përfshirë diskriminimin e shqitparëve.
“Normalizimi i marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë nuk mund të bëhet pa zgjidhjen e çështjes së Luginës së Preshevës. Mendoj se përfshirja e çështjes së Luginës së Preshevës në këto bisedime është e padiskutueshme. Ka një mori problemesh që mund të diskutohen në Bruksel, kurse mos zgjidhja e tyre nënkupton vazhdimësi të diskriminimit të shqiptarëve të Luginës”, deklaroi Arifi.
Krahas kësaj, kryetari i Bujanocit u shpreh se pas interesimit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, diaolgu Kosovë-Serbi pritet të përfundojë, pas zgjedhjeve parlamentare në shtetin serb.
“Interesimi i shtuar i faktorit ndërkombëtar, e sidomos ai i ShBA-së për të përfunduar dialogu mes Kosovës dhe Serbisë jep shpresë se do të ketë një zgjidhje, edhe pse kjo nuk do të ndodhë së paku deri në zgjedhjet parlamentare në Serbi që do të mbahet në fillim të vitit të ardhshëm. Besoj që njohja e ndërsjellë do të ndodhë dhe kjo do të hap rrugë për të dyja shtetet për anëtarësim në BE”, theksoi Nagip Arifi për “Bota sot”.